INTERVISTA E GAZETES “DITA” ME JANUSZ BUGAJSKIN

05
Feb
2023

“Uashingtonit dhe Brukselit i duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ndezin konflikte të tjera përmes ndonjë kompromisi me mini-imperializmin e Beogradit. Krijimi i çfarëdo entiteti të veçantë serb në Kosovë do t’i japë zemër qeverisë separatiste serbe në Banja Luka dhe gjithashtu mund të çojë në thirrje për ndarjen e Malit të Zi” – (J. Bugajsk)
Me zotin Bugajski bisedoi bashkëpunëtorja e DITA, pedagogia Edona Llukaçaj:
DITA: Z.Bugajski, Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë po përkrahet dukshëm nga perëndimi, si nga ShBA ashtu dhe nga BE. Është e vështirë për shqiptarët në Kosovë, por në Shqipëri dhe vende të tjera që ta kuptojnë këtë presion ndaj autoriteteve të Kosovës. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë arsyet e këtij presioni, veçanërisht në këtë moment?
J. Bugajski: Uashingtoni dhe Brukseli po ushtrojnë presion mbi qeverinë e Kosovës sepse mendojnë se Prishtina duhet të bëjë një lëshim të madh në mënyrë që negociatat me Beogradin të zhbllokohen. Por unë, jam i mendimit se ata i kanë bërë llogaritë gabim, pasi Serbia dëshiron të përfitojë nga krijimi i Asociacionit, pa iu dashur të njohë shtetësinë e Kosovës.
Propozimi ka të paktën tre dobësi të mëdha. Së pari, në të mungojnë garanci të besueshme se në Asosacionin e ri të Komunave Serbe (ASM) nuk do të infiltrohen dhe se (këto komuna) nuk do të dominohen nga agjentë apo aktivistë të dërguar ose të rekrutuar nga Beogradi.
Së dyti, në propozim nuk parashikohet asnjë mekanizëm që qeveria e Kosovës të mundet të pezullojë ASM-të nëse liderët e saj shkelin kushtetutën.
Dhe së treti, ASM-të mund të gjenerojnë përçarje në mesin e komuniteteve të tjera etnike, veçanërisht nëse minoriteti serb favorizohet me institucione të veçanta dhe financime shtesë.
Në përputhje me urdhrat e Beogradit, autoritetet komunale, gjithashtu, mund të provokojnë konfrontime dhe të pretendojnë se Prishtina nuk po i përmbush obligimet e veta. Lëvizje të tilla do të projektohen për të vonuar pafundësisht objektivin e SHBA-ve dhe BE-së për njohje ndërshtetërore.
DITA: A nënkupton kjo forcimin e mëtejshëm të faktorit serb në rajon dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor? Dhe, çfarë ndikimi prisni ju të ketë kjo për Shqipërinë?
J. Bugajski: Krijimi i ASM në Kosovë mund ta ketë ndikimin jashtë saj edhe më të madh (se brenda Kosovës). Kjo mund t’ia shtojë Beogradit fuqinë të ndërhyjë në politikat e shteteve të tjera dhe të stimulojë nismat separatiste në mbarë rajonin.
Bashkësitë etnike që përbëjnë shumicën në disa komuna në një numër të pacaktuar shtetesh mund të kërkojnë status të veçantë dhe të bëjnë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pas precedentit që do të jetë krijuar në Kosovë. Këtu mund të përfshihen shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi, ata në Maqedoninë veriperëndimore dhe ata në jug të Malit të Zi; boshnjakët në rajonin e Sanxhakut të Serbisë dhe të Malit të Zi; hungarezët në Vojvodinë; si dhe serbët në Mal të Zi.
Për më tepër, eksperimenti etnik ndërkomunal në Kosovë do të ketë efekt negativ në Bosnje-Hercegovinë, ku kroatët do të inkurajohen të përpiqen për një entitet të veçantë dhe objektivat separatiste të entitetit ekzistues serb do të rriten.
Me pak fjalë, nisma e ASM-së do të rezultonte në destabilizim më të gjerë në rajon dhe të ofronte më shumë mundësi për infiltrimin e Moskës dhe destabilizim (të shtyrë) nga ana e saj.
/huazuar nga gazeta Dita/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk