Në takime të ndryshme, përveç njohjeve të reja, lindin edhe ide të reja. Ato kërkojnë kohë, vend dhe angazhimin e një grupi personash në organizimesh shoqërore, për realizimin me cilësi të çdo veprimtarie.
Në vazhdimësi kjo praktikë pune ka dhënë rezultate në realizimin e disa aktiviteteve promovuese në diasporë me persona të cilët dinë të vlerësojnë e të punojnë në grup bashkëpunimi. Saktësisht, në konferencën tradicionale të Federatës Kombëtare të Shoqatave në Itali, më 12 Dhjetor 2024, së bashku me zëdhënësin e Federatës FNAI zotin Ndue Shabaku, për idenë e realizimit të një ekspozite, u dakorduam edhe me Ambasadorin e Kombit, zotin Petrit Kozeli i vlerësuar në Itali me titujt “Kalorës i Urdhërit për Meritë” ,”Oficer i Urdhërit të Meritës”dhe Komendator i Urdhërit “Shën Silvestri Papë” Me kujdesin dhe angazhimin e tij u arrit të sigurohej me datë 8 shkurt 2025 një takim me presidentin e Provincës Mantova dr. Carlo Bottani të cilin në emër të Federatës (FNAI-t) i paraqitëm projektin dhe më pas kërkesën e zyrtarizuar në adresë të tij edhe dr.Moira Zbravati, Drejtore e Sektorit të Kulturës për provincën. Gjithashtu, kërkuam dhe mundësinë që kjo ekspozitë të qëndronte disa ditë e hapur për publikun në Mantova e zonat përreth.
Dr. Bottani vlerësoi me konsiderata projektin bashkëpunues duke u shprehur : “Sot kemi delegacionin nga Federata e vëllezërve shqiptarë në Itali dhe këtu jemi për të organizuar së bashku, një aktivitet domethënës ekonomik e kulturor. Do të finalizojmë vendosjen e urave të bashkëpunimit Itali-Shqipëri, falë lidhjeve të ngushta me Komendatorin Petrit Kozeli. Do të arrijmë të konkretizojmë një marrëveshje binjakëzimi ndërmjet portit Valdaro në Mantova dhe Portit të Durrësit“.
Projekti ynë si Federatë së bashku me idenë e zotit Petrit Kozeli edhe me nënshkrimin e protokollit ndërmjet palëve, mori rrugë me inagurimin e ekspozitës në orën 10.00 më 12 prill në Palazzo della Cervetta në Mantova. Edhe pse ishte e angazhuar me përgatitjen e mostrës së saj “LE TRUFATRICI“ në konkursin e panairit internacional “Botique Fair of Arts“ në Lugano të Zvicrës, piktorja e talentuar Alketa Delishaj na siguroi se do ta bënte me shumë kënaqësi kurimin e prezantimin e ekspozitës me punët e dy fotografëve; Griseld Hoxha e maestro Erion Sheqeri dhe piktores Viola Fusha. Këtyre artistëve durrsakë. iu bashkua edhe poeti Pano Ceka. Pasi shprehu mirëseardhjen për të pranishmit dr. Alketa Delishaj vijoi prezantimin e secilit artist me një skedë nga jetëshkrimi ,veprimtaria e tyre artistike dhe sintetizoi me pak fjalë punimet e paraqitura në sallë. Më pas artistët folën për veprimtaritë e tyre dhe punimet e demonstruara, në të cilat ata kishin sjellë nga një copëz të jetës prej qytetit të Durrësit. Me konsideratat më të larta ata falënderuan dhe shprehën mirënjohjen e tyre për ideatorët, kontribuesit dhe të pranishmit në ekspozitë.
Piktorja Viola Fusha vinte nga Brescia, maestro Erion Sheqeri kompozitor dhe drejtues orkestre i pasionuar mbas fotografisë, vinte nga Vicenza, ndërsa nga Durrësi fotografi i ri e i talentuar Griseld Hoxha me poetin Pano Ceka. Cicerone e kësaj ekspozite, një vajzë po nga Durrësi zonja Brunilda Telo, e cila do të përkujdeset për të gjithë periudhën dyjavore që kjo ekspozitë të mund të vizitohet nga kushdo. Me shumë interes u ndoqën dhe u duartrokitën poezitë e poetit Pano Ceka, të interpretuara bukur, këndshëm dhe me një zë meliodioz nga studentja Kiora Sheqeri, nën shoqërimin e një muzike pranverore të kompozuar enkas për këtë aktivitet nga prof. Erioni.
Me këtë rast nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, përshëndeti dhe përgëzoi artistët për krijimet dhe angazhimet e tyre dr. Luljeta Cobanaj, oficere për Diasporën. Ajo falënderoi ideatorët dhe ata që bashkëpununuan në realizimin e kësaj ekspozite si edhe autoritetet pjesëmarrëse për vlerësimin e këtij momenti me vlerë të dyfishtë; ekonomik e kulturor.
Në inagurimin e ekspozitës ishin të pranishëm zv/prefekti i Provincës Mantova dr. Angelo Araldi, zv/komandanit i Armës së Karabinierëve dr. Giorgio Feola, Këshilltari i deleguar për Provincën dr. Enrico Lungaroti, Këshilltare për legalitetin dhe solidaritetin internacional të Bashkisë Mantova dr. Alessandra Ricadonna, Presidenti i Nderit i Federatës Kombëtare Shqiptare në Itali, zoti Petrit Aliaj, Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali poeti Skënder Lazaj, drejtuesja e Sedes Operative të Federatës “FNAI”në Brescia dr. Ninfa Pema, veprimtaret Shpresa Bercaj, Emirjona Toma e të tjerë aktivistë e dashamirës të artit.
Faza e dytë e aktivitetit vazhdoi në bordin e anijes “River Queen“ për ceremoninë e firmosjes së këtij protokolli mirëkuptimi që parashikon identifikimin e strategjive të përbashkëta për të optimizuar operacionet në mbështetjen e trafikut midis sistemeve portuale në Mantova e Durrës dhe krijimin e infrastrukturave me teknologjitë e nevojshme.
Arritjen e kësaj marrëveshjeje, zoti Carlo Bottani e konsideroi një hap historik me shumë rëndësi për lundrimin e brendshëm të Italisë ndërmjet lumit PO, me shkëmbimet tregtare e atë të logjistikës së dy porteve. Ai në kohë rekord arriti të realizojë një videokonferencë ndërmjet institucionit që drejton me zotërinjtë Gabriele Negrini, drejtor i Portit të Valdaros, Gentian Kallmi, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, Donjet Zeneli, , drejtor financiar i Portit të Durrësit, dhe bashkëpunëtori i përhershëm i FNAI-t, zoti Petrit Kozeli. Duke përshkruar me pak fjalë ceremoninë e firmosjes së protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Presidentit të Provincës Mantova dr. Calo Bottani dhe dr. Donjet Zeneli, drejtor Financiar i Portit të Durrësit, nuk mund të mos përcjellim edhe emocionet e këtij momenti festiv mbi bordin e anijes dhe në prani të zotit Gabriele Negrini, Drejtor i shërbimeve Portuale; zotin Kreshnik Bajraktari Drejtor i Përgjithshëm i portit Durrës; Prefekti i Mantovës, dr. Roberto Bolognesi; Kuestori i Mantovës, dr. Annarita Santantonio; Komandanti i Armës së Karabinierëve Mantova,kolonel Vincenzo Di Stefano; Komandanti i Financës së Mantovës, dr. Antonello Cefalo; Zëvendëskryetari i Bashkisë së Mantovës, dr. Giovanni Buvoli; e të tjerë. Ishin momente të bukura dhe emocionuese me intervista ,përshëndetje e shtrëngime duarsh të cilat u fiksuan nga dhjetra reporterë e fotografë amatorë nën një diell të ngrohtë që reflektonte mbi sipërfaqen e ujrave të liqenit me rrezet të tij që thyheshin nga valët e vogla të krijuara nga puhiza e pranverore . Mbas ceremonisë u shtrua një drekë në sallën e restorantit të anijes përgjatë lundrimit të saj në hapësirat e liqeneve të komunikimit të portit Valdaro me lumejtë Mincio e Po.
Mantova 12.04 2025.
Pregatitur për shtyp nga.
Fotot nga Arkivi i FNAI-t.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!