INJORANCA SI FAKT!

15
Sep
2023
Shkruan: Sami Kurteshi


“Ra ky mort, e u pamë” do të thoshte populli. Ra Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarit të komunës, e po shohim krejt tërbimin e shfrenuar ndaj Qeverisë.
Në emër të PDK, zyrtari i lartë i saj B. Gjoshi, bazuar në halucinacionet e ekspertëve që i ka krijuar kjo parti për 20 vjet në pushtet, në lidhje me këtë Udhëzim Administrativ, sipas portalit Express, deklaron: “Së pari, ky udhëzim administrativ është tepër i dobët, pastaj së dyti është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Kjo sepse ky udhëzim është përpjekje direkte për ndërhyrje në institucione të pavarura që në këtë rast është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”. Duke qenë i tillë, ky udhëzim “është i pazbatueshëm”, e rrjedhimisht ky “është precedan për shtetin e Kosovës.”
Prandaj, për të kompletuar paradoksin absurd, ashtu siç di të jetë vetëm PDK, përfundimisht synon ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo u “nevojiten dhe nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime”, duke e kompletuar me injorancën “profesionale” të ekspertëve.
Absurdi i parë, tashmë i njohur botërisht, PDK ngrihet në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është rasti me KQZ. Kjo nuk do koment! Ato i ka ngulfatur, tash po e mbron ngulfatjen e tyre.
Absurdi i dytë intelektual, nëse ky udhëzim “është i pazbatueshëm”, z. Gjoshi dhe ekspertët e PDK nuk dijnë apo nuk guxojnë të tregojnë si mund të jetë “precedan për shtetin e Kosovës.” Si mundet diçka e pazbatueshme të bëhet e rrezikshme?! Kjo është një deklaratë në dukje me arsyetim të shëndoshë, me premisa të pranueshme, të çon në një përfundim të pakuptimtë, logjikisht të papranueshëm ose vetëkundërshtues. Ky është paradoks Kjo dëshmon për një tërbim intelektual.
Absurdi i tretë, jo i fundit, është nevoja e shfaqur për “nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime.” Leximi krejt normal i Kushtetutës, Neni 113, par. 6, shprehimisht përcakton se “Tridhjetë (30) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë të autorizuar të ngrenë çështjen nëse Presidenti i Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës.” Për çka i do PDK 30 nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit në rastin konkret! Për të sfiduar Presidenten!? Injoranca nuk është fakt!
Në tërbimin politik për humbjen e pushtetit, PDK nuk ta falë asnjë sukses! Prandaj nuk ka veprim të Qeverisë që nuk e lufton me të gjitha mjetet e lejueshme demokratike: me shurdhues, pa shurdhues, me grushta, e me shumë institucione kushtetuese që i kanë pavarësuar politikisht nga pavarësia kushtetuese dhe ligjore, me organizata të shoqërisë civile e media që i kanë pavarësuar politikisht nga misioni dhe pavarësia e tyre profesionale.
Të kritikosh një udhëzim administrativ si „anti-ligjor“, si „anti-kushtetues“, si „të pazbatueshëm“, e nën anën tjetër ta konsiderosh si „precedan të rrezikshëm“, pa ofruar asnjë fakt të vetëm konkret në lidhje me udhėzimin administrativ, kjo është varfëri intelektuale dhe injorancë profesionale par excellence!
Unë e kuptoj dhe e besoj sinqerisht frustrimin. Ka humbur shumë. Ka humbur pushtetin.
Por kjo megjithatë nuk e arsyeton tërbimin emocional, intelektual dhe injorancën profesionale.
Tërbimi politik është i lejueshëm për humbësit, sidomos pas humbjes së shpresës për rikthimin e pushtetit!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk