Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Në zyrën e Kompanisë Tregtare mbahet intervista për vlerësimin e aftësive të punëtorëve për punësim. Në zyrën e kompanisë është paraqitur një kandidat që kërkon punë, ndaj instruktori i parashtron pyetjet sipas gjendjes aktuale. Në pyetjen e parë që ia parashtroi instruktori kandidatit për punësim ishte: “Çka mban nxënësi në dorë gjatë udhëtimit me autobus?”. Kandidati në fillim u habit për pyetjen aktuale, kishte menduar që instruktori do ta pyeste për ndonjë temë tregtare, siç është shitja e mallrave me shumicë dhe pakicë, jo për gjëra aktuale, prandaj u përgjigj që nxënësi mban librin. Për fat të keq, instruktori i kompanisë nuk e miratoi përgjigjen, ia ktheu që nxënësi e mban mobiltelefonin. Në pyetjen e dytë “Me se shkruan studenti në shtëpi?” kandidati përgjigjet që studenti shkruan me laps kimik. Mirëpo instruktori kundërshtoi, tha që studenti shkruan me tastierë kompjuterike, pasi që lapsi i përmallshëm ka vajtur në muze. Vështrimi i instruktorit të kompanisë tregtare ishte i zymtë, kandidati frikohej në mos gabonte në mes përcaktimit të lapsit kimik dhe stilografit. Për fatkeqësinë e tij, zyrtari i kompanisë nuk e miratoi.
Në vazhdim, në pyetjen e tretë të instruktorit se çka urrejnë njerëzit më së shumti në botë, kandidati u përgjigj që njerëzit i urrejnë mashtruesit. Përkundrazi zyrtari i kompanisë tregtare ia ktheu se njerëzit më së shumti e urrejnë dashurinë, pasi që mashtrimi njeriun e bën më të zgjuar. Ishte një kundërpërgjigje fort e çuditshme e instruktorit. Tmerr ta shikoje. Duket se zyrtari ka përjetuar ndonjë tradhti nga e dashura e tij, prandaj kandidatin fatkeq e torturonte me pyetje të ngjarjes vetjake.
Në radhë erdhi pyetja e katërt e instruktorit të kompanisë, siç thotë Shekspiri të jesh apo të mos jesh, ishte kusht për të kaluar provimin. Pyetja ishte se a duhet besuar gomarit që pëllet në ahur, apo pronarit që thotë se nuk ka gomar. Kandidati u gjend në pozitën e vështirë, më në fund përgjigjet që duhet besuar gomarit. O, sa keq e pësoi kandidati, instruktori i kompanisë tregtare e mohoi, i tha se duhet besuar fqinjit, jo gomarit. Ndërkaq pyetja e pestë ishte se cila edukatore në kopshtin e fëmijëve është më e pashme: me tatuazh zogu apo me zambak në krah? Dihet është pyetje provokuese, prandaj kandidati pa humbur kohë përgjigjet që tatuazhi i zambakut është i bukur, si për nga dukja ashtu edhe për nga rëndësia e saj, pasi që pa lulen as zogu në lis nuk këndon. Mjerë kandidati, edhe këtu pësoi disfatë, prandaj instruktori ia priti duke i thënë: “Asnjërën! Për shkak se tatuazhi në trupin e edukatores bie në sy, me anën e së cilës fëmijët mund të shpërqendrohen në orën e mësimit, prandaj asnjëra prej tyre nuk i plotëson kushtet për edukatore”. Kuptohet, kandidati u mashtrua, mirëpo falë pësimit, fitoi njohuri strategjike.
Në radhë erdhi pyetja e gjashtë, siç thuhet, më e tmerrshme se tjetra. Pyetja e instruktorit ishte se ç´do të bënte nëse në autobus gjendet një duhanik, një alkoolist dhe një vrasës, kandidati u përgjigj se do të priste autobusin tjetër. Mirëpo kur instruktori i ndërmarrjes ndërhyri se ç´do të bënte nëse edhe në autobusin tjetër ndodh e njëjta gjë; atëherë kandidati shtoi se më me ëndje do të ecte këmbë. Kësaj radhe instruktori e miratoi, tha që ishte ide e mirë. Pyetjes së shtatë të instruktorit si quhet fluturuesi fantastiko-shkencor që fluturon në qiell, kandidati u përgjigj që është piloti. Megjithatë instruktori, si organ zyrtar i ndërmarrjes, nuk e miratoi. Për fat të keq, ka qenë pyetje lehtë. Edhe fëmijët e dinë që piloti fluturon, mirëpo pa aeroplan nuk fluturon dot. Megjithatë, fluturimi i pilotit me aeroplan dhe i astronautit me anije kozmike nuk është fantazi, është realitet. Prandaj për fluturuesin fantastiko-shkencor në qiell instruktori tregoi se është spidermani. E tmerrshme, fantazia e fëmijëve ka pushtuar botën. Duket qartë, më i lavdishëm është bërë spidermani se piloti i aeroplanit dhe se astronauti i anijes kozmike.
Papritur instruktori parashtroi pyetjen e tetë mitologjike se a ka qenë Zeusi i moralshëm, për të cilin mësohet qysh në bankat gjimnazit, prandaj kandidati përgjigjet latinisht: “Quod licet Jovi, non licet bovi”. Ndërkaq instruktori me ironi ia ktheu se çka i ka hije demit, nuk i ka hije Zeusit. Megjithatë instruktori kishte të drejtë, pasi që ndonjëherë sunduesi i qiellit, Zeusi, nuk është i moralshëm. Siç dihet Zeusi në formë të shiut të artë e ka dhunuar bijën e mbretit të Argosit, Danejan, me të cilën lindi Perseun, ndërsa në formën e mjellmës e ka dhunuar Ledën, gruan e mbretit të Spartës, Tindarit, me të cilën lindi Helenën, që me bukurinë e saj shkaktoi luftën e Trojës. Sot shprehja “Shiu i artë” ka kuptimin e pasurimit që derdhen në xhepat e politikanëve borgjezë, me anën e së cilës nxitë garën e armatimit për luftë.
Në pyetjen e nëntë në fushën e tregtisë pse kasapi prej kasapit nuk blen suxhuk, kandidati përgjigjet që kjo ndodh pasi që të dytë bëjnë të njëjtën punë. Në këtë rast instruktori shtoi sepse të dytë sabotojnë me mishin e gjedhit që kushton shtrenjtë. Ndërkaq kandidati shtoi se kasapët për përfitime financiare mishin e gjedhit e përziejnë me mishin e pulës që kushton lirë. Në këtë rast instruktori ndërhyri duke shtuar se ka edhe më keq se mishi i pulës, kasapët bëhet aq kokëngjeshur sa që në suxhuk fusin mishin e kafshës së ngordhur. Atëherë kandidati tha se për sabotimin e mishit duhet të merret komisioni, ata nuk duhet të flenë.
Në pyetjen e dhjetë dhe të fundit të instruktorit se cili është më i rrezikshëm, peshkaqeni apo duhani, kandidati u përgjigj drejt, duke thënë se duhani është dy herë më i rrezikshëm se peshkaqeni, një sepse është i dëmshëm për shëndetin, dhe dy sepse shkakton varësinë, prandaj instruktori i qendrës tregtare e miratoi. Përgjigja e kandidatit instruktorit i bëri përshtypje, sa që në shenjë miratimi e ngriti pëlqerin. Ishte shenjë e mirë se do të kalonte në provim. Për fat të keq, kandidati nuk kalon në testin për punësim, pasi që në shumicën pyetjeve nuk ishte përgjigjur drejt.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!