JU LIGJE TË DHEUT TIM?!

20
Apr
2023


Shkruan: Zeni Bilimani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

O ligje të vendit tim,
Sa u kishte në dorë ,,kanuni,,
Zhivari, bënte gjykim,
Nuk kishte zullume gjëkundi.
.
O ligje të vendit tim,
Kur ju ishit të pa shkruar,
Një fjalë peshonte sa shkëmbi,
Kuvendonit shtruar, shtruar.
.
O ligje të këtij dheu,
Kur ju firmosnit me mendje,
Burri të dridhur nuk ndjeu.
Kuvendi kurrë nuk u prish.
.
O ligje të kësaj balte,
Kur ishit shkruar në mendje,
Fjala e burrit bërë shpat,
Një fjalë botën e bënte zap.
.
Edhe s’u hodhën,
U hodhën ne letra,
Fati u mori të krisura,
Dolën ujqër e dhelpra,
U kanë çjerrë, e u kanë grisur.
.
Sot u shkruajnë bukur e mirë,
Bile dhe emra u kanë gjetur,
Për të urtët kini zinxhirë,
Të marrët buzëqeshur i lini të lirë?!
.
U kanë tjerë, hollë e hollë,
U kanë bërë lesh e li,
Kur blenë, nja dy gram shkollë,
Nuk pyet më për mendje dituri.
.
O ligje të vendit tim,
Keni gjykuar në shekuj,
S’ keni parë në rruzullim,
Të bëhet stani me lepuj.
.
O, lidhen pas emrit tuaj,
Fshihen dhelpra dhe çakej:
Njëri, thuaj e tjetri shkruaj,
Sipas shijes, që t’i gjejnë.
.
O ligje të dheut tim,
U thaftë dora që ju mban,
Njëri bie, tjetri ngrihu,
Njëri gam e tjetri ham.
.
O ligje të këtij vendi,
Këdo quani burrë shteti,
Kur cika cikën, ju hëngri,
Si Saliu dhe Hilmiu.
.
O ligje të kësaj balte,
Duhet, nga fillimi prapë,
Pa mllefe dhe pa inate,
Pa pasur shejtan në bark.
.
O ligje, kur të gjykoni,
Të jenë të tërë njëlloj,
Jo, të shkruani si të doni,
Me atë të zezën bojë.
.
Me atë të zezën dorë,
Mos firmosni, para mendjes!
Po syri juaj, le te shohë,
Dhe të njerkës dhe të nënës.
.
O ligje merreni shtruar,
Si “pleqtë” e kaluar,
Se, një vendim i nxituar,
Përmbysë botën kot së koti e trazuar.
.
Moj e madhja , Kushtetutë,
Fol që të dëgjohet zëri si dikur!
Me të sertë e me të butë,
Ndaje shapin nga sheqeri, siç është, sa më urtë.
.
PRES MËNGJESE TË BARDHA?!
.
Mëngjeset e bardha,
Ylberet e zemrës,
Shtegtojnë, udhëve hyjnore të dritës.
.
Dhurojnë blerime këngë, brenda krahut rrezatues, të dashurisë.
Shpirtin nisin shtegtimesh,
Drejt altarit, të mirësisë.
.
Oshtimës së zërit,
Afshit të mallit,
Njomur prej lotësh,
Përpëlitet shpirti.
.
Pres mëngjeset e bardha,
Puthje agimesh ,
Në të artën natyrë.
.
Dritë beharesh, të shuajnë errësirën me pahir! …
E mbushur me fllad prilli,
Zëri gjëmon, jehonë bardhësie!…
.
Shtigjeve të harresës
Në shkulmë të dashurisë.
Zgafelleve, rrezaton,
Drita e shpresës.
Dallgët e mallit…,
Ortek kurore vrullojnë.
.
Shpirtrave të emigrantëve,
Zemra të vetmuara,
Pemës së kujtimeve,
Pranë shtëpive ,
Gurë gdhendura.
.
Ne amanetin e shekujve ,
Në dritën e dhimbjes,
Si flakadan, rreze ndriçues mes reve…

Mbeti kënga, sot drithëruese:
Mbeçë more shokë, mbeçë përtej…!
.
Pëllumbat gurgullojnë,
Çative, arave, krojeve
Mbjellin blerimin e mallit.
Dhe nënat, të rejat,
Te shtigjet e lëndinave,
Presin, presin ardhjen e djalit.
.
Te vrullshmet valë,
Përcjellin dhimbje,
Dashuri, mall.
Nusërojnë livadhet.
.
Çahen shtigjet e malit,
Mes kreshtave të blerta të lotit…
Nënat, në dashuri delikate, me dhimbje përfalen…
16. 04. 2023

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk