Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
/ Marä nga Libri i Xhemil Zeqirit:Polemika, Intervista, Debate dhe letra /
Siç lajmëron “Lajme Net” më datë 06 .07.04, një grup intelektualësh, paskan dalur me një qëndrim përkrahës ndaj sistemit të monarkisë. Kjo, ka të ngjarë sigurisht që ata janë të nxitur nga partia e Legalitetit, e pse jo edhe nga partia e Ballit Kombëtar. Këto parti simotra binjake që nga Lufta e Dytë Botërore, si përkrahëse të fashizmit italo-gjerman, ishin dhe janë për një Shqipëri monarkiste e jo republikane apo presidenciale. Kjo, do të ishte e ndershme, sikur këto parti që tani përfaqësohen edhe në Parlamentin shqiptar, të dilnin hapur e të kërkonin sërish Referendum popullor për ta këthyer Shqipërinë në sistemin monarkist, por kjo s´mund të ngjajë tek ata që prej kohësh e kanë humbur nderin në politikë dhe për pasojë edhe Referendumin e mbajtur më 1997, kur populli shqiptar i tha, JO, këtij sistemi të importuar nga Nikolla Pashiqi, që e morën të parët e tyre : Naum Sidoni dhe Xhelal Pashë Zogu, si „përfaqësues“ “të popullit shqiptar”, në kohën kur borgjezia serbomadhe s´lente gurë pa lëvizur, për ta realizuar programin e “Naçertanies” të Ilia Garashaninit, të zëvendësonte perandorinë osmane me feudalizmin serb.
Xhelal Pashë Zogu, ishte gjyshi i Ahmet Zogut, i cili më vonë lidhi miqësitë e vjetra me Nikolla Pashiqin. Dokumentat serbe tani po e vërtetojnë që Xhelal Pashë Zogu, atëbotë i bëri shërbime të mëdha Serbisë, Për këto shërbime Serbia i dha një rrogë të majme dhe për ta ruajtur konspiracionin e veprimtarisë së tij, ia ndërroi edhe emrin , me ç´rast në emër të kryqit të Savës, e pagëzoi, Stanko Ivanoviq. Ndërsa, nipi i tij , Ahmet Zogolli, njihet historikisht si bashkëpunëtor i krajlëve serbë.
Sa për ilustrim po japim këtë shkrim nga “Politika” e Beogradit, 18 mars 1998 ku midis të tjerash shkruante me titull: Liçna Garda Ahmet Begzogua ( Garda Personale e Ahmet Zogut ), ndër të tjera në këtë fejton thekson : “Në vitin 1924 u formua një brigadë solide kalorsie kozake nën komandën e gjeneralit Ullagaj. Ajo, ishte në uniformë ruse dhe e armatosur në mënyrë të përsosur. I tërë kuadri udhëheqës ushtarak ishte i Vrangjelit (gjeneral rus). Kjo brigadë shkoi në Shqipëri që me aksion të armatosur të përmbyste nga pushteti Fan Nolin dhe në vend të tij të sillte Ahmet Beg Zogun… Pas përmbysjes së Fan Nolit nga Brigada , u veçua një kolonë kalorsie dhe një batalion artilerie si gardë personale e Ahmet beg Zogut” “Politika, Beograd, 18 mars, 1998.
Në ato momente të vështira për popullin shqiptar, kur kryeministri serb Nikolla Pashiq, i cili pasi e mbajti 72 ditë në pallatin e tij në Beograd, Ahmet Zogun e nisi me një ushtri të armatosur për ta përmbysur Qeverinë e Nolit.
Kjo, tradhëti ndaj atdheut do të kurorëzohej me ikjen e tij, nga sytë këmbët, jashtë shtetit, më 7 prill të vitit, 1939, kur Italia fashiste do ta pushtonte Shqipërinë.
Po i rikëthehem pak historisë së hidhur, për sa kohë që mbreti Ahmet Zogolli e sundoi Shqipërinë.
Pas fitores së reaksionit monarko-fashist dhe rënies së pushtetit të parë demokratik në Shqipëri dhe në Ballkan , i drejtuar nga strategu demokrat Fan Noli dhe politikologu trim, Hasan Prishtina i ndihmuar nga publicisti demokrat, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rustemi me shokë, të cilët e shpallën Shqipërinë të Pavarur, me në krye plakun e Vlorës, Ismail Qemailin, filluan vrasjet, internimet dhe burgosjet me gjyqet e ligjeve të xhunglës mesjetare, kanunore e krahinoriste. Atëbotë mbretëronte rregjimi i hurit dhe i litarit, kundër çdo mendimi përparimtar, kundër të gjithë atyre që ishin kundër çizmeve të huaja të çfardo lustrash, që shkëlqenin nga gjaku i pastër shqiptar.
Si pështjellim i keq i të zezave, Ahmet Zogu do ta shpërblente Serbinë me faljen e Shën Naumit dhe Vermoshit, për ndihmën që kraili serb, i bëri për ardhjen e tij në pushtet.
Këtë po e planifikonte dikur në vitin e hidhur 1920, daja i tij, krimineli, Esat Pasha, i cili i premtonte mbretërisë të SKS-së, atje në Konferencën e Paqes në Paris, që po të vinte në pushtet, pas vdekjes së tij, kjo ta merrte nën sovranitetin e saj tërë Shqipërinë. Kjo, fatbardhësisht nuk u realizua kurrë, sepse këtij shitësi të atdheut, ia tregoi vendin e merituar, dora atdhetare e heroit, Avni Rustemi.
Njerëzit përparimtarë i revolton fakti, tani, se si është e mundur pas kaq e kaq vitesh, disa njerëz pseudointelektualë, brenda e jashtë atdheut, që hiqen se janë ajka e kombit, e në të vërtetë s´janë as hirra i tij, sepse i harrojnë të gjitha ato krime e marrëveshje fataliste që aq shtrenjtë i kushtuan Shqipërisë etnike dhe kombit shqiptar, që monarkistët fashistë i bënë me të huajt, fqinjtë tanë mizorë.
Kjo, të çon tek mendimi i kthjelluar që këta politikanë fantosh e sterilë, në politikë, të gjitha këto orvatje i bëjnë t´i shesin popullit sapun për djath, vetëm për interesat e tyre personale, ani pse kjo për çdo ditë pakufishëm çon ujë në mullinjtë e armiqëve tanë shekullorë.
Në këtë persiatje do të përpiqem që lexuesve të nderuar t´jua përkujtoj disa nga premtimet dhe parashikimet monstruoze që shumë prej tyre u dualën boshe, ndaj Shqipërisë etnike.
Me këto insinuata, brenda dhe jashtë atdheut, mund të konkludojmë lirisht që për më tepër se një dekadë, Shqipëria e ka marrë si mos më keq tatpjetën.
Këtu, janë burimet e të gjitha të këqijave që i erdhën e po i vijnë Shqipërisë – vendit të shqiponjave, siç e quanin miqtë tanë nëpër botë para vitëve 90-ta.
Argumete për këtë kemi sa një mal, që s´ka njeri që mund t´ i përshkruaj në një libër.
Këto, mund t´i përshkruajnë vetëm një grup shkencëtarësh, akademikë atdhetarë, trima e tepër seriozë në punë dhe të paanshëm ideologjikisht.
Në mos tani, le të shpresojmë që në të ardhmen , kokat e ndritura do të këthjellohen nga traumat e kësaj historie tepër rrënuese, që na çuan në prapakëthehu, në historinë tonë të re.
Le të shpresojmë që historia do të shkruhet drejt, për kombin tonë të lashtë. Që nga vitet 90-ta, dolën si këpurdhat dhe kërrminjtë pas shiu, liderë popullistë “demokratë” e monarko-ballistë si: Sali Berisha, Ibrahim Rugova, Zekeria Cana,Veton Surroi,Nevzat Halili, Uzair Uzeiri, Edita Tahiri, Milazim Krasniqi, i vetëquajturi mbret i shqiptarëve, Leka Zogu.
Ismail Kadare- i cili;
Për çmimin “Nobel” faqe ndërron:
Dje lavdronte, sot shkretëron,
Janë në lojë dhe shumë të tjerë,
Që pafundsisht, e paturpsisht,
U ka marrë koka erë!…
Tani, do të filloj sipas radhës;
Sali Berisha – e krijoi PDSH-së, me ndihmën e LKK-së, gjegjësisht, LDK-së, me I. Rugovën në krye, ndërsa LK- e moderuar e Kosovës e ashtuquajtura LDK, u themelua nën direktivën e ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Lorenc Igëllberger (dhëndër serb) dhe Lordit Karington, i cili do të ishte organizatori i Konferencës së Londrës, që e projektuan që Kosova me vise shqiptare, të mbeten nën juridiksionin serbosllav; kjo që në fillim ishte fatkeqësia jonë kombëtare.
Ibrahim Rugova- puthadori i mjerë i S. Millosheviqit, në shtator të vitit 1989, deklaronte për revistën “Start” të Zagrebit, “Millosheviqi është një stalinist”, ndërkohë që kroatët, sllovenët dhe europianët e quanin fashistë; qëllimi i I. Rugovës ishte lufta kundër Shqipërisë londineze, për faktin që Europa në atë kohë e quante Shqipërinë, shtet stalinist.
Sali Berisha, gjatë mitingjeve të para do të thërriste deri sa i ngjirej zëri: “Enver Hoxha e kishte shitur Kosovën”, ishin këto gënjeshtra nëpër qiell, poashtu, çirrej si demokrat i denjë kur thoshte, “Enver Hoxha, ka krijuar armiq të paqenë”, bënte thirrje që të përmbysej Shqipëria socialiste, sepse Evropa dhe Amerika do t´na japin çeka të bardhë, ku do ta bëjmë Shqipërinë lule, si Zvicra, ne do t´i shndërrojmë bunkerët në lule e gjepura të tjera të politikës së tij ditore-mortore.
Zekeria Cana ( pijaneci me banane) i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë, do të deklaronte paturpësisht “mender me thanë, Shqipëria Socialiste…”
Veton Surroi, i biri i ish-ambasadorit serbosllav, i cili në cilësinë e analistit titist, në vitin 1986 do të deklatronte, në gazetën “Rilindja” që Kosovës nuk i duhet statusi i Republikës, pastaj po ky “politikan i pavarur” në vitin 1994, do të deklaronte që: ne shqiptarët e Kosovës duhet të dalim në zgjedhje të lira serbe, përkrah Drazhkoviqit, Xhingjiqit e të tjerë, pra me opozitën serbe, ta rrëzojmë, S. Millosheviqin, pastaj është ky “demokrat” i madh icili doli i pari me shkrime pas luftës , propogandonte kundër UÇK-së.
Pastaj, foli kundër simbolit të rezistencës shqiptare, do të shkruante, kinse “Demaçi, është në luftë kundër vetvetes”… e të tjera gjepura të këtij lloji…
Dom Lush Gjergji, gjatë një vizite në Kopenhagë, në mars të vitit 1990-të, me rastin e fillimit të një Konference të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian, do të përshëndeste të gjithë të pranishmit e në veçanti me amabasadorin italian, ndërsa si i pacipë dhe tendecioz që ishte, i shiqon me përbuzje, shtrembër, delegacionin shqiptar, nga Tirana, që ishte si observator në këtë Konferencë, ndërsa në mbrëmje deklaronte para bashkëatdhetarëve se ka premtime të mëdha nga ambasada italiane se atë ditë, që do të shkatërrohet rregjimi socialist në Shqipëri, ju do të shihni se çfarë do të bënte Italia, për Shqipërinë dhe shqiptarët…
Nevzat Halili- organizonte simpatizantët e PPD-së, që t´ i ndihmohet sa më shumë, Sali Berisha, me mjete dhe të holla, sepse ai është duke e shkatërruar komunizmin në Shqipëri…
Uzair Uzairi- zyrtar i lartë i PPD-së, gjatë formimit të degës të partisë së tij, deklaronte me theksin turk, “se mirë janë punët tuaja që punoni me forcat daneze, por të jeni të sigurt se ne kemi garancia nga doktor Rugova, Fehmi Agani ene Diogardi se ta prishim Shipnin, komuniste, leniniste, staliniste, marksiste ene masandej ta bajm Shipnija e maze”. Po, i thashë atëbotë: të gjithë armiqtë janë të interesuar ta shkatërrojnë Shqipërinë, po për ta bërë të madhe siç thua Ti, -shiqoje bërrylin tim; ia këtheva, me nervozizëm. Ia thashë këto, sepse e dija plotësisht se këto ishin veç parulla demagogjike, tërsisht ishin mashtrime.
Milazim Krasniqi- alias hiqi në katror puthadori i I. Rugovës, në një mbrëmje me bashkëatdhetarët shqiptarë në Kopenhagë, kur e pyetën; çka do të ndodhë me ne, nëse Sllovenia dhe Kroacia shkëputen nga ish-Jugosllavia, ai me një retorikë, aktori, u përgjegj: ” ne, vëllezërve sllovenë dhe kroatë u dëshirojmë rrugë të mbarë për në Europë, ndërsa, ne me Serbinë, do t´i zgjedhim problemet si të duan ata”. Po, pastaj kur UÇK-ja, bëte rezistencë heroike kundër hordhive çetnike në Kosovë, ishte ky Milazimi, që digjej prej gëzimi, që t´i vinte NATO-ja në Kosovë.Ai shetiste nëper Maqedoni, ndërsa Drenica lahej në gjak. Ne, tani jemi dëshmitarë, se çfarë po ngjet me ardhjen e ushtrarëve të huaj. Tani ata po na burgosin e po na nënçmojnë si mos më keq. Gëzohu tani o narcisti “demokrat”, gëzohu për fitoret e brishta, në këto kohë të prishta…
Leka Zogu- i cili e kishte të ndaluar këthimin së pari në vendin e tij, pastaj në mbi 30 shtete të botës si trafikant, armësh dhe drogash e,e tani po na del si këpurdha pas shiut. Ky zotëri që hiqet aq shumë për Shqipërinë etnike, dihet nga të gjithë që nuk bëri asgjë për shtetin shqiptar, premtimet e tij s´i ka realizuar kurrë as nuk na mbanë shpresa se do t´i realizoj ndonjëherë, as pasardhësi i tij…
Edita Tahiri- (tash opoziatarja e I. Rugovës), me rastin e vdekjes së deputetit, 80 vjeqar, Anton Çetës, në radhët e LDK-së, kur intelektuali, Bajram Kosumi, e propozoi, bacin Adem, që të hyjë si deputet në Parlamentin e paformuar kurrë, të Kosovës, ajo, me nervozizmin e saj titist, ngritet, dhe nuk e pranon propozimin e Bajramit, duke qitë petulla në ujë- ” kërkoj nga z. Demaçi, ta sjellë karakteristikën moralo-politike”!!!
Kësaj përralle politike i thonë, na ishte njëherë…
Fan Noli i madh do t´i thoshte:
“vaj vatani mjerë mileti,
lum populli mbretin e gjeti,
që kur e humbi s´fjeti,
lum për ne, pamë kismet,
hallvaxhinë, e bëmë mbret!…
No koment!…
Sot, shqiptarët, në Shqipërinë Etnike as pas tri luftërash çlirimtare, nuk po munden të vendosin vetë, për fatet e veta në histori. Kur të huajt hileqarë e gjakatarë, ta projektojnë strategjinë kombëtare, prej asaj “strategjie”, priten vetëm kataklizma makabre.
Botuar në Revisten „Shqiperiaebashkuar“,“lajmet“ dhe revisten Zeri i Kosovës në Kopenhagë.Datë 08 07 2004


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
