(Fragment nga poema ATDHEU)
–
Ti, Atdhé je busull jete,
ti Atdhé je Komisari,
Ti, Atdhé je kryefjala,
ti je buka, ti je ajri;
–
Ti je drita, ti je kënga,
ti je gjiri brenda gjirit,
Ti je malli, ti je brenga,
ti je syri brenda syrit.
–
Ti je dashuria ime,
rrënj’ e ëndrrës sime je,
Ti je sofra që nuk shkelet,
kryedielli je Atdhé;
–
Ti je guri ku ka gdhendur gjithë kujtesën historia,
Ti je djepi ku ka hedhur shtatin shqipe Shqiptaria.
–
Shqiptaria quhet lindje
e rilindje shpresë drite,
Shqiptaria quhet era,
që nuk lidhet dot për gryke;
–
Shqiptaria quhet lulja,
që çel mbi kratere flake,
Shqiptaria quhet zjarri,
që djeg rrënjët e një nate.
–
Shqiptaria quhet gjiri,
që gatuan uraganin,
Shqiptaria quhet tmerri,
që fashit në ferr tiranin;
–
Shqiptaria quhet himni,
që këndon për drejtësinë,
Shqiptaria quhet feja,
që beson në shqiptarinë.
–
Shqiptaria quhet kulla,
që bën zjarr në vend të vet,
Shqiptaria quhet nderi,
mes planeteve planet;
–
Shqiptaria quhet jeta
– barrikadë me epopé,
Shqiptaria quhet zemra,
që rreh veç për ty Atdhé.
–
Ti je pasuria ime, trashëgimi i pashterrshëm,
Ti je krenaria ime,
në një emër të pavdekshëm;
–
Mu në majë të universit,
s’dua, them flori e ar,
Dua vetëm që të rroj,
e të vdes si një SHQIPTAR!


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
