HEROIT TË POPULLIT VASIL SHANTO!

02
Feb
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
1944 – 1 SHKURT – 2023
79 vjetori i rënies së

Më 1 shkurt 2023, pranë monumentit të Heroit të Popullit, Vasil Shanto, në Vrakë të Malësisë së Madhe, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule me rastin e 79 Vjetorit të rënies së heroit. Morën pjesë anëtarë dhe simpatizantë të Organizatave të Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve, të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, pushtetarë vendorë, përfaqsues të partive politike, si dhe nxënës e mësues të shkollës së Vrakës. Takimin e hapi Kryetari i Organizatës së Dëshmorëve për Malësinë e madhe, Mark Luli.
Pas vendosjes së kurorave, përshëndetën të pranishmit: Nënprefekti i Malësisë së Madhe, Hysen Hysa; Nënkryetarja e Bashkisë së Koplikut, Brunilda Isufaj; Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Malësisë së Madhe, Isuf Hebaj; Kryetarja e Këshillit të Bashkisë së Shkodrës, Briselda Truma; Kryetari i Komitetit të Veteranëve për Shkodrën, Zamir Llazani dhe Kryetarja e Organizatës së Dëshmorëve të Shkodrës, Dhurata Tyli. Në emër të Partisë Komuniste të Shqipërisë, përshëndeti Gjon Bruçi.
Takimi u pëcoll me një program të shkurtër artistik nga nxënësit e Shkollës së mesme të Vrakës, dhe u mbyll me një koktejl në një nga lokalet e zonës, sponsorizuar nga Kryetari i Bashkisë së Koplikut.
FJALA E PËRFAQËSUESIT TË PARTISË KOMUNISTE
Të nderuar pjesëtarë dhe simpatizantë të Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut për Shkodrën dhe Malësinë së Madhe!
Është nder dhe privilegj i madh të kesh mundësinë të bësh homazhe e të vendosësh kurora me lule pranë shtatores së Heroit të Popullit, Vasil Shanto.
Punëtori Vasil Shanto, pasi kishte përqafuar idealet komuniste dhe ishte i bindur se “Komunizmi duhet me patjetër te ekzistojë në Shqipëri”, bindje të cilën ai e kishte formuar nga vuajtjet e klasës punëtore, në datën 8 Nëntor 1941, së bashku me të riun komunist, Qemal Stafa, iu bashkuan Enver Hoxhës dhe komunistëve të tjerë në Themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, parti e cila organizoi dhe udhëhoqi me sukses të plotë LANÇ, Epopenë më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar.
Qysh në ditët e para të organizimit të Partisë Komuniste dhe të LANÇ, dolën në pah vetitë, virtytet dhe aftësitë e punëtorit komunist, Vasil Shanto, si organizator dhe drejtues politik e ushtarak. Ishin pikërisht këto veti e virtyte të larta, që Partia Komuniste dhe Udhëheqësi i saj Enver Hoxha, e deleguan Vasilin në Qarkun e Shkodrës, për të organizuar e drejtuar Luftën Çlirimtare, detyrë të cilën ai e realizoi me përkushtim e militantizëm komunisti, gjer në frymën e fundit, kur ra heroikisht në ndeshje të drejtpërdrejtë me fashistët dhe mercenarët e tyre vendas. Vasil Shanto bëri Epokë në Shkodër, ndaj dhe populli i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë e konsideroi dhe e konsideron njërin nga Heronjtë më të lavdishëm të LANÇ të popullit shqiptar.
Të nderuar të pranishëm!
Për 46 vjet me radhë në kohën e Socializmit, në datën e rënies së Heroit, para shtatores së tij kanë bërë homazhe e vendosur buqeta me lule dhjetra e qindra pushtetarë, Veteranë e pasardhës të veteranëve, pasardhës të familjeve të Dëshmorëve, punëtorë, fshatarë, studentë e nxënës të shkollave, e deri tek fëmijët e kopshteve, me synimin të nderojnë veprën e Heroit, por edhe të marrin lavdi nga Lavdia e tij e përjetshme.
Për fatin tonë të keq, në 33 vitet e fundit, kur pushtetin e popullit e kanë rrëmbyer borgjezët e vjetër e të rinj, ceremonitë kushtuar LANÇ dhe Dëshmorëve të saj, janë lënë vetëm në dorë të veteranëve dhe organizatës së dëshmorëve, pa pjesëmarrjen e pushtetarëve, ose më pjesëmarrje formale, përjashtur rastet kur këto evente historike, koncidojnë në periudha të fushatës elektorale, kur kërkohen vota për pushtetin qendror e vendor. Ky qëndrim indiferent, gjer në harrim, kostatohet qartazi, sidomos në detyrimin e pushteteve qendrore e vendore në ruajtjen dhe mirëmbjatjen e simboleve të LANÇ.
Siç tashmë e dimë, Partia Demokratike me bishtrat e saj të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, tamam si një repart nazifashist i viteve 1939 – 40, nuk e njohin LANÇ dhe Dëshmorët e Heronjtë e saj. Por edhe “poli” tjetër i pluralizmit politik borgjez, me germat nisëtore PS, sidomos mbas dublimit të emrit me emërtimin “Rilindje” (që rezultoi Rivdekje), ka qenë dhe është në të njëjtat ujëra të zeza me simotrat e “demokracisë” borgjeze. Ndonëse ajo deklarohet në mbrojtje të LANÇ dhe gjakut të Dëshmorëve, realisht këto evente i ka kaluar në “aneksin e harresës”!
Shihni Monumentin e Heroit të Popullit, Vasil Shanto, i cili është ngritur para gjysëm shekulli, por erozioni i kohës, ndihmuar edhe nga dora e zezë e antishqiptarëve, e ka kthyer si të ishte një objekt arkeologjik i shekujve të kaluar, harruar prapa shtëpive, pemëve e ferrave, ndonëse gjendet jo më larg se 20 metra nga rruga nacionale. Çfarë mund t’i themi një turisti të huaj, kur të shohë këtë monument të pa mirëmbajtur të Luftëtarit Vigan të Luftës së Dytë Botërore, me emrin Vasil Shanto?! Dhe ky, nuk është vetëm një rast. Në të gjithë vendin, shumica e varrezave të Dëshmorëve, janë katandisur si varreza të mesjetës, për të mos bërë fjalë për lapidarët, pllakat përkujtimore dhe simbolet e tjera ë LANÇ, të cilët janë zhdukur, sa askush nuk e din se ku kanë qenë vendosur!!!
Pse ka ndodhur e ndodh kjo?
Shumë e thjeshtë përgjigja: Sepse Neofashizmi ka kohë që ka ardhur në vendin tonë. Jo me armë e helmeta të hirta, e as me pupla të zeza këndezi, por me fjalë dhe vepra, tashmë të hapura, për çvlerësimin e LANÇ, Epopesë legjendare të historisë sonë.
Ndaj, unë po e mbyll fjalën time, duke brohotritur:
LAVDI LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONAL ÇLIRIMTARE!
LAVDI HEROIT TË POPULLIT, VASIL SHANTO!
Por njëherësh, do të thërras fort, edhe përshëndetjen e partizanëve:
VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk