INTELEKTUALËT, FATMIRËSIA E POPULLIT DHE FATKEQËSIA E TIJ!

20
Jun
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


Gazeta SOT, 19 Qershor 2024
Pa diskutim, në të gjitha transformimet e shoqërisë njerëzore, intelektualët kanë rolin dhe meritën e veçantë, sepse ata me dijet e tyre udhëheqin masat drejt progresit. Por nga ana tjetër, duhet pranuar se mjaft prej tyre bëhen edhe pengesë e këtyre transformimeve revolucionare. LANÇ e popullit shqiptar, u realizua nga masa e gjerë e punëtorëve dhe fshatarëve patriotë, të udhëhequra nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, por roli i intelektualëve të vërtetë të popullit në drejtimin e kësaj lufte, ishte tepër i rëndësishëm. Ashtu siç ishte tepër i dëmshëm edhe qëndrimi i disa të tjerëve, të cilët u vunë në shërbim të pushtuesit. E njëjta skemë edhe mbas çlirimit të vendit. Pjesa dërmuese e inteligjencës së vërtetë popullore, u vunë në shërbim të ndërtimit të Socializmit, por nuk munguan edhe asish, që iu kundërvunë hovit revolucionar e transformues të masave. Akoma më dukshëm shihet sot roli i inteligjencës, ku për fat të keq, një pjesë e saj, është vënë në shërbim të borgjezisë dhe kundër interesave të popuyllit, duke i shkaktuar këtij të fundit dëme dhe gjëma të pallogaritshme. Janë pikërisht këta argumente, të cilat më bënë të shkruaj qysh në titull se “Intelektualët, janë fatmirësia e popullit, dhe fatkeqësia e tij”.
Indicien për këtë replikë në shtyp, ma dha shkrimi i gazetarit të mirënjohur Bedri Islami, me titull “Shkrimtari përballë diktatorit”, botuar në gazetën Dita të datës 15 qershor 2024. Shkrimi në fjalë, ishte një reçencë për librin “Kur sunduesit grinden” të shkrimtarit Ismail Kadare. Subjekti i librit, që Bedri Islami merr në analizë, është historia e dy shkrimtarëve disidentë të Pushtetit të Sovjetëve në vitet ’34 të shekullit të kaluar, që drejtohej nga Josif Stalini; Mandelshtami dhe Pasternaku, dy poetë e shkrimtarë rusë, që fillimisht ishin entusiazmuar nga fitorja e Revolucionit Socialst të Tetorit 1917, por “zhgënjyer” më vonë nga sjellja brutale e “Diktatorit” Stalin. Ishte pikërisht kjo e fundit, që këta poetë, do ta kthenin penën e krijimtarisë së tyre në shigjetë helmatisëse kundër “diktatorit”, të cilin në mes shokësh, por edhe më tej, Mandelshtami e quan “Maloku i Kremlinit”! Cili udhëheqës i fillimit të shekullit njëzet, do të pranonte një akuzë të tillë, të një individi, qoftë edhe poet i famshëm, kur ky “Maloku i Kremlinit” ishte bashkëluftëtari i Leninit, gjeniut të revolucionit të Tetorit 1917, revolucion i cili ndryshoi rrjedhën e botës?!
Dy poetë-shkrimtarët disidentë rus, Mandelshtami dhe Pasternaku, historinë e të cilëve Ismail Kadare, e vë në qendër të librit të tij, e kanë përjetuar kohën e revolucionit në fjalë, dhe agresionin e mbi 16 shteteve kapitaliste, të cilët në alenacë me njëri-tjetrin u lëshuan mbi Republikën e re të Sovjetëve, për ta mbytur qysh në djep. Atë periudhë të viteve pas revolucionit socialist, e njeh fort mirë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, sepse ka patur në dispozicion volume të tëra me dokumentë autentikë për ato ngjarje. Nisur nga kjo, lind pyetja legjitime: Pse shkrimtari ynë, që i kapërcej të tetëdhjetat e vit-lindjes, i futet kësaj historie të kaluar, e cila ka ndodhur nëntëdhjetë vite më parë?!
Përgjigja është e qartë. Kadare ka qenë gjithnjë një shkrimtar i dyzuar në qëndrimet e tij për jetën, për letërsinë, për popullin dhe vendin e tij. Këtë “dyzim” me të cilin bashkëjeton edhe sot pas 35 vitesh nga konvertimi politik, nuk ka mundur ta centrojë në sintoni me veten, me historinë, dhe më kryesorja me popullin e tij. Më tepër se gjysmën e moshës, shkrimtari ynë ishte në superstrukturën e sistemit socialist, të cilit i shërbeu me devocion. Veprat letrare që ai realizoi në socializëm, nuk ka arritur t’i tejkalojë me asnjë syresh të “prodhuara” në folenë e borgjezisë europiane, ku në vitin 1990 nisi ekzilin e tij politik. Dhe kjo ka ndodhur se “balta” e arës së krijimtarisë së tij, nuk është baltë e vatanit, por e huazuar nga vendet e tjera. Ismail Kadare, duke përdorur historinë e disidentëve të mësipërm rus, na thotë ne bashkëkohësve, dhe më shumë brezit që do të na pasojnë, se edhe ai ka qenë “disident” i Socializmit Shqiptar dhe i “diktatorit” Enver Hoxha. Por ngaqë nuk arriti të ishte “disident” i hapur, tani në pleqëri, thur legjenda për të tjerët, me shpresën që lexuesi të krijojë bindjen se Kadare, në thelb, ka qenë një disident i vërtetë në veprat e tij letrare të “dyfishta” në subjekt e në mesazh.
Për ta hedhur poshtë këtë pretendim, po sjell një episod nga veprat e tij letrare, botuar këtu e një gjysëm shekulli më parë në kohën kur Shqipëria ndërtonte me sukses socializmin. Është fjala për Romanin historik “Dimri i madh”, personazh i të cilit është pikërisht udhëheqësi i madh i popullit shqiptar, Enver Hoxha, që Kadare mundohet sot ta njollosë me epitetin “Dktator”, siç bënin kolegët e tij të vjetër të Rusisë, për Stalinin. Episodi në romanin “Dimri i madh”, bën fjalë për një moment kur Enver Hoxha, pas fjalimit të tij të famshëm në sallën Gjeorgjevskaja të Moskës, dhe pas takimeve të nxehta me të dërguarit e Hrushovit në vendin ku ishte akomoduar delegacioni shqiptar, zbret tek holli i ndërtesës dhe hyn në bisedë me punonjësit që shoqëronin delegacionin. Gjatë bisedës më punonjësit në fjalë, Enver Hoxha kërkon nga shërbimi një kafe, të cilën e piu gjer në fund, dhe e vendosi filxhanin bosh të kafes mbi tavolinën e vogël para tij. Për këtë moment, Kadare shkruan në roman afërsisht kështu: “Të gjitha plakat e Shqipërisë, po të kishin mundësi, do të turreshin të shihnin filxhanin e Enver Hoxhës”. Kjo frazë, ndonëse në formën e një bestytnije, e ngre shumë lart figurën e Enver Hoxhës, më lart se çdo lëvdatë tjetër në prozë apo në poezi.
Kush e detyroi Kadarenë ta shkruante këtë frazë? Askush, veç bindja e tij mendore e shpirtërore. Po, pse ndryshoi kjo bindje mbas ‘90-s? Sepse ai u vu në shërbim të atyre që nuk lanë gur pa lëvizur për përmbysjen e Socializmit në vendin tonë. Dhe shërbëtori doemos duhet të zbatojë “misionin” e ngarkuar.
Në këto ujëra të turbullta të “disidencës” së imagjinuar, për fat të keq bie edhe autori i shkrimit që komenton librin e Kadaresë për “Sunduesit që grinden”. Si shkrimtarit, edhe gazetarit, ndonëse kanë jetuar e punuar me devotshmëri për socializmin për rreth katër dekada, tre dekadat e të të ashtuquajturës “demokraci borgjeze”, ua kanë ndryshuar kahjen e konceptit pë lirinë e krijimit artistik. Poetët e shkrimtarët, sipas tyre, duhet të kenë liri të plotë krijimi dhe pa angazhime të përcaktuara. Mirëpo, filozofia e Kadaresë dhe Islamit për rolin e letërsisë dhe të artit në shoqëri, është jo vetëm i gabuar, por tepër reaksionar. Në asnjë sistem shoqëror, qoftë dhe në komunizëm, nuk mund të këtë krijimtari letraro-artistike të paangazhaur, e cila nuk vihet në shërbim të shoqërisë dhe progresit të saj.
Gazetari i mirënjohur Bedri Islami, e emërton shkrimin e tij “Shkrimtari përballë diktaturës”, që për rastin e Kadaresë, është emërtim i gënjeshtërt. Kadare nuk ka qenë asnjë dekik përballë “diktaturës”, por në superstrukturën e shtetit Socialist, i respektuar, i ndihmuar dhe inkurajuar nga Partia Komuniste dhe Udhëheqësi i saj Enver Hoxha. Kadare, në kohën e socializmit, ka qenë siç thotë populli, “si veshka në mes të dhjamit”, pozicion që nuk arriti ta fitonte në “dhjamin” e kapitalizmit. Ndaj dhe “dyzimi” do ta shoqërojë gjer në fund të jetës. Për fat të keq, edhe gazetari Bedri Islami, pa asnjë arsye themelore, i vihet në krah shkrimtarit të madh, duke rrëshqitur në të njëjtat ujëra të turbullta. Frymëzuar nga “legjendat” pa mit të Kadaresë, Bedriu shkon edhe më tej. Në listën e gjatë të disidentëve të “Diktaturës” nga fusha e letrave të artit, nuk mungon të futë edhe personazhe, që vetë kolegët e tij të gazetës DITA, i kanë konsideruar “persona të dënuar meritueshëm”.
Por ajo që na çudit e na neverit më shumë sot, është mungesa e angazhimit të armatës së inteligjencës për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit, i cili në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, u gatit të shijonte “parajsën e demokracisë”, por realisht përfundoi në “ferrin e gërrmërkracisë”. Një pjesë e mirë e intelektualëve tanë, përfshi dhe intelektualin dhe shkrimtarin e madh, Ismail Kadare, në vend që ti dilnin në krah popullit dhe vendit, u bënë mashë e të huajve për “dhjetë aspra” të qelbura, e ndonjë “titull” të rremë.
Populli i don dhe i respekton intelektualët, sepse ata janë njerëzit e dijes. Por këta të fundit jo të gjithë ua shpërblejnë qytetarëve, taksat e të cilëve i kanë bërë të ditur. Madje një pjesë jo e vogël e mohojnë plotësisht popullin dhe vendin e tyre, ndaj dhe përsëris edhe njëherë tog-fjalëshin sarkastik: “Intelektualët janë fatmirësia e popullit, dhe fatkeqësia e tij”!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk