HIPOKRIZI E PASHEMBULLT ME 21 JANARIN SALINIAN!

24
Jan
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
– gazeta Dita, 23 janar 2023 –
Në çdo datë 21 Janar të 12 viteve (2011 – 2023), Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me një apo dy lule në dorë, përcjellur nga “filat” e tij të kabinetit qeverisës të tri mandateve radhazi, ka bërë homazhe dhe është përkulur në pllakat e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku ende duken shenjat e gjakut të katër qytetarëve, të vrarë nga garda naziskine e Sali Berishës, alias “Arturo – Ui shqiptar”.
Në të dymbëdhjetë rastet, ngushëllimi i tij për të vrarët e pafajshëm, është mbyllur me premtimin se për këtë vrasje makabre, ndodhur në mes të ditës, do të dënohen shkaktarët. Por . . . premtimi i tij nuk është realizuar, sepse, siç e thotë edhe vetë, ai nuk është gjyqtar, dhe se “gjykatësit dhe prokurorët nuk varen nga Qeveria”. Ky (por-i) doli në skenë pas marrjes së postit të Kryeministrit, çka e ç’burrëroi premtimin e famshëm në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, të cilat i siguruan fitoren e mandatit të parë, dhe për inerci, e “shtynë” gjer në mandatin e tretë, e madje kandidat për të katërtin.
Tashmë pas 12 vitesh, homazhe, premtime dhe . . . mashtrime, duken sheshit dy hipokrizi: Hipokrizia qeveritare dhe hipokrizia personale. Për të parën, hipokrizinë qeveritare, nuk habitemi. Qeveritë e tipit borgjez, nuk mund të jenë ndryshe, përveçse mashtruese dhe hipokrite. Ndërsa për të dytën zhgënjimi ishte i paparashikuar. Askush prej nesh nuk mund ta mendonte se Edi Rama, kur kërkonte votën e mandatit të parë, premtimin kryesor për dënimin e vrasësve të 21 janarit 2011, e kishte mashtrim dhe hipokrizi. Ai ishte i biri i Kristaqit, skulptorit me emër, që punoi dhjetra vepra artistike nga më të arrirat, vlera e të cilave e ngjiti gjer në kryesinë e Kuvendit Popullor, pushtetit kryesor të shtetit. Nga ana tjetër, Edi Rama, kishte kaluar nga bankat e Shkollës së Artit të Pikturës, përforcuar me artin e Sportit të Basketbollit, çka përjashtonte çdo mundësi mashtrimi e hipokrizie ndaj vendit të tij, ndaj bashkëqytetarëve, ndaj demokracisë dhe ndaj drejtësisë.
Mirëpo, për fat të keq, “kopertura” e tij na doli kallpe, ç’ka askush nuk e priste. Justifikimi i Kryeministrit dhe mbështetësve të tij, se “Gjyqësori është i pavarur”, është një përrallë që nuk josh as kalamajt e kopshtit. Mund të qëllojë për një moment ndonjë prokuror apo gjyqtar i pavarur, ose i varur “në degë të thanës”, por kurrsesi kjo nuk mund të ndodhë për 12 vjet rresht. Aq më tepër kur prej gjashtë vitesh kemi edhe gjyqtarët e prokurorët special të SPAK-ut, i cili, puna e parë e tij duhej të ishte zbardhja e krimit të 21 janarit 2011. Por edhe sikur të jetë e vërtetë, që trupa e prokurorëve dhe gjyqtarëve ka qenë për 12 vite rrjesht në “unitet” kundra të vërtetës, kundra drejtësisë dhe mashë e kriminelëve, atëhere, Edi Rama, i përforcuar me postin e Kryeministrit, i ka patur të gjitha mundësitë ta detyronte këtë “trupë gjyqësore bastarde”, të vishte mantelin e drejtësisë dhe të dënonte kriminelët, të cilët qysh ditën e krimit, ishin persona me emër, mbiemër e ditëlindje të saktë. Një Kryeministër ka dhjetra herë mundësi e mjete, për të çuar në bankën e akuzës kriminelët, të cilët edhe pse i kanë ende duart me gjak, lëvrijnë shesheve tona, duke kërkuar një mandat tjetër qeverisës, me të cilin do të përsërisin vrasjet e djeshme të 21 Janarit 2011.
Po, cila është arsyeja që Edi Rama, është mjaftuar vetëm me vendosjen e luleve një herë në vit tek pllakat e bulevardit, dhe asnjëherë nuk arriti të vendosë padinë në dyert e gjykatës, duke kërkuar me të gjitha format dënmin e kriminelëve vrasës të kabinetit Berisha?
Vetëm një arsye: Edi Rama, e din fort mirë, se po të vihet Saliu me shokë, në bankën e akuzës, në të djathtë apo në të majtë të tij, detyrimisht do të gjendet edhe vetë Edi Rama. Sigurisht masa e përgjegjësisë nuk është e njëjtë me Saliun, por banka e akuzës po. Edi Rama ishte “komandanti” i protestës së qytetarëve, por ama komandanti duhet të qëndrojë në krye të detashmetit protestues, me qëllim që ajo të mos degradonte në një turmë pa kokë, e cila, mbasi u larguan policët nga vendroja pranë Kryeministrisë, nuk dinte ç’të bënte, por sillej vërdallë sheshit, pa objekt të caktuar të programit të protestës.
Dymbëdhjetë vjet rresht, për çdo 21 janar, në të njëjtën orë, në të njëjtin bulevard, tek të njëjtat pllaka të gjakosura, kemi parë vetëm homazhe, heshtje dhe lule artificiale. Dhe asnjëherë nuk pamë një seancë gjyqësore, një komision parlamentar, një padi serioze, një protestë të organizuar dhe nxitur nga qeveria kundër gjykatësve ta “pavarur” dhe kriminelëve të pandëshkuar e të “trasferuar” në azilet përtej Atllantikut.
Këto ditë, si për çudi, në skenë doli dhe një incizim i “komandave” që na qenkeshin dhënë në datën 21 janar 2011 nga komandanti i gardës, Ndrea Prendi, për të hapur zjarr mbi protestuesit. Nuk dyshojmë për vërtetësinë e inçizmit, por shtrohet pyetja e mosbesimit: Pse u deshën 12 vite të gjendej ky inçizim, kur na e paka patur “një vend aleat i yni”, i cili ja paska dorëzuar këto ditë gazetarit tonë investigativ, a thua se “aleati” ynë, nuk i din zyrat e shtetit tonë dhe merret me gazetarët?!
Frymëzuar nga ky “inçizim”, i sapo dalë në skenë në prag të 21 Janarit, (çfarë koiçidence – tre muaj para zgjedhjeve vendore), ja ku kemi edhe prononcimin e Ministres Spiropali, e cila në rolin e zëdhënësit të Kryeministrit, “që nuk deshi të prononcohej” para gazetarëve që u ndodhën gjatë homazheve, deklaroi se “Ne do të vijojmë të mos pushojmë së kërkuari drejtësi për të vrarët e 21 janarit të vitit 2011”.
Se sa vite e sa mandate do të vijojë kjo “këmbëngulje” e kabinetit qeveritar, zëdhënësja e Kryeministrit nuk e tha. Dhe nuk mund ta thotë, se as ajo vetë nuk e din. Ama ajo bëri një mbyllje, e cila justifikon dhe përforcon titullin e shkrimit tim për “Hipokrizinë personale dhe qeveritare” të kabinetit Rama, në përvjetoin e 12 –të , dhe në vazhdim, ndaj “fatit” të 21 janarit 2011, të krimit shtetëror salinian!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk