Sabotimi i Shtetit, Një Postim Pas Tjetrit

02
May
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti


Një sharllatan i maskuar si gazetar ekspozoi shtyllën e sigurisë së Kosovës, duke i përqeshur masat mbrojtëse për një kryeministër të shënjestruar për atentat. Kjo nuk është satirë; është sabotim.
Në një mëngjes pranveror në Prishtinë, ndërsa kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dilte nga godina qeveritare, një formacion i oficerëve të mbrojtjes së afërt e rrethoi me një saktësi thuajse ceremoniale. Lëvizjet e tyre ishin të koreografuara dhe të stërvitura, me sy të mprehtë, e me hapa të matur. Ajo që duhej të ishte një paraqitje rutinë e protokollit shtetëror të sigurisë, u shndërrua, brenda pak ditësh, në objekt talljeje dhe përqeshjeje në një varg postimesh në rrjetet sociale nga Berat Buzhala, një nga figurat më të ekspozuara të mediave në Kosovë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në fund të prillit 2025, përmes katër postimeve të njëpasnjëshme në Facebook¹, Buzhala u përpoq të zhvlerësonte jo thjesht nevojën për mbrojtje të kryeministrit, por vetë konceptin e shtetit si strukturë mbrojtëse. Ai postoi imazhe dhe komente të shoqëruara me ironi të hollë, emoji dhe tallje, të cilat shkonin përtej satirës: ato zbulonin fytyrat, itineraret e lëvizjeve dhe madje pajisjet specifike të ekipit të mbrojtjes. Kjo nuk është satirë, është sabotim.

Fushata nisi me publikimin e një harte që tregonte rrugën midis dy ndërtesave qeveritare, duke lënë të nënkuptohej se Kurti lëvizte nën mbrojtjen e së paku dhjetë truprojave të armatosura. Postimet pasuese sollën fotografi që ekspozonin oficerët individualë, formacionet taktike të tyre dhe faktin që njëri prej tyre mbante një mburojë “antiplumb”, siç e përshkroi Buzhala. Në imazhin e fundit, kjo mburojë u rrethua me të kuqe, duke i dhënë një rëndësi të veçantë elementit taktik. Ajo që në pamje të parë mund të dukej si një shfaqje teatrore kundër paranojës qeveritare, në të vërtetë ishte një përpjekje e paramenduar për të delegjitimuar një funksion të qenësishëm të shtetit.
Pasojat janë të thella. Kryeministri i Kosovës ishte shënjestër e dy përpjekjeve të njohura për atentat: njëra në vitin 2021, dhe tjetra e parandaluar në shkurt 2025, pas publikimit të hulumtimeve tona² që e lidhën konspiracionin me sindikata kriminale rajonale dhe aktorë të inteligjencës së jashtme. Përpjekja e parë erdhi menjëherë pas rrëzimit të qeverisë së parë të Kurtit në vitin 2020, një akt që shumë diplomat tregojnë se u orkestrua nga ndërhyrje të huaja, përfshirë edhe vetë Richard Grenellin.

Në të dy rastet, siguria fizike e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një çështje urgjente kombëtare. Të tallesh me këtë mbrojtje në mënyrë kaq publike, vizuale dhe përbuzëse, nuk është vetëm një sfidim i perceptimeve politike, është një rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë e tij.
Postimet e Buzhalës bëjnë diçka edhe më të rrezikshme: ato zbulojnë identitetin e oficerëve të mbrojtjes së afërt ndaj mijëra shikuesve, ndër të cilët mund të ketë edhe individë me qëllime armiqësore. Në çdo demokraci funksionale, anonimiteti i forcave të sigurisë që mbrojnë drejtuesit shtetërorë është i paprekshëm. Këta oficerë dhe familjet e tyre jetojnë nën kërcënim të vazhdueshëm, dhe ekspozimi i tyre i bën ata dhe të afërmit e tyre të cënueshëm. Zbulimi i fytyrave, lëvizjeve dhe konfigurimeve taktike është një skemë inteligjente për çdo aktor keqdashës që dëshiron të përfitojë.

Në kontekstin e Ballkanit, ku përzihen krimi i organizuar, inteligjenca e huaj dhe tensionet e pazgjidhura të pasluftës, ky lloj ekspozimi nuk është mungesë profesionalizmi gazetaresk. Është sabotim aktiv.

Në Mbretërinë e Bashkuar, identifikimi nga mediat i oficerëve të sigurisë që mbrojnë familjen mbretërore apo Kryeministrin do të sillte pasoja të menjëhershme ligjore. Ligji britanik, përfshirë Aktet mbi Sekretet Zyrtare dhe dispozitat e Aktit të Terrorizmit të vitit 2000, e ndalon shpërndarjen e materialeve që mund të identifikojnë agjentë të sigurisë. Gazetarët që e shkelin këtë rregull, përballen jo vetëm me ndëshkime penale por edhe me përjashtim nga komuniteti profesionist.

Në Shtetet e Bashkuara, Shërbimi Sekret funksionon nën një vello të rreptë konfidencialiteti operacional. Shpallja e identitetit të agjentëve apo taktikave të tyre nuk tolerohet, edhe kur mbrohet nga Amendamenti i Parë. Redaksitë e dinë mirë vijën që ndan lirinë nga përgjegjësia. E njëjta qasje vlen edhe për Gjermaninë, Francën, dhe Holandën, ku gazetaria është e lidhur ngushtë me detyrimin qytetar.

Fakti që Buzhala, i cili pretendon të jetë gazetar, i shkel këto norma themelore, nuk është thjesht neglizhencë, është veprim i qëllimshëm.

Për të kuptuar motivin e Buzhalës, duhet parë lidhja e tij e gjatë me Richard Grenellin³, ish-i dërguari special i Donald Trump për Ballkanin. Sipas një raporti të Parlamentit Evropian mbi dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja⁴, Grenell ka qenë në qendër të përpjekjeve për rrëzimin e Kurtit në vitin 2020. Mesazhe të rrjedhura nga WhatsApp-i i vetë Buzhalës konfirmojnë bashkëpunimin e tij me Grenellin në fushata dezinformimi kundër Kurtit.

Kjo ndodhi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 në Kosovë: në një bisedë me Petrit Selimin, Buzhala zbulon se Grenell e kishte shpërndarë një nga postimet e tij pa paralajmërim, duke sugjeruar se në shumë postime të tjera ata në fakt po bashkëpunonin. Buzhala nuk është komentator apo gazetar i pavarur, është një aktor i veprimeve politike i maskuar si gazetar.
Siguria e shtetit nuk kërcënohet vetëm nga armët dhe bombat. Ajo mund të lëkundet edhe nga përqeshja, delegjitimimi dhe demoralizimi. Ajo që ka ndërtuar Buzhala me këto postime është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës së Kryeministrit për mbrojtje. Duke e kthyer sigurinë në spektakël, humorin në armë dhe masat mbrojtëse të shtetit në pretekst për ironi, ai minon besimin e publikut në institucionet që mbrojnë republikën.

Kur kujtojmë se jeta e Kurtit ka qenë më parë në shënjestër, situata bëhet edhe më e rëndë. Gjetjet e hulumtimeve tona, të konfirmuara edhe nga vetë Xhavit Haliti, ish-figurë kyçe e PDK-së⁵, sugjerojnë se një përpjekje e dytë për atentat u shmang për pak këtë vit.

Që Buzhala zgjodhi këtë moment për të publikuar dhe përqeshur sigurinë e Kryeministrit, duhet ta alarmojë çdo qytetar që ka besim te sovraniteti i Kosovës, dhe çdo zyrtarë të sigurisë në Kosovë.

Në arkitekturën e dezinformimit që kërcënon demokracitë në zhvillim, aktorë si Buzhala shërbejnë si zmadhues vendor të interesave të huaja. Fijet që e lidhin atë me Grenellin nuk janë rastësore, janë funksionale. Grenell, i lidhur me oligarkë pranë Kremlinit dhe fraksione të djathta ekstreme në Evropë, ka përdorur figura si Buzhala për të krijuar narrativa në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës.
Nga përpjekjet për të shfuqizuar tarifat ndaj Serbisë, deri te shpikja e mbështetjes diplomatike për destabilizimin e Kurtit, gjurmët e Grenellit janë kudo ku Kosova ka qenë më e prekshme. Dhe fakti që Buzhala është zëri më i zhurmshëm i brendshëm që jehon pikëpamjet e tij⁶, thotë shumë.

Në fund, këto postime nuk janë shaka. Janë harta. Janë manuale. Ato shënjojnë dobësitë. Ekspozojnë burrat që rrezikojnë jetën për të mbrojtur udhëheqësin e zgjedhur të Kosovës. Ato e përqeshin, por nën të përqeshje fshihet një strategji: strategjia e destabilizimit, e delegjitimimit, e infiltrimit përmes përqeshjes.

Buzhala është i përfshirë në një lloj fushate që në vende të tjera do të përballej me hetim penal, jo me lavdi virale.

Kosova duhet të vendosë: a do të lejojë që këto maskarada të vazhdojnë në emër të lirisë së shtypit, apo do të mbrojë institucionet e saj nga ndikimi i koordinuar dhe i dëmshëm?

Sepse rreziku, siç e kanë treguar historia dhe realiteti i sotëm, është ekzistencial.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk