HISTORIA E MADHE E RUAJTUR PËRMES NJË KËNGE

23
May
2024
Shkruan: Syrja Etemi


Në trevën e Pollogut dhe, jo vetëm, akoma gjallon një këngë që glorifikon të bëmat e protagonistëve me ind arbëror-shqiptar. Është kjo kënga dedikuar Osman Pashës, e cila përshkruan betejën e famshme të Plevnes, e zhvilluar më 1877, të cilën, në vitin 2017 (pas 140 vitesve të betejës) e kam shënuar nga plaku i Tetovës i lindur në v. 1928 (me rrënjë nga f.Orashë). Në fillim po e paraqes tekstin e këngës, që, mëpastaj, gjithnjë sipas përmbajtjes së tekstit dhe rrëfimeve të Axhës Rufat, do të mundohem të jap disa shënime relevante.
KËJKA E OSMËN PASHËS
Osmën Pasha dul te kodra
I çet Rusit me xhashçin topa
I çet Rusit me xhashçin topa
N’Plevne t’Vogël-o dridhet toka.
Osmën Pasha po e k’shir detin
Po e pret nihmën e mretit
Mreti nihma nuk po çon-e
S’e di mreti se ku jon-e.
Osmën Pasha xhi ka kallxu-e:
-Duna vet ne me liftu-e
Tan askert para i kan dal-e
Se murtadi s’u jep xhephane.
Osmën Pasha xhi kish thën-e:
-Sëll zahire ne t’na çojn-e
Sëll zahire e peksimet-e
S’mbahet vendi me xhahilet -e.
Osmën Pasha lip xhephane
Ato i çojn-o veç najllon-e
Osmën Pasha lip barut-e
Ato i çojn çizme e kundra.
Osmën Pashës-o i çojn fjal-e:
-Jepi armët m’don t’esësh xhall-e
-S’i ap armët-o sa t’jem xhall-e
Di tabore i kam shiptar-e
Hajde, di tabore i kam shiptar-e
T’ gjek Moskovin – tejm e fjak-e.
Rufat Beqiri, lindur në Orashë, 1928
Regjistruar më 11.04.2017
Shënime suplementare
Sipas rrëfimit të këngëtarit në evidencë (Rufat Beqiri), beteja në fjalë është zhvilluar në Plevne të Bullgarisë ! (Ndërmjet Bullgarisë dhe Vllajas) ndërmjet dy ushtrive të konfrontuara: Ruse (që e ndihmon edhe Vllahia) dhe turke (ku marrin pjesë një numër i madh i shqiptarëve nga trojet e Maqedonisë) në krye me komandantin Osman Pasha, i cili plagoset rëndë dhe zihet rob nga ana e forcave kundërshtare. (Ndoshta kjo këngë ka të bëjë me një epizod nga lufta ruso-turke e vitit 1877 në Plevne. S.E., të cilën e dëshmon edhe folkloristi i njohur nga treva e Dervenit, Ibrahim Krosi në librin me titull: “Folklori shqiptar në kontekst ballkanik”, (botuar në Shkup, 200), i cili, në fq. 37, duke vazhduar, potencon edhe këtë: “ Siç është e njohur nga historia, ushtria ruse zuri pozitat në brezin e Shipkës të malit Ballkan, hyn (edhe) në Bullgarinë e sotme, e mandej niset drejt Stambollit. Në shkallën e kësaj ofansive ruse, që pak më vonë mbaroi me marrëveshjen e ashtuquajtur “Paqja e Shën Stefanit”, një kështjellë turke ngeli e përfshirë nga rusët, thellë në territoret e marra. Ajo ka qenë kështjella Pleven (Plavna), që me të njëjtin emër është qyteti i sotëm në Bullgari. Kjo kështjellë e mbrojti këtë vigan, Gazi Osman – Pashën, me forcë tejet më të dobta nga ato armë që kishte në dispozicion Rusia. Për shembull, edhe sipas këngës popullore (e cila shpesh edhe i hiperbollizon) dhe sipas burimeve të shkruara, nën komandën e Gazi Osman – Pashës kanë qenë vetëm rreth 32 000 ushtarë, ndërsa në dispozicion kishin vetëm 103 topa , Rusia kishte në dispozicion dy herë më tepër forcë reale. Përsëri, ky komandant pati sukses për t’i përballuar rrethimit disa muaj. Në realitet, Plevna ishte marrë prej rusëve edhe atëherë kur filloi t’i zvogëlohet ushqimi, armët, municioni dhe atëherë kur ai ishte vet i plagosur dhe i dërguar në spital, e, mëpastaj, po sa u shërua, ka qenë i dërguar si rob bashkë me shokët e tij në Rusi, të cilët e kishin përjetuar humbjen e kësaj lufte të vendosur.
Për këtë ngjarje, sqarime jepen edhe në librin e botuar në vitin 1961 në Tiranë – nga Instituti Albanogjik: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar II (1635-1912), në sqarimet: Shënime për njerëzit,vendet dhe ngjarjet, në faqen 334 shkruan: “Plevna (edhe Plevna e madhe)-qytet i Bullgarisë veriore i nohur për luftën ruso-turke të vitit 1877. Fuqitë ushtarake turke që ndodheshin në këtë qytet, qëndruan për shumë kohë të rrethuar, por në fund këto u detyruan të dorëzohen nga sulmet e vazhdueshme të ushtrive ruse dhe nga mungesa e ushqimeve.” Kurse në sqarimin për Osman Pashën, shkruan: “Osman Pasha – komandant i përgjithshëm i fuqive turke që lëftuan në Plevnë më 1877. Përmendet në këngët popullore për qëndresën që bëri në rrethimin e Plevnës”.
Të dhëna komplementare në kontekst me këngën – nga Axha Rufat:
Kur buën luft Osmën Pasha me Rusin, e pqagojn kuët (Osmën Pashën), ene e çojn n’ “bollnic” (spital) për ta shnuash. Masandej, kur u pqagu, u “predat” (u dorëzua). Osmën Pasha e hupi luftën se, nji murtad kishte përpara. Se, aj lipte xhephëne, atua veç najllona e kundra i çuëjshin. Bash aj “gllavni” (kryesori) magacinit ë (është) murtad: Lip xhephëne, “nuk ka”. Ather, Vllahi buënte luft, amu Rusi i nimojke ataj- Vllahit. Masahi, kur u “predat” Osmën Pasha, hini aj komandënti i Vllahit t’ja mare shpatën, a ki kur t’i bërtet (Osmën pasha):
Osmën Pasha kur t’i briti
Pa kaput përjashta e çiti. (Domethënë: At Vllahin. At zabitin)
Hiçu , Vllah me nji sebep
Se s’ije Kral po ije “beg” (Domethënë: Ije i vogël)
Se ne t’veje Rusi vet.
Kur hi komandënti i Rusit t’ja mare shpatën Osmën Pashës (xhi ishe “predat”), ki e fkien krejen n’qetër ën, xhi mus e shofe . Ki komandënti e shef, veç e prekën dorzën e shpatës- nuk e mer shpatën, veç e “pozdravën” (përshëndetë) , ene bithprap del pi dere, ene këjka thot:
Po vejn komandënti rusit
Po vejn me pajtona
-Jepi armët, Osmën Pasha
Se u buë e jona!
-Nuk i japi armët une-
Armët për së xhall
Se i këm un di tabore
Arnaut shiptar.
Xhi du buëjn k’tua arnaut
K’tua shiptar’t e shkret
Vejn kollonat pa baraut (Domethën: vejn kollonat – me murtad)
Pa gjil’e fishek.
E, mapa, këjka thuët:
Osmën Pasha na u tërboka
-Çfar insëni lash me topa!
Arnaut më nuk buën toka
Arnautët e shiptar’t
S’ i lën topat për së xhall.
Baba jem (vazhdon, Axha Rufat), xhi ka kën n’gurbet n’Vllahi, e ka ndej ene kuët muhabet: “Masi a shnuash Osmën Pasha ene ka dal pi bollnice, i thaun: -Hajde, tej meri askert tauj, ene dil nëpër plloshtat, (si kan buë përpara talim). Kur kan buë talim n’udh, xhëmët jan dridh si me kën tërmet. Tre pashallar jan kën ma t’mer për raport: Osmën Pasha, Brahim Pasha ene Qemal Pasha”.
Është i njohur sidomos Marshi i Osman Pashës, apo, turqisht: Osman Paşa Marşi. (S.E.).
Ja teksti në origjinal i Marshit të Osman Pashës, të shkruar nga poeti me prejardhje nga Tetova, Mehmet Akifi (Mehmet Akif Sümer)
Osman Paşa Marşi
Tuna nehri akmam diyor
Etrafimi yikmam diyor,
Şani büyük Osman Paşa
Plevne’den çikmam diyor.
Olur mu böyle olur mu
Evlât babayi vurur mu
Sizi millet hainleri
Bu dünya size kalir mi.
Bu dünya size kalir mi,
Karakolları yokladi,
Osman Paşa’nin kolunda
Beşbin top birden patladi.
Kilicimi vurdum taşa
Tas yarildi baştan başa
Askerinle binler yaşa.
Nâmi büyük Osman Paşa.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk