Në fundin e shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, çështja shqiptare në Ballkan u përball me sfida të mëdha politike, kombëtare dhe ekzistenciale. Në këtë periudhë kritike, një nga figurat më të shquara të diasporës shqiptaro-amerikane që luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje ishte Joseph J. DioGuardi – ish-kongresmen amerikan me origjinë arbëreshe, i cili, me përkushtim të palëkundur dhe veprim konkret institucional, u bë avokati më i zëshëm i të drejtave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Joseph John DioGuardi lindi më 20 shtator 1940 në Bronx të Nju-Jorkut, në një familje me prejardhje arbëreshe nga Kalabria e Jugut në Itali. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Fordhamit në vitin 1962 dhe licencimit si kontabilist i çertifikuar (CPA), ai nisi karrierën në firmën prestigjioze Arthur Andersen, ku u bë partner në moshën 32-vjeçare. Në vitin 1984, u zgjodh anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ku shërbeu deri në vitin 1989, si përfaqësues i distriktit të 20-të të Nju-Jorkut nga radhët e Partisë Republikane.
Gjatë mandatit të tij në Kongres, DioGuardi ishte ndër autorët kryesorë të Ligjit për Drejtorët Financiarë Kryesorë (Chief Financial Officers Act), një reformë thelbësore që vendosi standarde të reja për transparencën fiskale në administratën federale amerikane. Megjithatë, për shqiptarët, kontributi i tij më i rëndësishëm nuk lidhet vetëm me reformën financiare. Ai e shndërroi platformën e tij politike në një tribunë ndërkombëtare për të artikuluar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme – veçanërisht në Kosovë.
Në vitin 1989, pas përfundimit të mandatit të tij në Kongres, DioGuardi themeloi Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League), një organizatë unike në llojin e saj, e cila synonte sensibilizimin e institucioneve amerikane mbi të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Nën drejtimin e tij, kjo ligë u bë një aktor i rëndësishëm i lobimit në Uashington, duke organizuar seanca dëgjimore në Kongres, duke mbledhur dëshmi për represionin serb dhe duke krijuar një ndërgjegje politike dhe mediatike mbi padrejtësitë që po u bëheshin shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës.
Një zë i fuqishëm për Kosovën dhe të drejtat kombëtare, më periudhën e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, DioGuardi vizitoi personalisht rajonin, takoi qytetarë, përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare dhe mbledhi informacione të drejtpërdrejta, të cilat më pas i përdori në dëshmitë e tij para Komiteteve të Kongresit Amerikan. Ai ishte ndër të parët që parashikoi shpërthimin e konfliktit dhe kërkoi ndërhyrje të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar për të shmangur një katastrofë humanitare. Për shqiptarët e Kosovës, ai nuk ishte thjesht një përkrahës i jashtëm, por një aleat i besuar, një zëdhënës i të drejtave legjitime kombëtare në zemër të politikës amerikane.
Përveç veprimtarisë së tij me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, DioGuardi themeloi edhe organizatën Truth in Government, e cila promovon transparencën dhe përgjegjshmërinë në qeverisjen publike. Ai është autor i veprës së njohur Unaccountable Congress (1992, ribotuar më 2010), një analizë kritike mbi funksionimin e Kongresit Amerikan. Edhe pse nuk u rikthye më në Kongres, DioGuardi vazhdoi të ishte aktiv në politikën amerikane dhe kandidimi i tij për Senatin Amerikan në vitin 2010 dëshmoi mbështetjen e vazhdueshme që gëzonte në qarqet konservatore dhe shqiptaro-amerikane.
Për veprën e tij në shërbim të çështjes shqiptare, DioGuardi është nderuar nga institucione akademike, politike dhe kulturore në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Figura e tij ka hyrë në histori si një nga personalitetet më të rëndësishme me prejardhje arbëreshe që ka kontribuar në afirmimin e të drejtave kombëtare shqiptare në skenën ndërkombëtare. Për shqiptarët, ai mbetet një simbol i angazhimit të ndershëm, një aleat i provuar në kohë të vështira, dhe një përfaqësues i vërtetë i parimeve demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare.
Joseph J. DioGuardi mishëron figurën e intelektualit me mision, të politikanit me vizion dhe të humanistit me ndjeshmëri kombëtare, edhe pse jashtë përkatësisë etnike. Me origjinë arbëreshe, por me zemër shqiptare, ai mbetet një nga figurat më të ndritura të kohës moderne një ndër ata që, me vepra konkrete dhe qëndrime të palëkundura, kanë ndriçuar rrugëtimin historik të shqiptarëve në shekullin e fundit.
Emri i tij meriton të përfshihet denjësisht në plejadën e monografisë, Ndritësit e Kombit, personalitete që lanë gjurmë në çështjen kombëtare!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!