Shkruan: Gjon Bruçi
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Batuta e mësipërme ka qenë përdorur për kapter Muçon, i cili u vesh në ushtri dhe mori detyrën e magazinierit të ushqimeve të repartit ushtarak. Ishte depoja më e “kompletuar” me ushqime të të gjitha llojeve, ndaj dhe Muçua ynë, me njërën dorë furnizonte me ushqime kuzhinierin e repartit, me tjetrën çantën e tij të shpinës, të cilën e dërgonte mbasdite në shtëpinë e tij. Shokët, që ia kishin kuptuar “lojën”, sa herë e takonin Muçon, e përshëndesnin me batutën: “Ha Muço, pi Muço”, shoqëruar me ironi të dukshme. Por pas disa muajsh, shakaja e shokëve doli e vërtetë dhe Muço ynë e pa veten në shtëpinë pa qera.
Pa dyshim, çdo kohë ka “Muçot” e saj, por “Muçot” më të mëdhenj na i paska Demokracia borgjeze. Dhe këtyre të fundit, megjithëse e tejkalojnë me qindra e mijëra herë “Muçon” e dikurshëm, nuk u hyn gjëmb në këmbë.
Këtu më poshtë po sjell dy vendime të Këshillit të Ministrave të datës 24 Mars 2023, për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Presidentit të Republikës, zotit Bajram Begaj dhe të Këshilltarit të tij, zotit Klement Zguri.
I pari, Presidenti I Republikës, ashtu siç e pamë edhe në takimin me Presidentin e Azerbajxhanit, kishte dorën e djathtë të fashuar. Sipas njoftimit, kishte bërë një operacion në dorë sepse kishte patur “një tendinë”! Ndonëse nuk thuhet se ku e ka bërë ndërhyrjen në dorë, me VKM i akordohet një ndihmë prej 600 mijë lekësh (6 milion lek të vjetra) për mbulimin e shpenzimeve të ndërhyrjes. Me siguri, jo në spitalet tona, sepse aty operimet bëhen falas
I dyti, këshilltari i presidentit, Klement Zguri, me VKM i jepet shuma prej 1 milion e 200 mijë lek (12 milion lek të vjetra) për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit (se çfarë mjekimi nuk thuhet).
Presidenti ynë, kur mori detyrën e lartë, na tregoi se përveç të ardhurave “bajagi të mira” nga pagat e tij e të bashkëshortes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në KLSH; përveç të ardhurave nga leksionet, kumtesat dhe konsultat në universitetet dhe spitalet private, ka në dispozicion edhe një dyqan të blerë në Tiranë; një klinikë mjekësore private në Tiranë; tri apartamente të blera apo dhuruara nga të afërmit në Tiranë; disa metra katëror tokë të blerë apo të përfituar nga ligji “famëmadh” 7501, në Lundër, në Kashar dhe në Gosë të Kavajës; dhe 1/3 e një objekti ushtarak në Llogara, marrë gratis; plus rrogën e tanishme jo të pakët të presidentit.
Duke patur një status të tillë, pse u dashka që për një operacion jo të rëndë, i cili me siguri mund të realizohej në spitalin ku ka shërbyer presidenti, të akordohen 6 milion lekë nga fondi ynë i përbashkët i sigurimeve shoqërore?!
E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe për zotin Klement Zguri, i cili, po të mos ishte në pozicionin e këshilltarit të Presidentit, askush nuk do të ishte kujtuar ta mbështeste më 12 milion lekë të vjetra për mjekime shëndetësore të paspecifikuara.
Një pyetje interesante mund të bëhet edhe për ata që propozuan dhe miratuan në detyrën e Presidentit, një zotëri që siç duket ka patur probleme shëndetësore. Mos vallë propozuesit dhe votuesit socialistë, me kandidaturën e tyre presidenciale, kishin synim të dublonin sivëllezërit e tyre demokratikas, që kur ishin në pushtet zgjodhën për kryetar shteti, të ndjerin Nishani, edhe ai me difekte në dorë e parakrah?!
Për të mos pyetur Presidentin aktual, i cili, duke qenë vetë i sëmurë, edhe këshilltarin e zgjodhi me probleme shëndetësore . . . ! ! !
Për transparencë, këtu më pohstë po japim të plotë dy VKM për rastet e mësipërme:
VENDIM *
Nr. 175, datë 24.3.2023
PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. BAJRAM BEGAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Bajram Begaj, në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
….
VENDIM *
Nr. 176, datë 24.3.2023
PËR MBULIMIN E PJESSHËM TË SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. KLEMENT ZGURI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të z. Klement Zguri, në masën 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) lekë.
Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!