(70 vjet më parë)
Viti 1952. Nisën punimet për ndërtimin e H/C Karl Marks mbi lumin Mat. Me këtë rast, në qytetin e Burrelit u organizua një miting madhështor. Merrte pjesë Udhëheqësi i Partisë dhe i Popullit, Enver Hoxha.
Mbas mitingut, Komandanti zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e organizatave të masave. Në këtë takim diskutoi edhe përfaqësuesi i Lufajve të Selitës, Preng Bruçi. Diskutimi i tij tërhoqi vëmendjen e Enver Hoxhës. Kjo ndodhi, sepse ishte një diskutim i thjeshtë, pa llustër dhe i vërtetë.
Në fjalën e tij të mbylljes, Enver Hoxha e citoi disa herë fjalën e fshatarit nga Lufajt. “Kur jemi në mitingje, – tha ai midis të tjerave, – sigurisht do të evidentojmë më shumë arritjet pozitive, sepse na dëgjon edhe hasmi. Ndërsa kur jemi në mbledhje pune, si kjo e sotmja, shokët duhet të flasin siç është e vërteta, ashtu siç foli shoku nga Lufajt. Ndryshe gënjejmë veten, por çojmë në gabime edhe Partinë”.
Në mbarim të mbledhjes, në një nga sallat e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, u shtrua një drekë për pjesëmarrësit e mbledhjes, përfaqësus të organeve të partisë e të pushtetit në rreth. Kur të gjithë kishin zënë vend në sallën ku u shtrua dreka, Enver Hoxha, pasi hodhi vështrimin mbi pjesëmarrësit, pyeti Sekretarin e Parë të Partisë të Rrethit:
-Shoku Sekretar, po atë katundarin që diskutoi në mbledhje, e keni thirrur në drekë?
Pyetja e tij ishte njëherësh edhe kritikë për harresën, gjë që vuri në lëvizje drejtuesit, të cilët vrapuan të riparonin gabimin. . .
Preng Bruçi hyri në sallë, dhe duke u munduar të mos binte në sy, si i vonuar që ishte (ndonëse jo për faj të tij), hoqi nga koka kësulën e bardhë dhe u ul në një karrike nga fundi i sallës. Por Komandanti e pa dhe e ftoi të vinte në tavolinën e tij. Preng Bruçi, me kësulën në dorë, kaloi midis rreshtit të tavolinave dhe u ul në karrigen që i sollën, aty midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
“Në fillim, – tregonte Preng Bruçi, – pata tollosum (emocione) dhe qëndrova si mbi gjëmba. Nuk ishte e lehtë: Unë, një fshatar i thjeshtë, me brekushe të zeza e një xhaketë të vjetër ushtarake angleze, qëndroja në krah të udhëheqësit të Partisë e të Shtetit. Por Komandanti filloi nga biseda dhe unë fillova të çlirohesha. Prisja të më pyeste e të më fliste për gjëra të mëdha, por ai foli thjeshtë dhe më pyeti për gjërat më elementare, më pyeti për fshatin, për familjen, për bujqësinë, për blegtorinë dhe për gjithë ato që lidheshin me jetën tonë të përditshme në fshat. Pas pesë minutave nga fillimi, u qetësova plotësisht dhe m’u duk vetja i barabartë në bisedë më të. Madje, harrova edhe Mehmet Shehun, që e kisha në të majtë dhe u ktheva plotësisht nga Komandanti, me të cilin e kurdisa muhabetin, sikur të ishte miku apo bashkëfshatari im.
Kur mori vesh për vrasjen e vëllait nga bandat reaksionare, më ngushëlloi, e pastaj më pyeti se a ka lënë fëmijë vëllai. Dhe unë i tregova.
-Kur të rritet djali i vëllait, dërgoje patjetër në shkollë. Në cilën shkollë që të dëshirojë. Nëqoftëse nuk ta plotësojnë kërkesën, eja në Tiranë e më tako mua, ose më shkruaj letër, – përfundoi ai dhe më shikoi drejt e në sy.
Por Preng Bruçi nuk pati nevojë të shkonte në Tiranë tek Komandanti, e as t’i shkruante letër. Nipin i tij e djalin e Dëshmorit, Partia e Pushteti i Popullit e dërgoi në shkollën që deshi, doli kuadër (oficer) dhe madje u bë edhe anëtar i Partisë që udhëhiqte vetë Komandanti.
(Fragment nga libri: “Kulla në cep të pyllit Bruçe”)


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
