INTERNACIONALJA E AGRESIONEVE AMERIKANE  OSE… “BORDI I PAQES”

27
Feb
2026
Shkruan: Ylli Meçe
(Liria e popujve të tjerë është po aq e shenjtë sa dhe e jona).
Një nga ”shpikjet” më të papritura të presidentit Amerikan D. Tramp, është dhe i ashtuquajturi “Bord i Paqes”, i cili për nga kuptimi figurativ, më jep idenë e pikturës me famë botërore “Darka e fundit” të njërit prej korifenjve të artit figurativ te Italisë mesjetare e të periudhës së rilindjes L. De Vinçit. Në këtë pikturë, ideja qendrore le të kuptohet se në darkën e shtruar dhe prej 12 apostujve të pranishëm në këtë gosti, Jezu Krishti nuhat se një prej apostujve është tradhtari (pra që ja ka me hile Krishtit)….. teksa mua ato të 25-30 vende apo miq të ftuar nga Trampi e me dëshirën e tyre, të ulur në tryezën amerikane të “Bordit të Paqes” më japin idenë, se vet Donald Trampi në rolin e Jezuit është ai tradhtari i cili jua u ka me hile të gjithë të pranishmëve në këtë gosti të organizuar, drejtuar dhe orkestruar, pikërisht prej një hileqari e kryemashtrues kalibri.
Mirë gostia që shtrohet “falas”
(sepse i paguajnë popujt), po këta miq apo krushq të armatosur, në mbështetje të çdo lufte ku kanë interes amerikanët dmth “paqe alla amerikane”, me topa, tanke, avione, raketa e deri ne armë atomike, a nuk e kuptojnë se me 1 miliardë dollarë vetëm sa për tu regjistruar, do të thotë se “gostia” e shtruar është e paguar nga vet pjesëmarrësit madje në mënyrë të shumëfishtë, sepse këto miliarda do u hiqen popujve të çdo vendi dhe ajo që është më kryesorja, këtej e tutje “Paqja”
(nënkupto luftën për interesa të Amerikës) do të mbrohet me gjakun e popujve të vendeve të bordit pjesëmarrës?!.
Nuk e dijnë këto vende, se Amerika, as ka patur ndonjëherë dhe as nuk ka ndonjë vend mik? Nuk e dijnë këto vende se Amerika kudo në rruzull nuk pranon miqësinë përveçse vendeve servile madje dhe mbas të ashtuquajturës miqësi ata llogaritin vetëm… interesat d.m.th. se ç’mund të fitojnë prej tyre?!
Amerikanët, si hileqarë dhe matrapazë që janë, për ta bërë këtë forum madje dhe për t’i dhënë karakter internacional me një rëndësi të madhe ndërkombëtare, vet Trampi gati- gati po e zëvendëson atë, apo më saktë, po krijon një ” NEW ONU” (OKB- të re) që garon dhe rivalizon të vjetën.
Ujku plak D. Tramp i thekur në allish verishe fitimprurëse, për të shmangur dhe bërë të pa vlefshëm çdo vendim të OKB-së që bie ndesh me interesat amerikane dhe këtu nënkuptohet Rusia- Kina- Evropa – etj, ai jo pa qëllimi organizon ”Bordin e Paqes” duke e sfiduar dhe vendosur veton për çdo vendim që bie ndesh me interesat e Amerikës dhe jo pa qëllim ai në gjithë fushatën e zhvilluar, për t’u ulur në poltronin e Presidentit përdori sloganin ”Amerika the first” (Amerika e para) që do të thotë se ai këtej e tutje, është i gatshëm të ndërhyjë me trupa kudo ku ka interesa Amerika.
Kjo nismë, sigurisht që shikohet me dyshim dhe shqetësim të madh nga superfuqitë e tjera si Rusia, Kina, pjesa më e madhe e Evropës, India apo dhe vendeve të tjera që e kanë kaluar fazën kapitaliste dhe kanë kaluar në imperializëm.
Prishja e balancave jo vetëm se i alarmon fuqitë e tjera imperialiste, por i detyron që dhe ato të marrim masat e tyre duke ju përgjigjur me metoda po imperialiste.
Megalomania arrogante e Trampit, kalon çdo cak , teksa ai emëron vetveten president të përhershëm të këtij forumi. Aktualisht bota në këto nisma parandien tragjedi të mëdha.
Por, sa për të qeshur kur humori fillon me Shqipërinë dhe vendet e tjera të varfëra, madje aq të varfëra saqë nëse do shpreheshim në mënyrë figurative këto vende nga varfëria e madhe shkojnë në banjo një herë në javë për t’u menderosur… Pra, për çudinë më të madhe, Rama ynë i kudondodhur me karagjozllëqet e tija e për tu dukur, mbasi mbaroi punë me puthjet dhe përgushjet me Melonin, pse jo dhe për të luajtur rolin e një personazhi të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, vrapoi së bashku me Presidenten e “gjysmë Shqipërisë së pa bashkuar” për tu anëtarësuar në këtë bord, që në fakt në mënyrën më të dukshme dhe pa as me të voglin dyshim, në thelb është ide e krijimit të një forumi agresiv që miraton për të ndërhyrë me luftë atje ku prishen dhe cenohen interesat amerikane.
Ky Rama ynë, a e ka marrë miratimin e Kuvendit që vendosi për bijtë tanë të shkojnë e të vriten për Amerikën ku ja do qejfi asaj ? Ky Rama ynë ku do i gjejë 1 miliradë dollarë, apo punë e madhe se i paguan populli fukara nga ku çdo shqiptar deri tani, madje dhe një bebe e porsa lindur i kemi borxhe bankave të huaja nga 6-7 mijë dollarë çdo individ?! Po ushtarët ku do t’i gjejë kur ne nuk kemi fare
ushtri ?!
-E theksoj me germa kapitale që Shqipëria NUK KA AS USHTRI DHE AS MBROJTJE, ose më saktë e gjithë kupola e Ministrisë sonë të Luftës ( jo mbrojtjes… se ne s’kemi aspak mbrojtje) ngrihet mbi bazën e 5-6 mijë ushtarëve të cilët do shkojnë mercenarë në vendet e nxehta të luftës atje ku përleshen popujt për interesa të imperializmit.
Do të pranojnë bijtë e shqipes, p.sh të shkojnë në Gaza për paqe e për teka të sionistëve izraelitë, ku ka interesa dhe vet Amerika pikërisht në atë vend agresiv ku Izraeli deri tani ka vrarë 17 mijë fëmije e mbi 70 mije viktima në konfliktit?!
Ku do t’i çojmë djemtë tanë në Gaza, atje ku Jared Kushner dhëndëri i Trampit së bashku me Ivankën që mbasi ëndërruan dhe projektuan Sazanin që ta bëjë të vetin, tashmë do kërkojë të ndërtojë një resor me përmasa gjigante turistike përgjatë Lindjes së Mesme, që të rrisë fitimet me miliarda mbi kurrizin dhe gjakun e popujve?
Çdo i ri shqiptar i ndershëm demokrat, socialist, komunist, ballist, apo dhe i pa parti, duhet të dijë ta ruaj dinjitetin e të qenurit shqiptar. Kurrë nuk duhet të harrojmë periudhën e Enver Hoxhës dhe shokëve të tij luftëtarë, nga ku populli shqiptar dhe rinia heroike e asaj kohe ishte një ndër mbështetësit e zjarrtë të lirisë pavarësisë dhe sovranitetit të popujve aq sa fituam respektin e gjithë vendeve përparimtarë të botës. Shqiptari s’duhet të shkojë si mercenar ( ushtar me pagesë) që në emër të interesave amerikane, apo ndonjë vendi tjetër imperialist, të shesin e blejnë dinjitetin për Amerikën apo për të tjerët, të cilën deri tani askush nuk i ka kërcënuar, veçse ç ‘kane kërcënuar dhe pushtuar e të na i kthehen në të pastajmen bijtë tanë me nga një arkivol në Shqipëri, madje dhe sipër arkivolit me kurora dhe një “medalje trimërie” ku shkruhet:
 “Rënë për të mos vdekur kurrë”!
Asnjë herë nuk duhet të harrojmë se liria e popujve të tjerë, është po aq e shtrenjtë sa dhe e jona.
Të mos kthehemi si dikur në kohën e Turqisë që bijtë e shqipes shkonin si jeniçerë nëpër shkretëtirat arabe, teksa vet ishim të pushtuar e nën thundrën e Turqisë.
Nëse shqiptarët marrin pjesë në kurthin e ngritur të “Bordit e Paqes”, ne që në atë moment, jemi kthyer nga një vend mik i popujve…në një vend armik i popujve, i atyre popujve që luftojnë për liri- pavarësi dhe identitet kombëtar.
Hyrja e Shqipërisë nëpërmjet Ramës në këtë forum ndërkombëtar të mbështetjes së luftërave agresive amerikane, është bërë një fakt i kryer, akt ky, i cili shënon dhe një nga turpet më të mëdha të Shqipërisë për shekullin e XXl.
—-
 “Sot”News- dt.26.02.2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/02/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk