JETË PËRMES KËNGËS

04
Mar
2024
Shkruan: Ymer Hysa

JETË PËRMES KËNGËS
-Vëllezërve Binjakë Ismaili-

Familja patriotike Haradini e fisit Hasalukaj nga fshati Arzhancë i Plavë Gucisë, si pasojë e ushtrimit të genocidit malazes do të shpërngulej për të ardhur në Shqipëri duke ndryshuar mbiemrin në Ismaili për të humbur gjurmët nga përndjekja që mund tu bënin serbo malazezët.
Si familje me tradita të lashta patriotike dhe në kufi me fshatin Velik të Malit të Zi do të ishte kurdoherë në mbrojtje të vendit nga çetnikët serbo malazez. Kjo i kishte detyruar ndër breza të jetonin me jataganë e pushkë në dorë.
Kulla e tyre, një fortesë e gurtë në pronësi të gjashtë vëllezërve do të digjej nga serbo malazezët tre herë në vitet 1878, 1911 dhe 1919 vit ky që ata arritën të vrasin në pabesi pesë vëllezërit duke lënë të plagosur rëndë Met Haradinin i cili ndërroi jetë më vonë në Gurëz të Kurbinit.
Rexhep Haradini ishte gjyshi i familjes Haradini që kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit të Deçanit dhe në kryengritjen masive përkrah Dedë Gjo Lulit më 1911 dhe në vitin 1912 do të ishte në Vlorë përkrah Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit.
Trashëgimtarët e familjes flasin sa me dhëmbshuri aq dhe me krenari për të parët e tyre në Azharnicë Pepaj. Tregojnë për qëndresën, por edhe për masakrat e bëra në gra e fëmijë e mbi shtëpi e prona nga serbo malazezët, Rrënqethëse kur dëgjon si janë vrarë e masakruar gra shtatzëna e gra të moshuara. Shumë e trishtë largimi nëpër natë e gjyshes Hajrie Balia Hasangjekaj me femijën e djepit për të mbërritur në Cerrem të Tropojës ku do bashkoheshin me të mbijetuarit e tjerë pas largimit nga fshati tashmë i masakruar Azharnicë Pepaj Nokshiq.
Me ardhjen në Shqipëri do të niste një jetë e re për familjen. Hajrie Balia Hasangjekaj, bija e Bajraktarit Martinaj, sëbashku me djalin e saj tremuajsh do të zbriste fillimisht në Gjorëm të Krujës sot Kurbin, për tu bashkuar më pas me të ardhurit e tjerë nga fshatrat e Plavë e Guci në fshatin Gurëz të po këtij rrethi.
Ashtu me sakrifica e përpjekje djali tre muajsh do të burrërohej para kohe duke marrë mbi shpatulla barrën e rëndë të drejtimit të familjes. Ai ishte Sadri Rexhep Ismaili që u martua me Nurie Deli Ulaj e bija e derës së Bajraktarit të Vuthaj, Deli Shpend Ulaj.
Sadri Rexhepi do të ndërtonte në Gurëz Kullën e tij në të cilën lindi dhe rrriti tetë fëmijë, gjashtë djem dhe dy vajza si dhe e shndërroi kullën e tij në sofër bujare e mikpritëse për mysafirët që vinin nga trojet etnike shqiptare.
Zgjuarsia, mikpritja, besa e trimëria do të bënin që Sadri Rexhepi të ishte një personalitet i nderuar, ku i zinte vend fjala në zgjidhjen e shumë problemeve në komunitet.
Kur nisa të shkruaj për këtë familje dëshira ime ishte të shkruaja për vëllezërit binjakë Enver dhe Saba, me të cilët isha moshatar. Ata falë talentit të tyre do të ngrinin peshë zemrat e spektatorëve të shumtë që mbushnin sallat dhe sheshet përmes tingujve të sharkisë dhe zërit të tyre brilant, por historia e mbijetesës së familjes me detyroi të shkruaj ca rradhë më shumë.
Interesante për familjen e Sadri Rexhepit ishte xhesti humanitar, që mbase pak veta e dijnë. Haxhi Ulaj dhe bashkëshortaja e tij Xhemile nuk kishin fëmijë. Ata kishin ardhur në Kurbin më 1960, vit ky që përkonte me lindjen e vëllezërve binjakë. Pikërisht në moshën nëntë ditëshe Enveri do ti falej (birësohej) dajës së tij Haxhi i cili e rriti me shumë përkujdesje. Vetë Enveri do të shprehej ” Deri në moshën nëntë vjeçare nuk e kam ditur se jam i prindërve të tjerë”.
Daja i Enverit, tashmë prind i tij ishte një këngëtar dhe instrumentist i lindur. Kënga e kishte bërë rapsod të njohur. Te shtëpia e tij, jo rrallë vinte dhe rapsodi i madh Dervish Shaqja.
Në këtë familje Enveri veç se me dashuri do të rritej dhe me tingujt e muzikës dhe këngët patriotike duke u ngjallur te ai pasioni i të kënduarit me sharki. Falë talentit të tij ai do të merrte pjesë në koncerte të shkollës dhe konkurse të talenteve të rinj nëpër shkolla. Dhe ishin këto aktivitete që do ta bashkonin në këngë me vëllain e tij Saba që edhe ai jo vetëm këndonte, por i binte dhe tupanit.
Në vitin 1981 nën kujdesin e Drejtorit të Pallatit të Kulturës Borizanë Mal Berisha do të mblidheshin zërat e rinj të rrethit të Krujës. Ata ishin të rinj amatorë por të talentuar, nga të cilët do të zbuloheshin të spikaturit si këngëtarë, valltarë, instrumentistë e humoristë. Mes të përzgjedhurve do të shkëlqenin vëllezërit binjakë Ismaili të cilët në vitin 1982 u përzgjodhën për të konkuruar në Festivalin Folkorik të Gjirokastrës, ku u pritën mjaftë mirë nga spektatorët ë shumtë që kshin mbushur kështjellën e lashtë të Argjirosë.
Do të ishte pikërisht ky sukses që në vitin 1983 do bënte të mundur përfaqësimin e folklorit të dyzet mijë vetave të trevës së Kosovës, Plavës e Gucisë që tashmë jetonin në Shqipëri.
Shkëlqimi i duetit të vëllezërve Ismaili do vazhdonte ndër vite. Kështu më 1984 futën në konkurim në Durrës, ku konkuronte edhe i madhi rapsod Dervish Shaqja, i cili i entuziazmuar nga përformanca e vëllezërve binjakë do ju dhuronte edhe sharkinë e punuar nga duart e veta.
Me kalimin e viteve, kudo dhe kurdo që jepnin koncerte vëllezërit binjakë Ismaili do të rrëmbenin zemrat e spektatorëve të shumtë që mbushnin sallat apo sheshet për tu bërë shumë shpejt pjesë e Ansamblit të Këngëve e Valleve me drejtues legjendarët Besim Zekthi e Panajot Kanaçi, duke u shpallur si rapsodët kosovarë më të mirë të këtij ansambli.
Këngët “I thojm gjakut mir se ju gjeta”, “Ti Kosovë je vet flamur”, Këng për Lidhjen e Prizrenit”, “Moj Kosov mos thuj mbarova”, apo “Jem dy vllezër dy binjak” e shumë e shumë të tjera do të bëheshin hite të kohës.
Pikërisht këto këngë do bënin që jehona e këngëtarëve Vëllezërit Binjakë Ismaili të dëgjohej edhe jashtë kufinjve të Atdheut. Kështu në vitet 1990-1995 ata do të përformonin muzikë në skena të Europës, Kanadasë dhe Amerikës.
Në konkurimin në Finlandë, si anëtarë të Ansamblit të Përmetit, Vëllezërit Binjakë Ismaili do të vlerësoheshin me Çmimin e Artë. Kudo në çdo festival apo konkurim, duartrokitjet dhe ovacionet pas këngës nuk do të ndalnin gjer sa ata do e rikëndonin këngën.
Suksesi në Zvicër ishte i pa parë. Kënga kushtuar figurave patriotike dhe historike Vëllezërve Gërvalla do të përlote gjithë sallën. Po ashtu edhe në Gjermani me Ansamblin Tirana me drejtor Haxhi Subashi dhe legjendën Ibrahim Tukiqi, apo edhe në Amerikë më 1994 me Ansamblin e Shtetit ku merrnin pjesë përkrah gjigandëve të këngës folklorike Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza.
Pikërisht këtë vit në Shqipëri Enverit do ti lindë djali i dytë Xhimiljani që sëbashku me djalin e parë Besmirin do ti realizonin në vazhdim ëndrrat e trashëgimisë muzikore.
Por si çdo familje shqiptare edhe familja e Enver Ismailit do të kërkonte të largohej për një jetë më të mirë drejtë vendeve perëndimore. Pas disa tentativash në kushte të vështira transporti i fshehur në kamionë do të arrinte të sistemohej në Danimarkë për të nisur një jetë të re.
Edhe këtu fëmijēt u edukuan me dashurinë për muzikën. Besmiri kishte prirje për producent muzikor ndërsa Xhimiljani për të kënduar. Për tju krijuar kushte të ushtronin talentin ju duhej një studio. Prindërit i’u improvizuan një studio në bodrumin e pallatit që banonin me qëllim që të mos krijonin problem me zhurmat te banorët. Aty instaluan një kompjuter dhe një piano dhe nisën të bënin provat muzikore.
Në vitin 2006 bëhet konkurimi për zërat e rinj në Danimarkë. Besmiri dhe Xhimiljani përgatisin këngën e tyre dhe e paraqesin para komisionit përzgjedhës dhe ajo u vlerësua për konkurim. Në festivalin e zërave të rinj në Danimarkë kënga e tyre u përzgjodh ndër tre më të mirat. Ky ishte sukse i madh për ta, për familjen dhe Shqipërinë, pasi të riun shqiptar Xhimiljan Ismaili e dëgjoi dhe duartokiti gjithë Danimarka.
Jo më kot shprehja “dardha bie nën dardhë” do të gjente vënd më shumë se kudo te kjo familje. Si dikur babai dhe xhaxhai i tyre edhe Xhimiljani e Besmiri do të fitonin famën e tyre, por në një vend të huaj siç ishte Danimarka që për ta u bë Atdheu i tyre i dytë. Fansat e tyre të shumtë nuk do të mungonin asnjë moment për të dëgjuar këngët e të rinjve te studio e tyre në vendbanim. Për tju shmangur keqkuptimeve dhe shqetësimëve të banorve përmes këngëve në çdo kohë familja e Enverit shpërngulet në një shtëpi private të braktisur, të cilën për hirë të fëmijëve përmes një kredije bankare dhe kursimeve të tyre e shndërruan në një shtëpi të bukur për banim dhe studio të këndëshme për të bijtë e talentuar.
Edukimi artistik do të vazhdonte pa ndërprerje gjer në vitin 2013, vit kur Besmiri dhe Xhimiljani konkuruan në MTV dhe fituan çmimin e parë. Ky sukses do ti paraprinte sukseseve në vazhdim, që ishin pothuajse vit pas viti. Ja një kronologji e këngëve të tyre
Më 18 Prill 2011, Xhimilian Ismaili publikon videoklipin “Finde Dit Smil Igen”. duke vazhduar më tej me te tjere si
Më 17 Janar 2013, me videoklipin “Hvem Gi’r Dig Lov?”.
Më 9 Qershor 2013, me videoklipin “Ved Du Har Mig”.
Më 29 Gusht 2013, me videoklipin “Skuespil”.
Më 7 Tetor 2013, me videoklipin “Ild I Min Flamme”.
Më 9 Korrik 2017, me videoklipin “Ajo Don Perignon”.
Por nuk ishte vetëm pasioni për këngën. Xhimiljani veç këngës do të angazhohej edhe në kërcim Baleti duke fituar çmimin e parë në Vild Med Dans në vitin 2021, (freestyle finale dans med Asta). Kur Juria i dorzoi çmimin duke e uruar me fjalët “Xhimiljan do mbetesh legjend e kërcimit Vild Med Dans”, gëzimi i tij dhe i familjarëve do të prekte qiejt.
Këta janë suksese të rëndësishme që ju ndryshuan jetën, i integruan denjësisht të rinjtë Xhimilian dhe Besmir Ismaili, të cilët sot radhitën mes artistëve më të preferuar të muzikës në Danimarkë. E veçantë është se ata menaxhohen nga kompania më e madhe diskografike në botë, Sony Music dhe janë ndër muzikantët më të dashur të rinisë në programet e MTV-së Danimarkës. Suksesi i tyre është shumë i mirëpritur e i vlerësuar në atë vend.
Ishin vëllezërit binjakë Ismaili, që dikur i dhanë publikut shqiptar kënaqësinë përmes këngëve të bukura folklorike kosovare, në skenat apo sheshet kombëtare. Janë sot Vëllëzërit e Rinj Ismaili në pararojën e muzikës së një vendi nga më të zhvilluarit e Evropës..
E ndjeva si obligim dhe detyrim moral të shkruaja për këtë familje patriotike dhe me vlera të larta artistike që na bën të jemi krenarë në çdo kohë. Përkrahja morale, për atë që ata bëjnë, është detyrë. Ata ndërojnë Shqipërinë kudo që janë dhe japin koncerte.
Po e mbyll me shprehjen e një mikut tim shkrimtar. “Ti falenderosh ata është shumë pak. Ata meritojnë çdo nderim. Një ditë urojmë ti shohim tek performojnë në Tiranë dhe Prishtinë ashtu si artistët e tjerë shqiptarë që u rritën skenave të mëdha të botës”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/03/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk