Guaja Therandase, oksigjen i domosdoshëm për Atdheun

01
Apr
2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shkruan: Afrim Morina

Kumtesë

Të nderuara organizatore të kësaj tribune, që i ka munguar jo vetëm Therandës, por, të gjitha trevave të Shqipërisë së robëruar!

Të nderuar të pranishëm!

Në tërheqjen e mjeteve për të burgosurit politikë, në Regulloren e parë ishte paraparë që, ata që nuk kishin fletëlëshime, të dëshmonin përmes dëshmitarëve. Menjëherë, pas kësaj Rrgulloreje, nxirret e dyta, ku, kërkohej të jenë bashkëvuajtës të dënimit, e, jo dëshmitarë. Unë, në takim, në selinë e komisionit, u thashë: Kjo qenka më e lehtë dhe menjëherë po ua sjelli një dëshmi të gruas. (sqarim, bëhej fjalë për dëshminë e burgimit të katërt). Ai që e kishte hartuar Rrregulloren, m’u drejtua: “Tallesh, me ne? I them: Jo. Ajo ka vuajtur më shumë se unë, se, barrë e ka pasë të kujdesej për fëmijët, për veshmbathjen e të gjithëve, pra, edhe timen, përgatitjet dhe udhëtimet për vizita, etj., për çdo dy javë. A nuk ka vuajtur ajo më shumë se unë, për dy vjetë e gjysmë (2.6)?
Këtë kumtesë, e fillova me këtë shembull, për të dalë te tema bosht, që do ta trajtojë.
Therandasit, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë pjesë aktive e zhvillimeve politike, të luftës ilegale, kundër pushtuesit serbosllav. Nëpër të gjitha kohët ka pasur të vrarë, e, të burgosur, të përndjekur e të persekutuar. Përveç kësaj, ka pasur edhe epoka, kur kanë vuajtur si kolektivitet, si ajo e grumbullimit të të mirave materiale, “tepricës”, të domosdoshme për ushqim, i njohur si “Otkup” (viti 1949) dhe aksionin e marrjes së armëve vetëm shqiptarëve.(viti 1956)
Në të gjitha këto kohë, nënat, gratë dhe vajzat kanë bashkëvuajtur me të bijtë, me burrat dhe me vëllezërit e motrat e tyre dhe kjo ka bërë, që urrejtja kundër armikut të shtohet dita-ditës, dhe, këtë urrejtje e kanë përcjellur te fëmijët e tyre.
Me hapjen e shkollave të mesme, viti shkollor 1966/67, normalja dhe gjimnazi, u jepet mundësia që edhe vajzat therandase ta kenë mundësinë e shkollimit, sepse, deri në atë kohë, të pakët kanë qenë ata që kanë pasur mundësi t’i dërgojnë për shkollim vajzat e tyre, në Prizren, si qendër më e afërt. Kjo është edhe koha kur vajzat filluan të merrnin mësime, edhe ilegale, për historinë, kulturën, pasuritë nëntokësore dhe ato mbitokësore, që kishin territoret shqiptare, të pushtuara trefish. Sidomos, viti gjashtëdhjetëetetë, ishte vit i vetëdijësimit, për të gjithë, e, në vaçanti, për femrën therandase. Duhet ta kujtojmë Fatime Bajraktarin-Muçaj, që qëndisi flamurin, i cili valoi me gjashtë Nëntor të vitit 1968, në Therandë. Që nga ajo kohë, të dyja gjinitë u përafruan në bashkëveprim ilegal, kundër pushtuesit.
Siç e thash edhe më herët, ato ishin bashkëvuajtëse, qoftë për përkujdesjen e fëmijëve, në përgatitjen e paketave higjienike, e, herë-herë, edhe të detyroheshin të bënin vizita, nëpër burgje, pa pasur mundësi të shoqëroheshin nga një mashkull. Nga organizatorët është kërkuar limitimi i kohës, mu për ketë, nuk po përmend emra, se, janë shumë. Por, për ilustrim, po e marr gruan e Shaban Mazrrekut, Hidajetën. Pas tri vjetësh, pa e ditur familja se ku ishte Shabani, vjen një pako, me rrobat e tij, dhe kumtimi me gojë, se Shabani kishte vdekur. Hidajeti i këkon vjehrrit të vet, që ajo ta hapte pakon. E hap pakon dhe e gjen një faculetë të palosur, shenjë që Shabani i kishte thënë, nëse të vijnë rrobat, çkado që të thonë, nëse e gjenë faculetën të palosur, unë jam gjallë. Ajo, menjëherë, i tregoi vjehrrit se burrin e kishte gjallë dhe ashtu ndodhi.
Mirëpo, përballja me udbashët, e femrës therandase, ndodhi në vitin 1979, me burgosjen e Ibrahim Shalës etj., që bashkë më ta arrestohen edhe Fadilete Shala me disa shoqe, që kaluan 72 (shtatëdhjetëedyorët) e “bisedës informative”, pra, fazën më të vështirë të hetimeve. Ky rast do t’i mobilizojë edhe më tepër vajzat therandase, që marrin guximin më të madh për të vepruar, bashkë me shokët e tyre. Filloi të bëhet një angazhim kolektiv, në të ardhmen, për përballje me armikun.
Viti 1981 do të jetë vit i fillimit të revolucionit, dhe, që në ditët e para, therandaset do të gjenden përkrah burrave. Në demonstratat e 25 Marsit, në Prizren, do të burgoset edhe Nexhmije Demiri, bashkë me disa shokë të tjerë.
Për të burgosurit e parë, propaganda serbe, e artikuluar përmes shqipëfolësve shqiptarë, për t’i frikësuar të tjerët, tregonin për torturat më çnjerëzore, që u bëheshin, sidomos, femrave shqiptare. Në këtë propagandë përflitej edhe për Nexhmijen. I dashuri i saj, Ismail Morina, tash i ndjerë, veteran i UÇK-së, më tregon, se me Nexhmijen kishin një lidhje dhe kërkoi mendimin tim. E sygjerova t’i tregonte babës së vet dhe ta lajmëronte familjen e Nexhmijes. Ashtu edhe ndodhi, se Nexhmija më të lehtë e ka pasur kohën e kaluar në burg.
Nuk do të ndalem veç e veç për angazhimin femrave therandase në jetën organizative, të rezistencës kombëtare dhe, besoj, se janë të shumta, që më vonë do të bëhen edhe flakadane të lirisë, jo vetëm në Therandë, por kudo që i ka sjellur jeta.
Duhet veçuar, pjesmarrjen e therandaseve, në organizmin e demonstratave të vitit 1989/90, të cilat ishin shumë të organizuara, qoftë në barrikada, qoftë në dhënien e ndihmës mjekësore dhe bartjen në vende të caktuara për trajtim shëndetësor, të plagosurve nga plumbat e armikut apo të lënduarve, nga shkopinjtë, grushtat, e shqelmat e xhakatarëve. Nuk mundem pa e theksuar, se, ato, u jepnin kurajo demonstruesve, me këngë kushtrimi. Fjala është për “Rrugën e Reshtanit”, që kishte marrë këtë epitet, për shkak të masivizimit, ku do të digjet një “Pizgauer” i ndërlidhjes, ishte tentuar djegia e dy autoblindave, si dhe plagosja e disa demonstruesve, ku do të vritet edhe Melit Kryeziu. Në gjithë këtë, vajzat therandase shpërndanin oksigjen, përmes këngëve revolucionare, për të larguar nga mushkëritë e demonstruesve, helmues e lotësjellës, që ta kishim trurin më të kthjellët, për ditët dhe vitet në vijim të rezistencës kombëtare. Besoj se, kësaj ia kanë dalë me sukses dhe vazhdojnë edhe më tej ta kenë këtë motiv pune e kushtrimi.
Familjet therandase, të përsekutuara, edhe para LDB, por, sidomos, pas ngjarjeve të vitit 1981, filluan të miqësoheshin ndër vete. Kjo bëri që të zgjerohej rrethi i veprimtarisë, edhe jashtë komunës tonë, qoftë brenda territoreve kombëtare, por, edhe në mërgatë. Kjo mundësoi që ato të jenë prezente gjatë viteve të nëntëdhjeta, sidomos, në pajtimin e gjaqeve, plagëve e ngatërresave, në përgatitjen e luftës së armatosur të UÇK-së, UÇPMB-së dhe UÇK, që e dëshmuan edhe me vetëpjesmarrjen e tyre.
Angazhimi i femrës shqiptare therandase, krah shqiptareve të tjera, nëpër të gjitha kohët, qoftë si bashkëvuajtëse, qoftë si vuajtëse të drejtëprdrejta, në të gjitha vlimet e rezistencës kombëtare, duhet të na motivojë për të ardhmen, e, një angazhmni për një Nëntor të tretë.

Prishtinë, 01. 4. 2023

P.S.
Nuk kam pasur mundësi të marri pjesë, për shkak të një ndërhyrjes kirurgjke në njërin sy

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk