GJURÇIN KOKALLA – RILINDËSI SHQIPTAR NGA REKA E DIBRËS

16
May
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Dëshmi historie
I SHPALLUR PRINC ME FERMAN NGA SULLTANI, NDËRTOI KISHA DHE XHAMIA, E RIMËKËMBI MANASTIRIN E SHËN GJON DIBRANIT NË MBIGUR TË REKËS, I MBROJTI BANORËT E KRISHTERË VENDËS DHE KISHAT E TYRE NGA NDIKIMI KULTUROR E FETAR GREKOMADH
(Për jetën dhe veprimtarinë e këtij rilindësi, humanisti dhe krijuesi, për Princin e Rekës së Dibrës, historiani i shquar Aleksandër Matkovski e ka mbrojtur disertacionin e parë të doktoraturës nga Maqedonia, në fushën e historisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, më 1957.)
Gjurçin Ilia Kokalla, i quajtur edhe Gjurçin Kokale (1775 – 1863), një nga rilindësit dhe veprimtarët e parë të lëvizjes shoqërore në Maqedoni nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ai ishte një pronar i madh tokash, blegtor dhe tregtar, i njohur edhe si Princ i rajonit të Rekës (Mijakisë). Është autor i tekstit të parë autobiografik në gjuhën popullore, në sllavishten kishtare, me titull “Ndëshkimi”.
Gjurçin Kokalla (nga autorët sllavë njihet si Kokaleski), lindi në 1775, në Lazaropole (Fusha e Lazërit). Në rininë e tij mësoi disa zanate dhe filloi të merrej me blegtori u bujqësi. Më vonë, ai themeloi një koperativë (1801) dhe ishte ndër organizatorët e parë të një kooperative të prodhimit blegtoral.
Ai ishte përfaqësues i industrisë për përpunimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale dhe ishte pronar i madh tokash, merrej edhe me kamatë (huadhënie) dhe tregti. Në planin shoqëror ishte një mbrojtës i të krishterëve vendës dhe luftëtar e paepur kundër ndikimit politik, kulturor dhe fetar grek.
Kokalla, për shkak të ndikimit të madh që kishte në vendin e tij dhe në rajonin më të gjerë, u prit nga Sulltani, nga i cili mori lejen për të ndërtuar një kishë dhe një xhami, për të mbajtur gjithmonë armë. Ai morri dhe një ferman nga Sulltani, me të cilin rregulloheshin taksat në zonën e tij.
Përveç kësaj, është ruajtur edhe fermani me të cilin ai mori të drejtën ligjore për të qenë Princ dhe komandant ushtarak në zonën e tij, për ta mbrojtur atë nga ndikimet e huaja të jashtëligjshmit dhe u pranua për anëtar në asamblenë krahinore.
Në vendlindje financon ndërtimin, meremetimin dhe furnizimin me libra kishtarë, kishën e “Shën Gjergjit” në Lazaropole, ku u themelua shkolla e parë fillore e Lazaropolit, më 1841.
Ai ndërtoi edhe një xhami në fshatin Ber të Libanovës, rreth Gjirit të Selanikut, e ndihmoi rindërtimin e manastirit “Shën Mëria” afër Kërçovës, e ndihmoi financiarisht dhe mëkëmbi manastirin “Shën Gjoni” i Mbigurit, si dhe ndërtimin e tempullit në fshatin Rosok (1836). Ai e kishte fronin e tij në kishën e Lazaropolit ku banonte dhe lutej rregullisht.
Ndërroi jetë në vitin 1863, në Lazaropol dhe u varros në oborrin pranë altarit të kishës mëmë me kërkesë të popullsisë vendëse. Ai mbahet mend edhe si hero në këngët dhe traditën popullore të banorëve vendës, të shqiptarëve të krishterë dhe të besimit islam në Rekën* e Dibrës (krahina e Lumës).
(15 maj 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk