Ikja e Nënës

12
Sep
2025
Nga: Genci Sefa - Lushnja


U venit si hëna në fund të natës,
me dritë të butë dhe hap të qetë;
shpirtin ma la në prag të dhimbjes,
si zog i lodhur që nuk çan dot retë.
–
Në heshtjen e shtëpisë ende të kërkoj,
dhe kujtimi hap dyert e mbyllura;
në prag të derës, në dhomën e vjetër,
zëri yt kumbon si tingull i lehtë.
–
Netëve të gjata, si engjëll ti kthehesh,
me duar të buta më prek ballin lehtë;
s’të shoh me sy, por të ndjej pranë,
si rreze hëne mbi fushën e qetë.
–
Nënë, e di që lart ndër yje je shndërruar,
dhe rri me mua si frymë e bekuar;
por dhimbja në zemrën time mbetet e rëndë,
prandaj në lutje gjithmonë të përmend.
–
Kur erërat fryjnë mbi fushat e hapura,
më duken si pëshpëritje e zërit tënd;
çdo zog që fluturon në qiellin e kaltër,
ma sjell kujtimin pranë, si aromë e ëmbël.
–
Edhe pse larg, çdo ditë të ndjej pranë,
si lumi që rrjedh qetë mbi fushë;
dhe shpirti yt më përqafon pa zë,
Nënë, dritë e përjetshme në shpirtin tim.
——————————————–
HËNA MBI TELAT ME GJEMBA
————–
Në mesnatë heshtja peshon si gur,
era çan natën, sjell erë muri;
telat me gjemba shtrihen rreth e qark,
zemra më digjet, fjalët më shuhen në prag.
–
Hëna ngrihet si nuse mbi mal,
drita e saj më prek ballin e thatë;
as hekur, as gjemba s’e ndalin dot,
ajo më vjen si përqafim i gjatë.
–
Unë, i mbërthyer në telat e natës,
shoh dritën e saj mbi plagë që s’flenë;
çdo rreze më flet: “liria s’vdes”,
çdo rreze më thotë: “prit agimin tënd”.
–
Telat dridhen nga fryma e erës,
hëna i prish me dritë, pa fjalë;
shpirti im del mbi hekurat e ngrirë,
fluturon atje ku s’ka pranga e zjarr.
–
E kur mëngjesi shfaqet në horizont,
telat zverdhen si bar i tharë;
unë ndiej brenda një dritë të re:
hëna më mbolli lirinë në gjak.
—
✍️ – Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/09/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk