Jo draftit të asociacionit, nëse ka ‘kthetra’!

06
Nov
2023
Shkruan: Ramazan Bekteshi


(Prononcimi im per Bota Sot)
Me kureshtje e ndoqa fjalimin e Kurtit në kuvend për një teme të nxehtë si që është Asociacioni, një marrëveshje e dëmshme e arritur para një dekade, e nënshkruar dhe votuar në (2013 dhe 2015). Derisa, me dëshpërim përcolla reagimin e opozitës në parlament që gjatë gjithë kohës ishte e zhurmshme dhe e pavëmendshme se çka thuhej. Pra, dëgjoheshin klithma neveritëse, duke mos respektuar rregullat e kuvendit, për të marrë fjalën dhe për të debatuar sipas rregullave parlamentare.
S’mund ta kuptoj opozitën kur mundohet të ekzagjeroj se gjoja asociacioni apo vetë menaxhimi që i ofrohet Kurtit qenka një autonomi, më shumë se marrëveshja e 2013 dhe 2015. Atëherë lind pyetja, si u bë që Vuçiq i kërkon ato marrëveshje që na i solli opozita dhe assesi s’do te dëgjoj për të Kurtit?
T’i kthehem pyetjes suaj për takimin e fundit të pesëshes së BE-së, që për publikun kosovar ende mbetet me shumë të panjohura sepse drafti për Asociacionin nuk është bërë publik, dhe këtë e kërkojnë pesë emisarët nga të dyja palët që ai të mbese sekret, megjithatë Kurti zbuloi se draftin e ka ndarë me presidenten.
Unë nuk mund të spekuloj, por një pjesë të përgjigjes time mund ta bazoj te fjalimi i Kryeministrit në Parlament. Ai theksoi se “kam pranuar projektin e pesëshes, por si pjesë përbërëse e gjithë paketës” dhe kjo i bie se nuk do të ketë asociacion pa njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kryeministri Kurti po ashtu përmendi kushtin për ta nënshkruar draft-statutin për Asociacionin duke thënë se këtë do ta bënte në pako me të gjitha marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel e Ohër.
Shqetësimi im për takimin e fundit me treshen e re (Macron, Scholz, Meloni) dhe dy të përhershmit, ishte se Kurtit vazhdimisht i kërkohet të themeloj Asociacionin, derisa Serbisë nuk iu kërkua ndonjë kusht specifik me emër si i kërkohet Kosovës. Por, në kuadër te këtyre zhvillimeve ndodhi edhe një zhvillim pozitiv në takimin e fundit, treshja, për dallim nga BE, Serbisë i kërkoi ta pranoje de facto njohjen e Kosovës.
Kurti përmendi edhe dakordësimin e teksteve të marrëveshjes në letër pasuar me nënshkrim, ai tha “…forme tjetër, pa tekst, pa letër e pa nënshkrim nuk njoh…”. Derisa, ndërmjetësuesi Amerikan, Escobar pohoi ndryshe, se nënshkrimet nuk janë të nevojshme dhe se marrëveshjet janë obligative.
Një si risi tjetër është se pesëshja s’kërkon themelimin e Asociacionit por nisjen e procesit të themelimit. Si do të veproj Kurti mbetet të shihet, a do ta dërgoj draftin në Parlament apo në kushtetuese, apo askund, nëse Serbia s’e pranon njohjen. Njohja duhet të jetë thelbi i marrëveshjes, por as njohja nuk na duhet nëse Asociacioni vjen me ‘kthetra.’ Kësaj radhe në takim s’u përmend pika 7 e 10 që lidhet me vetë menaxhimin për shkak të draftit të ri.
D. Gërvalla për draftin e ri të BE-së thotë se i respekton të gjitha shqetësimet tona që rrjedhin nga kushtetuesja, por shton se marrëveshja nuk do të pranohet në copëza por vetëm si tërësi. Ajo për draftin e ri thotë: “ Modeli i ri, i cili na është prezantuar, respekton Kushtetutën e Republikës tonë, minimumi i asaj që kërkojmë është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, dhe i Kushtetutës së Republikës.”
Edhe pse Kosova u pajtua të firmoste por jo dhe Serbia, Borreli i fajësoi te dyja palët njëlloj duke kërkuar qe zbatimi i marrëveshjes të behet pa parakushte e pa vonesa, edhe pse Vuçiqi u ka thënë haptas se nuk është në gjendje ta bëjë këtë tani, derisa negociatorët vazhdojnë ta tërheqin zvarrë dialogun në drejtim të panjohur.
Se si do të zgjidhet ky lëmsh i ngatërruar keq mbetet të shihet, derisa raportimi i BE-së për agresionin serb në Banjskë vonohet, dhe fajtori kryesor endet i lire, edhe pse ideologu i gjithë kësaj ishte Vuçiq, derisa, dy lehtësuesit e dialogut vazhdojnë t’i vënë kushte Kosovës por asnjë kusht Serbisë. Vuçiq, si gjithmonë vazhdon të kërcënohet se s’do të ketë njohje asnjëherë, derisa Daçiq thotë se Kosova mund të hap ambasadë në hënë por jo në Beograd. Me këtë mendësi primitive të dy dishepujve të Millosheviqit vështirë se do të ketë marrëveshje ashtu si tentohet.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk