HEROIZMA MADHËSHTORE QË KANË LËNË GJURMË TË THELLA NË HISTORINË TONË TË RE!

25
May
2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shkruan: Fadil Shyti

Duke lexuar librin e luftëtarit të lirisë, Rexhep Ahmeti
“Kujtime nga lufta e UÇK-së I
Kreshniku i Zhabarit – Ajet Mahmut Uka”.
Prishtinë, 2021

Pjesa e tretë:

“Motër, nëse i mbijetoj kësaj lufte, do t’i çliroj një nga një tokat shqiptare”.
Bekim Berisha, i kishte thënë motrës së tij, Zyrafete Berishës.

Motoja e librit të kujtimeve:

“Këto kujtime ia kam pasur borxh ” Abesë” – Bekim Berishës. Atij i kemi shumë borxhe, jo vetëm unë, por tërë Kosova dhe Shqipëria. Bekim Berishë më nëna nuk lind!” – përfundon me lot në sy rrëfimin e tij pothuaj me shkrehje në vaj burri, ushtari besnik i “Abesë” kreshniku i kësaj ane, Ajet M. Uka.
Ose
“Qysh po munden disa me shkelë mbi gjithë atë gjak edhe me e çue veten kaq “nalt”?!…

-Siç shkrova në fillim të kësaj analize modeste, Bacë Ajeti për shkak të moshës, kishte ca pengesa të pranohej ushtar në radhët e UÇK-së, mirëpo me vendosmërinë e tij dhe mirëkuptimin e komandantëve Bekim Berishës “Abeja” dhe Bedri Shalës, ato i kaloi. -Tani e tutje , vullnetari i pathyeshëm i lirisë, do të ndeshej me sfidat e mëdha të LÇ-re.
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në raport me numrin e ushtarëve që prej fillimit të luftës nga Jasharajt legendarë, i mungonte armatimi. Armatimi me shumicë, mund të sigurohej vetëm në shtetin tonë amë, në Shqipëri.
Duheshin përballuar sakrifica të mëdha gjatë rrugës. Jo vetëm peshën e armëve që nga automatikët, bombat, mitrolozët dhe topat, por mbi të gjitha ishte rreziku duke kaluar kufirin shqiptaro
-shqiptar. Armiku, shpesh kishte zënë prita, kishte minuar rrugët dhe duhej vigjilencë, për çdo çast mund të fillonte lufta frontale. Të gjitha këto i kishin në dijeni prijësit ushtarakë shqiptarë, ushtaret trimëresha dhe ushtarët trima. Janë të njohura shumë konfrontime , beteja të përgjakshme të UÇK-së, rreth kufijve me ç’rast kanë rënë shumë dëshmorë.
Pa harruar të theksoj faktin që edhe forcat armike kishin humbje në “Njerëz” dhe armatime.
Më 29 qershor 1998, me Komandantët legjendarë, Bekim Berishën, “Abenë”, me Bedri Shalën, Rasim Kiçinën e të tjerë, ishin nisur drejt Gllogjanit heroik, për të marrë armë në Shqipëri.
Gjatë rrugës “Abeja” komunikonte me Bedriun, ky e njoftonte e Rasim Kiçinën kur duhej të ndalonim dhe kur të marshonim. Ushtarët prisnin, derisa Ay i çmontonte minat që i kishte vënë armiku. Pastaj, kemi marrë urdhër të ecim përpara. Luftëtari i devotshëm, Ajeti me emocione tregon kur e ka kaluar kufirin me shokë për herë të parë.
“Kur e kemi kaluar kufirin shqiptaro
-shqiptar, në një moment “Abeja” tha: “Uluni tani dhe merrni frymë e pushoni! Tash jemi në Shqipëri. Brohoritëm, por jo me zë të madh. “Thërrisni me zë të lartë!”
-tha “Abeja”. Këtu jemi në tokën e lirë shqiptare. Ajo pjesë prej nga vijmë, është gjymtyrë e kësaj toke, por e robëruar. Ne, do të bëjmë çmos, madje edhe me gjakun e jetën tonë që ta çlirojmë e ta bashkojmë me Nënën Shqipëri!”.
-Në këtë intervistë, Baci Ajet ka rrëfyer kujtime të rënda ku tregon për qëndresën e ushtarëve tanë përballë forcave armike serbo-çetnike, tregon sesi i ka ndihmuar shokët në vijat e fronteve, sesi ka shkuar në Tropojë me dhimbjen e madhe për shokët e plagosur e të vrarë të cilët i kemi tërhequr dhe trupat e tyre asnjë nuk i kemi lënë në duar të gjakatarëve serbë, tregon sesi ka shkuar me rroba krejt të përgjakura, aty motrat tona trimëresha dhe bujare shqiptare, si ia kanë larë dhe ia kanë tharë rrobat, mbase jo vetëm atij…
-Me respekt të veçantë flet për familjen atdhetare të Abdyl Memiajt, gruaja e tij malësore Sanije Memiaj, e cila ia kishte larë rrobat, kjo familje bujare e kishte kthyer konakun e saj në shtëpi për UÇK-së.
Jo vetëm familjet tropojane, por edhe Shkolla e Mesme e Bashkuar, “Ali Ibër Neza”, ishte kthyer në kazermë për shqipot dhe shqiponjat e lirisë. Atëherë, jo vetëm që thërrisnim ashtu sa mundnim, por prej gëzimit e merrnim dheun e puthnim, shkarraviteshim, e gjuanim dheun lart…”.
-Kështu, rrëfimet emocionuese në çdo kapitull të librit, sikur nuk përfundojnë…
-Marshime të gjata, drejt kufijve shqiptaro
-shqiptarë, luftime me ushtrinë armike, tërheqje taktike dhe nisje përsëri drejt Kosovës me armë të llojeve të ndryshme… Mbresa të thella i ka lënë këtij ushtari të lirisë, pritja vëllazërore e popullit të Tropojës dhe e tërë Shqipërisë nga të gjitha moshat dhe shtresat popullore; ja një kujtim si ky: cilin lexues nuk e bënë që ta ndien fort, afrinë vëllazërore të kombit tonë të një gjaku,
të një gjuhe dhe të një flamuri:
“Hipa në autobus. Isha vetëm dhe i lodhur më shumë nga mërzia. Nuk isha i lodhur shumë fizikisht, por isha i pikëlluar në shpirt, nga ajo që kisha parë e përjetuar. Duke shkuar në Tropojë, pashë sesi më ishin përgjakur rrobat. Ishte gjaku i luftëtarëve të rinj të UÇK-ës. Isha në kllapi, kur sakaq m’u shfaq fytyra e ushtarit të plagosur. Hapa sytë i mërzitur. M’u afrua faturisti dhe kërkoi paratë për biletë. Futa dorën në xhep për të nxjerrë paratë. “Çka po do , o kosovar? -më pyeti me një buzëqeshje të çiltër e respektuar. “Dua të paguaj biletën!”-iu përgjigja. “Jo , tha, nuk kemi bileta për ushtarë të Kosovës!”. Kur më pa të mërzitshëm, m’u ul afër dhe askujt tjetër nuk i dha biletë! I tregova sesi na kishte ndodhur. Kishin dëgjuar edhe ata përmes mjeteve të informimit. I shkuan lotët nëpër faqe e, i pikën në mjekër. Pas pak çastesh më tha: “Mos u mërzit , o vëlla, do të vijë koha dhe do të bëhet shumë mirë!”. Ishte rreth 25 vjeç. Sonte, më tha, do të vish tek unë që të pushosh se je i lodhur e mërzitur shumë”. “Ju faleminderit i thashë, nuk mund të vijë sepse jam duke shkuar te shokët dhe jam tepër i pikëlluar!”.
Shkuam në Tropojë. Hyra në dhomën ku kemi ndenjur. U tubuan ushtarët që kishin mbetur. Erdhi ai (faturisti) i autobusit me gjithë vëlla. Ma kishte marrë emrin. Isha me një shok, Enver Sadikun e fshatit tim, i pandashëm në luftë. Kur hyri faturisti na përshëndeti të gjithëve, duke thënë: unë e di se si duhet. Dëshira ime ka qenë që t’i marrë të gjithë, po këtë Bacën, nëse ma lejoni po e marrë të bujë (me fjetur) sonte në familjen time!” Djaloshin e quanin, Asim Memiaj, ndërsa i vëllai e kishte emrin, Agim Memiaj. Vëllai më i vogël i tyre ishte Adil Memiaj. Të gjithë i drejtuan sytë kah unë. Shokët u çuan e dhanë këtë përgjigje, vëllezërve Memiaj: “Ju faleminderit për respektin që keni për bacën dhe ne të tjerët!
-Po, bën ta merrni në konak Bacën Ajet! Madje, na bëhet qejfi dhe u jemi shumë mirënjohës, për këtë gjest tuajin burrëror dhe vëllazëror!”.
Pastaj, do të vazhdonin sulmet dhe betejat me trupat e ushtrisë serbe.
Rrëfimi i Bacit Ajet, për një sulm të mundshëm mbi një punkt të shkijëve -siç shprehet ay: “Na përgaditi “Abeja”dhe na lajmëroi se të nesërmen do të nisemi për të vazhduar rrugën. Rastësisht, na tha; nëse hasim në ndonjë punkt të shkijëve, jap urdhër që të sulmojmë, përndryshe kthim prapa nuk ka më… Do ta asgjësojmë atë punkt. Duhet të mbajmë distancën n’mes njëri-tjetrit 10-15 metra. Do ta rrethojmë punktin dhe nuk ka kthim prapa me 1500 veta. Pra, duhet zhdukur atë punkt të shkijëve duke qenë të organizuar në 5 rreshta, me të cilët ai e bënte planin, skicat, sesi duhet të jetë: rreshti i fundit, për të dalë i pari, e kështu me radhë. “Abeja” nuk dinte për sprapsje, vetëm përpara. Dhe, kështu vazhduam.
U nisëm me të 1400-1500 vet, u bëmë edhe për së dyti herë. Kah mesi i natës kaluam kufirin. Atëherë, kur mbërritëm në bjeshkët e Junikut, në hyrje të fshatit të parë, (Gjocaj apo Jasiq), na kanë hetuar forcat ushtarake e policore serbe. Na lëshuan minahedhësit. Sakaq e kam dëgjuar zërin e thekshëm të “Abesë”. Njeri, sikur të kishte krahë, e kam parë sikur po fluturonte dhe piskaste në të djathtë e në të majtë, duke na thënë që të shtrihemi përtokë. Nën urdhrat e tij, për fat asnjë ushtar nuk u plagos.
Ishim dikund rreth 1500 ushtarë. U futëm nëpër shtëpi në Gjocaj. U strehuam nëpër bodrumet e disa shtëpive. Forcat serbe granatonin sa mundnin. U futëm në një pllakë betoni diku rreth 400 veta.
-U vranë disa lopë. E kam parë lopën e plagosur rëndë duke shkuar rrëshqanë për t’iu afruar viçit të saj. Aty e kam parë se në ç’zerzele (vështirësi tmerri), ishin edhe lopët. Dikush i tha një plaku. “T’i pastë marrë të ligat!”. Atij iu kishin mbushur të dy sytë me lot dhe shikonte përjashta me dhimbje. E shkreta, edhe ajo ka shpirt dhe po më dhimbset shumë. Me qumështin e saj bëheshim idare…
Lutemi të shpëtojë populli!…
-Dikur u ndalën të shtënat e armikut, sepse edhe “Abeja” i gjuante. Pasi u qetësua pak, vazhduam rrugën për në Junik. Duke ecur hasëm në kufomën e një ushtari të rrethinës. Kishte shumë plagë e me dorën nën kokë. E varrosëm aty. Isha me një ushtar, i cili quhej Hazir Kryeziu. Skaj rrugës pamë dy thasë të mbyllur. “T’i çelim dhe të shikojmë çka ka në ‘ta.!” -i thashë. I hapëm dhe çfarë na panë sytë, o Zot! Kishte gjymtyrë njerëzish të prerë që kriminelët serbë i kishin futur nëpër thasë. Nuk kemi mundur t’i shikojmë nga tmerri. Megjithatë, mblodhëm forcë dhe vazhduam rrugën. Kemi shkuar në Junik. Na u urdhërua që t’i zëmë katër pika. Aty kemi vazhduar luftën çdo ditë me forcat serbe. Natë e ditë ka pasur luftë rregullisht. Bedriu dhe “Abeja” e vendosnin secilin ushtar në pika të caktuara. Kur niseshin drejt nesh tanket për të bombarduar, Abeja jepte urdhrin dhe ne i sulmonim. Kështu, forcat serbe u detyruan disa herë të tërhiqen. Sa kanë qenë gjallë “Abeja” me shokë, forcat ushtarake dhe policore serbe nuk kanë pasur shans të hyjnë në Junik.
Në Junik ka qenë komandant, Niman Tolaj i cili ishte i lidhur me “Abenë”, Bedri Shalën e të tjerë. Aty njëherë, një kohë mjaft të gjatë nuk kemi pasur të plagosur as të vrarë. Edhe ushqimin e kemi pasur të mirë. Banorët e Junikut na këshilluan të mos heqim keq për ushqim. Kafshë shtëpiake kemi mjaft, prandaj i therni aq sa ju duhen, për drekë e për darkë. Me një fjalë, aty i kemi pasur të gjitha me bollëk. Rroba të reja ushtarake kishte pasur mjaft, të mbyllura në qese najloni. Askush nuk i prekte. Pas një kohe luftimet filluan, madje ballë për ballë. Bedriu, në bashkëveprim me “Abenë”, pasi hanin bukë në mëngjes, na i caktonin pikat, ku duhej të bënim roje. Për shkak të djersës, pluhurit etj, rrobave tona u vinte erë e thartë, prandaj i pastronim me radhë. Kishim edhe mjete për vakje (ngrohje) të ujit dhe detergjent. Të gjithë ushtarët kur kishim kohë, i pastronim.

-“Abeja” dhe kolaboracionistët, spiunët e infiltruar në radhët e UÇK-së.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
25 maj 2023
Vazhdon

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk