HESHTJE IME DHE TREGIMI PËR NËNË TEREZËN

22
Jan
2025
Shkruan: Syrja Etemi

24 VITE MË PARË
(FRAGMENT NGA DITARI IM I LUFTËS 2001)

HESHTJE IME DHE TREGIMI PËR NËNË TEREZËN
(Shkëputur nga Libri im: “Ditarosje nën shurukamën e armëve”)
Fshati im edhe sonte po heshtë… Gjithçka është shndërruar në heshtje… në pritje…thua se asgjëje nuk i vie erë jete!!! As kuisjet e qenve të fshatit nuk ndihen kund…Ç´është me këtë boshllëk që mbështjell çdo skutë? Ç´është duke ndodhur kështu? …Assesi t´i frenoj këto mendime që më sillen vërdallë në kokë si një valë deti e trazuar…
Ufff…sa torturuese më duken këto çaste pritjeje të muzës sime!… Sa rëndë më vie të them se unë në këtë moment jam vetëm një mumje e ballsamosur…
Pagjumësia ime vazhon edhe më tej vallsin e kryeneçësisë së saj të vazhdueshme!…Sa i stresuar që jam!… Sa i pafuqishëm dukem kur po mëtoj të gjej ndonjë fije shkasi për të vazhduar ditarin tim, përkatësisht – të shënoj diç të rëndësishme apo diç që e ka karakterizuar këtë ditë të ftohtë janari… O, zot çfarë terrori?!
…Të gjithë anëtarët e familjes sime bëjnë gjum. Kjo mund të thuhet edhe për familjarët e mi që banonin në katin përdhes. E gjithë lagjia ka pllakosur në heshtjen e natës që për mua paraqitet akoma më jo miqësore e jo dashamirëse, bile edhe vrastare. I kredhur thellë në këtë shtjellë, “fap” më shkoi mendja tek një përllogaritje paksa bizare. Thash me vete: “Të marr me radhë lagjet nga pika më e lartë e vendbanimit tim, e deri në fund të fshatit, (që i përkas edhe unë)!”, për të vazhduar: “Te mëhalla e T. nuk më duket se ka njerëz që, për çdo kushtrim për mbrojtjen e nderit kombëtar, do të përgjigjet në këtë rast!… Hëmmm! Te K., mund të ketë ndonjë… Te Sh. – nuk ka… Te A. mund të ketë ndonjë… Te M.? Padyshim… Tek B. – Vallahi, s’e di si të them…” E, kështu u “ktheva” deri tek H. dhe, “frap” më shkoi mendja tek një rrëfim për Djaloshin që kërkonte mirësinë, rrëfim ky, i cili, përmban këtë mesazh apodiktiv:
“Një djalosh i ri u nis rrugëve të botës për të gjetur MIRËSI. Udhëtoi sa udhëtoi dhe, më në fund u takua me Nënë Terezën.
– Ku je nisur kështu, djalosh? – e pyeti Nëna me butësi.
– Shenjtore, po kërkoj MIRËSI nëpër botë – u përgjigj ai.
– Dhe, a mos e gjete kund?
– E, fatkeqësisht, jo akoma, Nënë e Madhe.
– E di, biri im, bile edhe nuk do të mund ta gjesh kurrë, pa mos iu kthyer vetvetes. Gjeje MIRËSINË në veten tënde, në atë çka mendon dhe çka punon. Atëherë të mirën shpërndaje tek të tjerët, dhe kështu, edhe të tjerët do të japin ty mirësi.
Djaloshi e falënderoi, u kthye në shtëpi dhe bëri ashtu si e porositi Nënë Tereza.
Kështu, unë, simbas këtij rrëfimi, nuk dua të them se në vendbanimin tim ka njerëz të mirë apo jo, por llogaris në njerëz atdhetarë, të cilët janë të gatshëm t’i dalin në krah atdheut në çfarëdo rasti, kur e do nevoja. E, nëse nuk arrij që ta gjej, do të bëhem vet i tillë, sipas porosisë së kësaj Nënës sonë të Madhe”.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk