Interivista në “Bota sot”: Sputnik dhe Tanjug në Prishtinë dhe Tiranë

22
Jun
2025

Mekuli: Rrëfimi i Beogradit dhe Moskës për Kosovën po treghet shqip nga gazetaria jonë
Në vorbullën e propagandave të ndryshme, së fundi është theksuar, rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete në gjuhë të ndryshme, tash e një vit është aktiv edhe për audiencën shqipfolëse.
Kjo ka të bëjë me një rrjet që përdor automatizimin për të krijuar me shpejtësi qindra artikuj – shpesh të bazuar në përmbajtje nga mediat ruse, të cilat janë të ndaluara nga Bashkimi Evropian.
Sipas raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, të publikuar të mërkurën nga portali Hibrid.info, i cili monitoron dezinformatat për Kosovën në media, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë për audiencën shqipfolëse përmes faqeve të ndryshme në internet, të maskuara si portale informative
Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës, Gëzim Mekuli.
Sipas tij, disa nga qëllimet e propagandave ruse janë nënshtrimi i mendjeve shqiptare dhe formimi i kombeve të tjera brenda kombit shqiptar.
“Rrjeti propagandistik i spin doktorëve rus, që në mënyrë të rreme reduktohet vetëm te “Pravda”, nuk ka hyrë në hapësirën shqipfolëse për të na informuar, por për të na rikolonizuar mendërisht.
Qëllimi i tij është i qartë: të nënshtrojë dhe kontrollojë mendjen kolektive shqiptare, të shpërbëjë ndjeshmërinë tonë ndaj së vërtetës historike, të krijojë kombe të tjera brenda kombit shqiptar, dhe të shkatërrojë nga brenda përpjekjet tona për liri, bashkim, shtet dhe drejtësi.
Ky pushtim retorik nuk bëhet me tanke, por me mikrofonë e televizion; nuk ndodh me kallashnikovë, por me artikuj të përkthyer nga rusishtja dhe serbishtja. Nuk kryhet nga ushtarë serbë apo rusë, por nga “gazetarë”, “opinionistë” dhe media që kanë braktisur misionin e gazetarisë dhe janë vënë në shërbim të interesave të huaja”, deklaroi ai.
Po ashtu, Mekuli konsideron se disa propaganda serbo-ruse po bëhen edhe nga disa media shqip.
Në këtë rast, përmendi një deklaratë të gazetarit Mirena,
“Kur propaganda serbo-ruse flet shqip…
Ja një shembull konkret: deklarata e gazetarit Ilir Mirena, i cili tha se “UÇK e ka provoku Serbinë për me bo masakra”, nuk është një lapsus. Është fjali e përpunuar nga makineria propagandistike e Beogradit dhe Moskës, e që sot artikulohet shqip.
Kjo është një fjali e rëndë dhe akuzuese, që mund të përdoret nesër në një tribunal ndërkombëtar për të përmbysur faktet çlirimtare të shqiptarëve dhe për të paraqitur Serbinë si viktimë. Është fjalia që prej vitit 1878 e prodhon “Tanjug”-u dhe “Sputnik”-i, dhe që sot qarkullon pa filtër në redaksitë tona.
Dhe këtu ngrihet pyetja e hidhur: Kur kjo propagandë serbo-ruse mbillet brenda vetë gojëve tona, a nuk jemi duke hapur varrin e historisë sonë me lopatat e Moskës dhe Beogradit?”
Në vazhdim, përmendi edhe Gykatën Speciale, ku në këtë rast parashtroi edhe disa pyetje të rëndësishme mbi këtë projekt.
“Gjykata Speciale: një projekt i “drejtësisë” apo një produkt i spin doktorëve të propagandës ruse dhe serbe?
Kur u krijua Gjykata Speciale, që ndjek vetëm një palë të luftës, luftëtarët e UÇK-së, ku ishte reagimi i mediave shqiptare? Shumica ose heshtën, ose e mbështetën si “domosdoshmëri për drejtësi”. Por drejtësi për kë? Për viktimat e Prekazit, Reçakut, Mejës, Poklekut, Krushës, Çyshkut?
Këtu duhet të pyesim me zë të lartë dhe pa pikë frike: A është edhe krijimi i Gjykatës Speciale për UÇK-në një produkt i propagandës ruse dhe serbe? A është kjo gjykatë rezultat i një klime publike të përgatitur nga brenda, përmes mediave dhe politikave tona të nënshtruara ndaj rrëfimit të Moskës dhe Beogradit për shqiptarët dhe Kosovën?
Unë mendoj se po. Dhe e them me bindje: ata pak gazetarë që guxuan ta sfidojnë këtë projekt të padrejtë, u izoluan, u përjashtuan nga debati publik, dhe u etikatuan si “ekstremistë”, “komunistë” apo “nacionalistë””, theksoi ndër të tjera ai.
Tutje, njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës përmendi edhe zhvillimet në veri, të cilat shpesh u përcollën me reagime dhe deklarata nga më të ndryshme.
Madje, janë cilësuar edhe si ekspertimente vendimet e qeverisë së Kosovës.
“Sot, Kosova shtrinë sovranitetin në veri; dhe disa gazetarë e quajnë “eksperiment”.
Për herë të parë pas luftës, Kosova shtrin kontrollin në veri, dëbon bandat kriminale, vendos ligjin dhe institucione shtetërore dhe në vend të përkrahjes, disa media e quajnë këtë veprim “eksperiment”.
Konkretisht: një nga zërat që artikuloi këtë propagandë të huazuar ishte Flutura Kusari, e AGK-së, e cila deklaroi se “po testohen eksperimente në veri”.
Por a është “eksperiment” kur një shtet e shtrinë kontrollin mbi territorin e vet? Apo është kjo një mënyrë tjetër për ta kriminalizuar qeverinë e Kosovës dhe për të amnistuar strukturat paralele të Serbisë; përmes retorikës së përkthyer nga Beogradi dhe Moska?
Këto nuk janë vetëm mendime. Janë skema të provuara ndërkombëtarisht”, shpejgoi Mekuli.
Gjithashtu, tha se është një armë reale, propaganda ruse, e që për të cilën përmendi disa shembuj të ndryshëm.
“Propaganda ruse nuk është abstraksion. Është një armë reale, me pasoja konkrete. Ja disa shembuj të dokumentuar:
1. SHBA – Zgjedhjet 2016: Rusia ndërhyri përmes rrjeteve sociale për të polarizuar opinionin dhe ndikuar rezultatin zgjedhor.
2. Britania – Brexit: Rusia nxitoi ndarjen nga BE përmes fushatave që shfrytëzonin ndjenjat anti-europiane
3. Franca – Zgjedhjet presidenciale 2017: Kandidati Macron u godit me një fushatë të orkestruar dezinformimi, ndërsa kandidatja pro-ruse Le Pen mori përkrahje nga Kremlini.
4. Mali i Zi – 2016: Rusia tentoi grusht shteti për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.
5. Republika Çeke – Pandemia: Fushatat ruse përhapën lajme të rreme rreth vaksinave dhe BE-së, duke krijuar panik dhe mosbesim”.
Ndër të tjera, Mekuli tha se Rusia nuk vepron vetëm përmes “Pravda”, por edhe me disa media që paraqiten si shiptare, ku sipas tij ata financohen me fonde të dyshimta.
Ai përmendi edhe rreziqet që vijnë nga këto propaganda, e që sipas tij retorika ruse nuk duhet të lejohet assesi.
“Kosova nuk është përjashtim; është cak.
Rusia nuk po vepron vetëm përmes “Pravda”-s. Po vepron përmes portaleve dhe televizioneve që duken shqiptare, përmes “ekspertëve” me fonde të dyshimta, përmes rrjeteve sociale, përmes llogarive të rreme dhe përmes një mendimi të përkthyer, jo vetëm nga rusishtja, por nga vetë gjuha jonë, e kthyer kundër vetes
Dhe kur shqiptari nis të dyshojë te lufta e tij, te kombi i tij, te shteti i tij, ajo ose ai është i çarmatosur. Nuk ka më nevojë ta pushtosh një vend me tanke. Mjafton ta pushtosh me rrëfime e me informacione.
Nëse nuk e ndalim këtë kolonizim të trurit, nesër do të kemi një histori tjetër: Një UÇK që do të quhet “provokatore”, një Serbi që do të dalë “e viktimizuar”, dhe një Kosovë që do të mbetet “eksperiment i dështuar” me “kosovarë” dhe me “jugosllavë”.
Këtë nuk guxojmë ta lejojmë; këtë retorikë ruse nuk do t’a lejojmë.
Jo për të kaluarën, por për të ardhmen. Jo për karrierat tona, por për të vërtetën tonë kombëtare. Jo për pushtet, por për shtet. PIKË”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk