HYSNI MILLOSHI DHE POEMA E TIJ “ATDHEU”

28
Apr
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


Me rastin e 76 vjetorit të lindjes (1948 – 28 Janar – 2024)
Hysni Miloshi, mund të them pa frikë se gaboj, ashtu si Migjeni në vitet 30-të, ishte poeti e shkrimtari shqiptar më i shqetësuar e më i trazuar në fundvitet tetëdhjetë; i trazuar e i shqetësuar për fatet e Popullit e të Atdheut, të cilët, siç e pati shprehur edhe në mes shokësh të ngushtë, ishin tradhëtuar. Por trazimin e shqetësimin për situatën, për popullin e për vendin, ai nuk do t’i mbante për vete, e as për rrethin e ngushtë. Me mjetet e mundësitë që kishte në ato momente, e që ishin pena dhe mendja e tij krijuese, trazimin e shqetësimin e tij do ta shpërthente për t’i transmetuar tek masat qytetare, të cilët, jo për faj të tyre, nuk po e ndjenin gjëmën, që së shpejti do t’u binte mbi krye. E që ky transmetim të përcillej në nivelin e ndjenjave të tij, të bindjeve të tij, të synimeve të tij, zgjodhi për personazh të veprës që do të gatiste, ATDHEUN, personazin më madhor të të gjitha gjinive të artit.
Autori i poemës në fjalë, në vitet tetëdhjetë, ishte ndër krijuesit më të afirmuar e më me përvojë artistike. Si i tillë ai mund të lëvronte në të gjitha gjinitë e artit, por trazimi e shqetësimi shpirtëror për situatat që përjetonte, e shtynë drejt një vepre më madhore se lirikat e dashurisë e të natyrës. Me Artin e penën e tij krijuese, ai vendosi t’i drejtohet Atdheut, një sipërmarrje kjo tepër e madhe, por që ia doli me sukses.
Kur e lexon poemën e tij “ATDHEU”, të ndizet frymëzimi gjer në atë shkëllë, sa tenton të marrësh lapsin e të shtosh strofa nga shpirti yt. Është frymëzimi atdhetar, që poema të injekton në shpirt, në zemër në ndjenja, frymëzim i cili qëndron mbi të gjithë frymëzimet e tjera të muzës poetike. Me vargjet brilante, të zgjedhura e të skalitura artistikisht, Hysni Milloshi dialogon me Atdheun me zë të lartë. Dialogon me zë të lartë, që të na tregojë ne të tjerëve se, kush është dhe ç’është Atdheu; se kush dhe ç’është Liria; se kush dhe ç’është Shqiptaria. Dhe pasin na shetit rrufeshëm nëpër kalvarin e përgjakshëm dymijë e ca vjeçar të kombit dhe Atdheut, ndalet në ditët e sotme, për të na zgjuar nga gjumi letargjik që na ka zënë, duke na dhënë kushtrimin e duke na treguar me gisht “Kalin e drunjtë” të Trojës, i cili kishte dalë në horizont dhe vinte drejt nesh për të përsëritur “Trojën e Re”!
Në fund të viteve tetëdhjetë, mjaft nga ne intelektualët e qytetarët e thjeshtë, ishim përfshirë nga një makth i pashpjegueshëm, veçanërisht pas ndarjes nga jeta të Udhëheqësit tonë Legjendar, Enver Hoxha. Por të mbërthyer nga rutina e ditës dhe të nanurisur nga jeta paqësore gjysëm shekullore, truri ynë ishte topitur, syri ynë ishte lbyrur dhe nuk arritëm të shihnim “Kalin” që po rendëte drejt nesh. Ndërsa Hysni Milloshi, që si krijues me zemër vlerësonte detajin, dhe si atdhetar çmonte situatën, doli ga gjumi letargjik, që na kishte zënë ne të tjerëve dhe dha kushtrimin. Poeti, sikur ta dinte e ta parashikonte me detaje siuatën e sotme, kur ne shqiptarët kemi humbur lirinë, qysh në fundvitet tetëdhjetë, në poemën e tij të madhe, krahas dialogut me Atdheun, i rikthehet disa herë kuvendimit me Lirinë. Sepse Liria, thotë ai është përmendorja e parë. Po ra Përmendorja e LIRISË, bien të gjitha përmendoret e tjera. Është pikërisht kjo arsyeja, që poeti në kushtrmin e tij lëshon thirrjen::
. . .
Hapni sytë, hapni sytë, ju punëtorë të çliruar,
Ju heronj pa dekorata, ju viganë të shenjtëruar;
Fryjnë erëra të sëmura jasht’ e brenda si lubitë,
Jo, s’ka vdekur Bot’ e vjetër, hapni sytë, hapni sytë.
. . .
Kushtrimi i tij nuk është retorikë, por thirrje e zjarrtë për t’i dalë të keqes përpara. Dhe ajo që tërheq vëmendjen, thirrja e tij nuk u drejtohet intelektualëve, as pushtetarëve, madje as komunistëve, të cilët, siç u pa e kishin tradhëtuar, apo do ta tradhëtonin Atdheun dhe Popullin. Ai u drejtohet punëtorëve, fshatarëve, veteranëve dhe heronjve pa dekorata, viganëve të shenjtëruar. Veçse mjerisht, edhe këta mbrojtës të Lirisë e të Atdheut, tradhëtia i kishte nxjerrë jashtë loje.
Poemën “ATDHEU”, që na ka lënë trashëgim poeti, mendoj se nuk do të mund ta shkruante me këtë nivel që është shkruar, asnjë poet a shkrimtar tjetër i sotëm i vendit tonë. Të shkruash një poemë të këtij niveli e të kësaj permase, kërkohen së paku tri kushte: Frymëzim e pasion maksimal; aftësi artistike dhe përkushtim atdhetar. Korifejtë tanë të sotëm të letrave shqipe, i kanë, apo mund t’i kenë dy të parat. Por u mungon përkushtimi për Atdheun, ose më saktë, nuk kanë për Atdheun, për Lirinë, për Idealin Kombëtar përkushtimin e Hysni Milloshit. Dhe për ta argumentuar këtë, pos jell këty dy fakte:
Poeti i madh gjerman, Johan Volfang Gëte, për të nxjerrë kombin e tij nga prapambetja dhe kriza ekonomike, ku e kishte futur neglizhenca dhe injoranca e feudalëve vendas të shek. 18, la mënjanë letrat e artit dhe ju fut studimive gjeologjike, për mundësitë e shfrytëzimit të mineraleve të dobishme. Madje mori vullnetarisht edhe detyrën e ministrit, duke rihapur e vënë në punë minierat. Ishte ky veprim, i cili e nxori Gjermaninë nga kriza dhe e rreshtoi me ekonomitë e zhvilluara të kontinentit.
Shkrimtari e poeti ynë Hysni Milloshi, jo për të imituar Gëten, por i inspiruar nga idealet e tij kombëtare e revolucionare, kur në fillim të viteve nëntëdhjetë ndodhi përmbysja e madhe, la mënjanë profesionin e tij të jetës, dhe bashkë me një grup shokësh të idealit që e mbështetën, iu kundërvu dallgës së zezë përmbytëse në mbrojtje të Popullit të tradhëtuar, në mbrojtje të së Vërtetës, në mbrojtje të Lirisë së Atdheut. Dhe këtë përballje ai e realizoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për dy dekada rresht, gjer sa u shua e u nda para kohe nga jeta.
Në mbyllje të poemës “ATDHEU”, Hysni Milloshi shpalos kredon e tij, shqiptarinë. Dhe jo shqiptarinë si një nocion të thjeshtë kombësie, si ai që shkruhet në pasaportat biometrike, por një SHQIPTARI, e cila personifikon Lindjen dhe Rilindjen, Shpresën dhe Dritën, Tokën dhe Erën, Lulen dhe Gjirin, Këngën dhe Brengën, Flamurin dhe Idealin, Fjalën dhe Zemrën, Jetën dhe Nderin, – personifikon ATDHEUN!
. . .
Ti, Atdhé je busull jete, ti Atdhé je Komisari,
Ti, Atdhé je kryefjala, ti je buka, ti je ajri;
Ti je drita, ti je kënga, ti je gjiri brenda gjirit,
Ti je malli, ti je brenga, ti je syri brenda syrit.

Ti je dashuria ime, rrënj’ e ëndrrës sime je,
Ti je sofra që nuk shkelet, kryedielli je Atdhé;
Ti je guri ku ka gdhendur gjithë kujtesën historia,
Ti je djepi ku ka hedhur shtatin shqipe Shqiptaria.

Shqiptaria quhet lindje e rilindje shpresë drite,
Shqiptaria quhet era, që nuk lidhet dot për gryke;
Shqiptaria quhet lulja, që çel mbi kratere flake,
Shqiptaria quhet zjarri, që djeg rrënjët e një nate.

Shqiptaria quhet gjiri, që gatuan uraganin,
Shqiptaria quhet tmerri, që fashit në ferr tiranin;
Shqiptaria quhet himni, që këndon për drejtësinë,
Shqiptaria quhet feja, që beson në shqiptarinë.

Shqiptaria quhet kulla, që bën zjarr në vend të vet,
Shqiptaria quhet nderi, mes planeteve planet;
Shqiptaria quhet jeta – barrikadë me epopé,
Shqiptaria quhet zemra, që rreh veç për ty Atdhé.
. . .
Dhe duke e konsideruar Shqiptarinë të barabartë me Atdhenë, përfundon:
. . .
Ti je pasuria ime, trashëgimi i pashterrshëm,
Ti je krenaria ime, në një emër të pavdekshëm;
Mu në majë të universit, s’dua, them flori e ar,
Dua vetëm që të rroj, e të vdes si një SHQIPTAR!
. . .
LAVDI JETËS, KRIJIMTARISË ARTISTIKE DHE VEPRIMTARISË REVOLUCIONARE TË SHOKUT
TË PAHARRUAR, HYSNI MILLOSHI!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk