Xhemil Zeqiri, ky patriot i flaktë dhe revolucionar i palëkundur, mbështetet në vërtetësinë e fakteve dhe ngjarjeve historike. Ai hulumton dhe dëgjon mendimet e të tjerëve për të pasqyruar sa më me saktësi realitetin historik dhe shoqëror.
Gjithashtu, Xhemili komunikonte shpesh me shokët shqiptarë të Shqipërisë për të njohur më mirë realitetin e Epokës Lavdimadhe Enveriane, të cilën e adhuronte dhe e konsideronte një periudhë historike të lavdishme. Më kujtohet kur Xhemili erdhi një herë në Tiranë dhe u takua me mua dhe një grup shokësh atdhetarë. Ndër ta ishte edhe babai im, Tefik Ruçi, ish-gjeneral dhe komandant i korpusit të ushtrisë popullore moderne enveriane.
Biseda me shokun Xhemil ishte e ngrohtë dhe miqësore. Fokus kryesor ishte çështja kombëtare. Të gjithë ndanim të njëjtin mendim: se zgjidhja e çështjes kombëtare është e domosdoshme dhe e pashmangshme, një amanet i të rënëve për liri. Kjo është një kërkesë e shqiptarëve të ndershëm për ribashkimin e trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga kancelaritë evropiane. Ne besonim se kjo çështje ishte thjesht çështje kohe për t’u realizuar. Për këtë, duhej të bashkoheshin të gjitha forcat intelektuale dhe njerëzore, me një platformë kombëtare dhe me një ide të qartë rreth flamurit kuq e zi, simbolit të përbashkët të shqiptarëve në çdo luftë dhe betejë.
Ishte e domosdoshme që shqiptarët të bëheshin faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për të detyruar fuqitë botërore të korrigjonin padrejtësinë historike dhe të mundësonin ribashkimin e trojeve shqiptare. Duan apo nuk duan të tjerët, bashkimi i trojeve shqiptare është një kërkesë e shqiptarëve dhe e kohës. Ne ishim të vendosur të përdornim të gjitha format demokratike për ta realizuar këtë aspiratë kombëtare, pa dëshirë për gjakderdhje, por gjithmonë të gatshëm për sakrificë nëse rrethanat do ta kërkonin.
Atdhetari Xhemil ishte gjithmonë i interesuar të mësonte për periudhën kur Shqipëria udhëhiqej nga një burrë shteti me përmasa ndërkombëtare, vizionari dhe arkitekti i Shqipërisë Socialiste, Enver Hoxha. Ai dëshironte të dinte më shumë për Ushtrinë Popullore të Enver Hoxhës dhe për këtë iu drejtua gjeneralit Tefik Ruçi, i cili ishte i pranishëm në këtë bisedë. Në atë kohë, Tefiku ishte rreth 70 vjeç, por ruante ende vitalitetin dhe energjinë që e kishte karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake.
Kur Xhemili e pyeti për ushtrinë, Tefiku mori një qëndrim serioz dhe me një ndjenjë të thellë dhimbjeje kujtoi shkatërrimin e ushtrisë moderne shqiptare nga tradhtarët dhe keqbërësit. Ai tregoi se ushtria shqiptare lindi në zjarrin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe u kalit gjatë ndërtimit të Shqipërisë Socialiste. Falë largpamësisë së komandantit të përgjithshëm Enver Hoxha dhe strategjisë së tij, ushtria shqiptare u rrit dhe u forcua. Pas Luftës së Dytë Botërore, ushtria ishte e fortë moralisht, por kishte nevojë për përgatitje profesionale dhe modernizim. Për këtë arsye, Partia e Punës e Shqipërisë dërgoi shumë kuadro ushtarake për t’u specializuar në vendet e ish-kampit socialist, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Një ndër këta ishte edhe Tefik Ruçi, i cili përfundoi 9 vite studime ushtarake dhe më vonë u emërua komandant i korpusit në vitet 1971-1974.
Tefiku tregonte me krenari se si ushtria shqiptare u pajis me armatime moderne dhe u bë një nga ushtritë më të disiplinuara dhe të fuqishme në rajon. Ajo numëronte rreth 140 anije luftarake dhe nëndetëse, ndërsa përgatitja e trupave ishte e tillë që, në rast nevoje, ushtria mund të vihej në gatishmëri të plotë brenda 72 orëve. Për vite me radhë, Tefiku shërbeu në Shkodër si shef shtabi dhe komandant i korpusit, duke mbikëqyrur një zonë të gjerë nga Dukagjini deri në Tropojë. Ai organizonte stërvitje të rregullta dhe shpeshherë marshonte personalisht me trupat për të ngritur moralin dhe disiplinën e ushtrisë.
Një nga kujtimet më të dhimbshme të tij ishte fakti që, gjatë stërvitjeve në kufirin me Kosovën, ai shihte vëllezërit shqiptarë përtej kufirit, pa pasur mundësi të komunikonte me ta. Ishte i bindur se një ditë Kosova do të çlirohej dhe, kur kjo ndodhi në vitin 1999, ai nuk mund të qëndronte larg.
Në tetor të atij viti, ai udhëtoi për në Kosovë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të heroit Abedin Rexha (Sandokani), në Vojnik të Skenderajt. Me një emocion të jashtëzakonshëm, ai përjetoi realitetin e Kosovës së lirë, por pikërisht në atë tokë që e kishte ëndërruar të çliruar, zemra e tij pushoi së rrahuri. Nuk ishte rastësi që ai vdiq në Kosovën e lirë – ishte një simbolikë e fortë e jetës dhe përkushtimit të tij ndaj çështjes kombëtare.
Tefik Ruçi ishte një atdhetar i flaktë dhe një ushtarak i përkushtuar. Jeta e tij ishte një libër i hapur, një histori e sakrificës dhe patriotizmit të pashoq.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!