Secili vend apo vendbanim, qoftë ai fshat apo qytet, ka të kaluarën e tij historike dhe historinë lokale të veten – me të gjitha specifikat dalluese e, që, rishtazi lidhen me historinë kombëtare apo ndërkombëtare në përgjithësi. Prandaj, historia lokale është pjesë e historisë nacionale, regjionale e globale. Me mësimin e historisë së vendlindjes, vetvetiu vëhet apo krijohet lidhja me vendbanimin ku jetojnë nxënësit; njihen me ngjarjet dhe ndodhitë e së kaluarës, që është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin moral të të rinjve. Me këtë nuk mund të hezitojnë e të mos përfshihen edhe mësimdhënësit e gjuhës dhe letërsisë…Këta duhet të angazhohen në njoftimin e nxënësve të tyre me elemente mbushulluese nga kultura popullore e rrethinës ku ata veprojnë, si: këngë të vjetra, përralla e rrëfenja, rite e legjenda që, akoma janë të gjalla në popull (edhe pse në grahmat e fundit). Me këtë nuk duhet anashkaluar edhe mësimdhënësit e arsimit fizik e shëndetësor ku, në programet e tyre të përfshijnë edhe lojna popullore nga folklori ynë i pasur – i rrethinës ku jetojnë e bashkëveprojnë. Pse mos të futet në këtë mes edhe kuzhina apo gatimet popullore?
Prandaj, po e bëj një apel modest dhe për ta përçuar tek të gjithë mësimdhënësit e, sidomos tek mësimdhënësit e historisë, të gjuhës e letërsisë, të artit muzikor, të arsimit fizik e shëndetësor; tek të gjithë menaxhuesit e shkollave, që të jenë më kooperativ dhe më konsistentë në punën e mësimdhënies interaktive me nxënës; të priren e të veprojnë sipas preferencës së pedagogëve të mëdhenj që na sugjerojnë se: “Për të përvetësuar dije e njohuri, gjithmonë duhet të nisur nga e afërta – drejt së largtës, nga e lehta – kah e vështira, nga e njohura drejt së panjohurës, nga konkretja drejt abstraktes…”. Prandaj, edukatorë, mësues, mësimdhënës, e, pse jo, edhe prindë, nuk është shumë vonë të veproni kësisoj; drejtorë të shkollave, mendoni mirë për këtë aksion; Ju shërbimet profesionale (pedagogë, psikologë, sociologë…) hartoni plane e programe konkrete për vjeljen e thesarit tonë popullor, të paktën, jo më larg se te vendbanimi ku jetoni e veproni; Ju prindë të nderuar (nëna, baballarë, gjyshër e gjyshe të nderuara), nëse nuk dini se si t’i edukoni fëmijët t’uaj, së pakut mësojuni fëmijëve ndonjë këshillë të mirë për çdo ditë; ndonjë këngë të bukur popullore me mesazh të qartë edukativ; tregonju ndonjë mesele, ndodhi, përrallë, anekdotë… sepse, kurrë – nga dobia nuk do të ketë dëm.
_______________________________________________________________________
PROSPEKT (UDHËZUES) PËR RELIZIMIN E PUNËS NË MBLEDHJEN E MATERIALIT:
RESURSE TË KULTURËS SHPIRTËRORE QË MUND TË GRUMBULLOHEN:
GJËEGJËZA,
FJALË TË URTA,
MALLKIME,
LEGJENDA,
GOJËDHËNA,
BESTYTNI,
NDODHIRA NGA PËRDITSHMËRIA,
TREGIME POPULLORE, EROTIKE,
KËNGË POPULLORE (EPIKE,LEGJENDARE,LIRIKE , DASME, TË KURBETIT, TË PUNËS, LUCIDE, PATRIOTIKE)
LOJËRA POPULLORE,
SPORTE POPULLORE,
ZAKONE,
RITE,
SHPJEGIME TË ËNDRRAVE,
PARANDJENJA TË KOHËS NGA ANA E KAFSHËVE SHTËPIAKE,
BESIMI NË SUPERSTICIOZITET,
POKUSHE,
MITE,
BESIME,
FESTA FETARE,
KUZHINA POPULLORE TRADICIONALE
TEKNIKAT PËR MBLEDHJEN E KRIJIMTARISË GOJORE POPULLORE
1.PËR BASHKËBISEDUES, SIPAS MUNDËSIVE TË ZGJIDHEN PERSONA MË TË MOSHUAR;
2.DUHET TË EVIDENTOHET A KA QENË NË KURBET, GJEGJËSISHT A KA QËNDRUAR JASHTË VENDIT DHE SA KOHË ;
3.A ËSHTË REZIDENT (VENDALI) APO I ARDHUR (NËSE ËSHTË I ARDHUR TË SHËNOHET KUR DHE NGA CILI VENDBANIM), A ËSHTË KOLLOVAR, BIRSHPIRT, NUSE (BIJË NGA CILI VENDBANIM);
4.NGA KUSH E DËGJUAR KRIJIMTARINË POPULLORE DHE SE ÇFARË MOSHE KA QENË PERSONI NGA E KA DËGJUAR ATË KRIJIMTARI;
5.PAS SHTRUARJES SË PYETJES BASHKËBISEDUESIT, DUHET PATUR DURIM NË PRITJEN E PËRGJIGJES. KUR FILLON TË RRËFEJË, SIPAS MUNDËSIVE, TË MOS NDËRPRITET. PAS MBARIMIT TË RRËFIMIT, MUNDËSISHT TË SHTROHEN PYETJE TË CAKTUARA NËSE GJATË BISEDËS KENI NDJERË NEVOJË PËR NËNPYETJE, GJEGJËSISHT IDE PËR PYETJE PLOTËSUESE;
6.NËSE NUK REGJISTROHET APO INÇIZOHET (ME DIKTAFON, KAMERË APO CELULAR), TË SHKRUARIT TË BËHET NË MËNYRË AUTENTIKE, ME TË GJITHA FORMAT DIALEKTIKORE E ARKAIKE, ETJ.;
7.SHËNOHET EMRI DHE MBIEMRI, MOSHA DHE VENDI I LINDJES DHE BANIMIT TË BASHKËBISEDUESIT;
8.DATA DHE VITI;
9.DJATHTAS SHKRUHET EMRI DHE MBIEMRI I MBLEDHËSIT.
METODA PËR MBLEDHJEN E LËNDËVE NGA KULTURA MATERIALE – SI PJESË NGA ETNOLOGJIA E PARAARDHËSVE TANË
1.NË ÇDO LËNDË TË DHURUAR NGJITET NUMËR;
2.NË FLETORE SHËNOHET NUMRI I LËNDËS (MATERIALI), VENDI,
PRONARI I TIJ (SAJ);
A) KUSH E KA PUNUAR MATERIALIN (NËSE MUND TË KUPTOHET –
EDHE KUR);
B) NËSE MBLEDHËSI NUK E DI EMRIN, FUNKSIONIN DHE QËLLIMIN
E LËNDËS, DUHET ME PYET PËR TË;
C) DUHET TË PYETET: A THUA LËNDA (MATERIALI) ËSHTË SJELLË
NGA DIKU TJETËR (PREJ KU, NËSE ËSHTË PRU) DHE KUR,
GJEGJËSISHT KUSH E KA PRU;
Ç) TË MOS PËRMIRËSOHEN TË DHËNAT E DHURUESIT, POR TË
SHKRUHEN NË TËRËSI;
D) NË TË MAJTË-DATA, NDËRSA NË TË DJATHTË SHËNOHET EMRI
DHE MBIEMRI I MBLEDHËSIT.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!