Hasan Tahsini – hoxha i dritës në agun e Rilindjes

23
Mar
2026
Shkruan: Dejona Mihali
Hoxha Tahsin qëndron ndër ne si figura e hoxhës që nuk i trembej dritës së arsyes.
Ai punoi në një kohë kur Perandoria dridhej mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe pikërisht në këtë dridhje ai u bë urë. Hoxhë me formim klasik në medrese, por njëkohësisht i dërguar në Paris për të përthithur mendimin modern evropian, ai mbarti brenda vetes një tension krijues që rrallë i jepet një njeriu: të pajtojë qiellin e fesë me universin e shkencës duke themeluar mes nesh modelin me të cilin krahasohet secili që e kryen këtë detyrë.
Hasan Tahsini lindi më 7 prill 1811 në Ninat të Çamërisë. U formua si hoxhë në Stamboll dhe studimet në Paris i hapën horizontin e shkencës dhe filozofisë moderne. Si rektor i parë i Universiteti i Stambollit, futi metodën shkencore në arsimin osman, duke treguar se feja nuk mbyll mendjen, por e ndriçon atë.
Shkroi vepra si “Bazat e astronomisë”, “Kubeja astronomike”, “Pasqyra e rruzullimit”, “Sekretet e ujit dhe të ajrit” dhe “Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit”, ku shkenca dhe shpirtëria trajtohen me arsyen si udhërrëfyes.
Nga ligjëratat e tij dolën figura kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Vaso Pashës dhe Ismail Qemali, të cilët vendosën idenë kombëtare mbi çdo dallim fetar dhe e lidhën atë me edukimin dhe gjuhën shqipe.
Eksperimentet e Tahsinit mbi natyrën u panë me dyshim nga konservatorët, por ai tregoi se kërkimi shkencor dhe feja nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin. Studentët e tij, edhe hoxhallarë të Rilindjes, përdorën dijen për të organizuar komunitetet dhe për të përgatitur rrugën drejt shtetit të pavarur, që më vonë u konkretizua me themelimin e Komunitetit Mysliman i Shqipërisë më 1923 duke u shkëputur nga Kalifati osman.
Hoxha Tahsinit në ditë Bajrami ia thërrasim emrin si reflektim mbi pastrimin e shpirtit dhe ndriçimin e mendjes. Mbi hoxhën që e pa dijen si çlirim, fenë si mjet edukimi dhe kombin si detyrë historike. Shembull për secilin që e ndjek këtë rrugë ndër shqiptarë kudo.
Ai mbeti hoxhë i dritës, që tregoi se dijetarët e besimit i shërbyen themeleve të vetëdijes kombëtare dhe se nuk ka asgjë mbi këtë tokë më të vyeshme se puna për atdheun dhe gjuhën shqipe.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/03/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk