GJURMËT E QYTETIT ANTIK ABRI (ABRITUS) NË BULLGARINË E SOTME

28
May
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime
Mbetjet e qytetit më të madh, nga periudha Antike, me emrin e fisit ilir Abri* ndodhen në Bullgarinë e sotme, brigjet jugore të lumit Danub (Istria), në rajonin ku ndodhej edhe një qytet antik i Dardanisë me emrin Artana, sikurse edhe disa qytete të tjera me këtë emër në Gadishullin Ilirik.
Ja se çfarë kanë thënë studiuesit e derisotëm për këtë qytet të lashtë ilir në Trakinë veriore, në shtetin e sotëm i Bullgarisë:
Abritus (Abrittus) ishte një qytet i rëndësishëm romak, i fortifikuar me mure gjigante dhe një nga qendrat më të mëdha urbane në provincën e Mezisë së Poshtme. Gërmadhat e mbetura të këtij qyteti të lashtë edhe sot gjenden në Parkun Arkeologjik të qytetit Razgrad në Bullgari.
Një vendbanim ilir i Trakisë, nga shek. III-IV para erës sonë është gjetur në bregun verior të lumit Beli Lom (Lumi i Bardhë) dhe një vendbanim i hershëm romak e zgjeroi atë në fund të shek. I, ose në fillim të shek. II të erës sonë.
Besohet se, në fund të shek. I të erës sonë në vendin e qytetit të mëparshëm ilir u ndërtua një kamp ushtarak romak dhe në shekullin e dytë u vendos këtu Cohors II Lucensium i Legio XI Claudia (me bazë në Durostorum, qyteti i sotëm Silistra në Bullgari).
Në vitin 251 gjatë pushtimeve gotike, romakët pësuan një disfatë katastrofike, të pasuar edhe me vdekjen e perandorit Decius dhe djalit të tij Herennius Etruscus në Betejën e Abritus, e cila u zhvillua rreth 15 km në veriperëndim të qytetit Abritus, në luginën e lumit Beli Lom (Lumi i Bardhë- Lumbardh), në jug të fshatit Dryanovets (Drenovë-Drenovec).
Fortifikimet me mure masive, 3 m të trasha dhe 12 m të larta, u ndërtuan rreth qytetit në bregun jugor të lumit, në vitet 320–330 nën sundimin e Konstandinit të Madh (dardan), me sa duket për mbrojtje nga sulmet e popujve “barbarë”.
Sidoqoftë, muret nuk mund t’i rezistonin shkatërrimit të qytetit në Luftërat Gotike, në vitet 376-8, në 447 nga Hunët dhe në vitet 480 përsëri nga Gotët. Çdo herë që qyteti rindërtohej, dhe në shekujt 5-6, Abritus ishte një nga qytetet më të mëdha në provincë dhe selia e një peshkopate të rëndësishme për rajonin më të gjerë.
Portat e qytetit dhe rrugët në drejtim të tij u forcuan dhe siguruan nën Justinianin e Madh (527–565) për të ofruar siguri më të mirë.
Megjithatë qyteti u shkatërrua nga sulmet e Avarëve në vitin 586.
Më vonë, mbi gërmadhat e qytetit antik Abri-Abritus u ndërtua një vendbanim mesjetar bullgar, i cili ekzistonte deri në shek. X të erës sonë.
Gërmimet e para arkeologjike në gërmadhat e këtij qyteti antik u kryen në vitin 1887 nga Ananie Yavashov, ndërsa gërmimet më të plota u kryen që nga viti 1953.
Shihni gjithashtu: Beteja e Abrit-Abritusit.
* Abroi (greqishtja e vjetër: Ἄβροι) ishin një fis ilir. Ata mund të kenë qenë një fis verior përbërës i grupit më të madh të Taulantëve, në bregdetin Adriatik të Ilirisë jugore (Shqipëria e sotme).
Fisi përmendet nga Hekateu i Miletit (shek. 6 p.e.s.), në fragmentin 69 të Periodos ges, të cituar nga Stefani (Stephanus) i Bizantit (shek. VI e.s.). Emri i fisit është regjistruar në greqishten e lashtë si Ἄβροι” – Abroi.
Emri i tyre mund të ketë qenë në të vërtetë Arboi pasi Abroi mund të jetë prodhuar nëpërmjet një metateze, një procesi tjetër gjuhësor ose një keqinterpretim nga Hekateu i emrit të tyre me termin në greqishten e lashtë “Abros”, për ta përshtatur më mirë me greqishten. Emri Arboi lidhet me Albanoi ilirë, të cilët dëshmohen në të njëjtën zonë në shekullin II të e.s.
(28 maj 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk