HESHTJA E ORGANIZATËS SË VETERANËVE TË LUFTËS, QË U BË KRIM

09
Feb
2026
Autor : Lirim Gashi
Organizata e Veteranëve të Luftës nuk heshti rastësisht.
Ajo zgjodhi heshtjen – dhe heshtja e një organizate që duhet ta mbrojë dinjitetin e viktimave të luftës për çlirim, gjithmonë është akt imoral.
Në vitin 2013, kur Hashim Aga e firmosi Asociacioni Monoetnik të Komunave Serbe, ajo ishte aty. Jo si zë, por si hije. Dhe hijet, kur bien mbi themelet e shtetit, nuk janë neutrale: ato e mpijnë ndërgjegjen.
Asnjë ulërimë. Asnjë revoltë. Vetëm një qetësi e trashë, e ngjashme me qetësinë para një varrimi, ku i vdekuri ende merr frymë, por askush nuk guxon ta thërrasë.
Në atë çast, u shkel jo vetëm Kushtetuta, jo vetëm Plani i Ahtisaarit – por edhe ideja se sakrifica ka kuptim.
Dhe kur sakrifica humb kuptimin, lufta kthehet në tregti.
“Krimi më i madh nuk është veprimi i keq, por arsyetimi i tij.”
— (Dostojevski)
Ata heshtën edhe kur të vërtetët u përzien me të rremët.
Kur plaga e luftës u mbulua me dekorata plastike.
Kur burrat që kishin parë vdekjen në sy u detyruan të poshtërohen nga ata që luftën e kishin ndjekur përmes ekraneve televizive, nga divanet evropiane, me valixhe gati dhe ndërgjegje bosh.
Dhe heshtja vazhdoi, sepse ajo u ushqye me para të pista.
Ajo u bë e rehatshme. Ajo u justifikua. Ajo filloi të flasë me vetvetën :
“Ndoshta nuk është momenti.”
“Ndoshta do ta rregullojmë më vonë.”
“Ndoshta po e bëjmë për të mirën e përgjithshme.”
Kështu lind bashkëpunëtori pasiv – njeriu që nuk vret, por i hap derën vrasjes.
Kur u votua Gjykata Speciale, ata ishin sërish aty.
Të heshtur.
Sepse dikush i kishte bindur se drejtësia është selektive vetëm për shokët e Hashimit, por jo edhe për Hashimin.
Sepse sipas trurit të tyre bosh dhe karakterit të tyre kameleon, iluzioni i shpëtimit personal të Hashimit peshon më shumë se e vërteta kolektive, ani pse (pa)njeriu Hashim ishte gati ta shantazhonte dhe korruptonte edhe vetë Zotin, vetëm që të mos shpallej fajtor.
Ata heshtën edhe kur Hashimi kriminelët serbë i nxori nga listat e zeza dhe i vendosi në listat e bardha për ta ricikluar të keqen dhe për ta kthyer në një strukturë krimi, terrori dhe kërcënimi të përhershëm.
Sepse e keqja, kur tolerohet, organizohet më mirë se e mira.
E në fund, heshtën edhe për veriun.
Sepse veriu nuk ishte më territor.
Ishte monedhë.
Monedhë për pazar.
Monedhë për shpëtim.
Monedhë për një llogari personale të Hashimit në bankën e frikës.
Kjo nuk ishte heshtje nga padituria.
Padituria falet.
Kjo ishte heshtje nga interesi.
“Mirëpo në momentin që interesi bëhet busull, morali kthehet në justifikim”.
Historikisht, ata refuzuan të jenë kujtesë dhe pranuan të jenë dekor.
Historia nuk i urren dekorët – ajo thjesht i hedh në kanta të bërllokut.
Edukativisht, ata krijuan një brez që nuk beson më në asgjë.
Sepse kur gjithçka barazohet, asgjë nuk ka vlerë.
Psikologjikisht, kjo është frika e humbjes së privilegjit,
ajo frikë që e shndërron njeriun në roje të vetë burgut të tij.
Politikisht, simboli u kap.
Dhe kur kapet simboli, nuk ke nevojë ta shtypësh popullin – ai vetë-censurohet.
Filozofikisht, heshtja është akt.
Neutraliteti është mit.
Mosveprimi është zgjedhje.
“Nëse nuk flet kur duhet, ke folur tashmë – kundër së vërtetës.”
Etikisht, ata zëvendësuan sakrificën me kalkulimin.
Dhe kjo është forma më elegante e tradhtisë.
Moralisht, ata humbën gjithçka që donin ta ruanin.
Prandaj sjellja e tyre është:
Jo mungesë guximi.
Jo mungesë diturie.
Por mungesë karakteri kolektiv.
Dhe historia – ajo nuk ka nevojë për gjykata speciale.
Ajo dënon pa zhurmë.
Pa apel.
Pa amnisti.
Në fund, mbetet vetëm kjo pyetje e rëndë sa faji i pashlyer:
“Pse duhet të kenë frikë nga e vërteta njerëzit që pretendojnë se e kanë udhëhequr një luftë të drejtë ?”

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/02/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk