Në mitologjinë greke, Kekropi (Κέκροψ) përmendet si mbreti i parë dhe themeluesi i Athinës, një qenie gjysmë njeri e gjysmë gjarpër, simbol i autoktonisë dhe i lindjes së qytetërimit nga vetë toka.
Në shumicën e burimeve të lashta – nga Apollodori, Pausaniasi, Hyginusi dhe Plutarku, Kekropi shfaqet si gjykatës në garën ndërmjet Athinës dhe Poseidonit për patronazhin e qytetit.
Por përtej rrëfimit teologjik, figura e tij ruan një simbolikë më të thellë: marrëdhënien midis Tokës dhe Ujit, dy burimeve të jetës.
Rrëfimi mitologjik:
Në kohët e para, kur toka e Atikës ishte ende e thatë, nga barku i saj lindi një qenie e dyfishtë, që kishte trup njeriu dhe bisht gjarpri. Ai u quajt Kekropi, sepse ishte i lidhur me gropat e tokës ku buronte uji.
Ai ndërtoi në majë të shkëmbit të Akropolit qytetin e parë dhe shpalli rendin e martesës e të ligjit.
Por mbi të gjitha, ai ishte kujdestari i gropave ujore të shenjta.
Kur Poseidoni dhe Athina garuan për të dhënë emrin e tyre qytetit, Poseidoni goditi shkëmbin me tridentin dhe nga ai vend shpërtheu ujë i kripur (Apollodorus, Bibliotheca 3.14.1).
Athina, përkundrazi, mbolli ullirin e parë, si dhuratë të paqes dhe qëndrueshmërisë.
Kekropi, si gjykatës, zgjodhi dhuratën e perëndeshës, dhe qyteti mori emrin Athinë.
Pausaniasi përshkruan se në tempullin e Athinës Polias, në Akropol, “ka një vrimë në shkëmb ku Poseidoni goditi me trident, dhe aty dëgjohet zëri i detit” (Pausanias, Description of Greece I.26.5).
Afër saj ndodhej varri i Kekropit (I.26.6).
Në këtë vend, nën tempullin që më vonë u quajt Erekhteion, gjendet edhe sot një cisternë e lashtë natyrore, me ujë të kripur: “Phrear Kekropion”, që dëshmon për kultin e vjetër të ujit dhe të mbretit autokton.
Sipas Plutarkut (De defectu oraculorum, 10), në këtë vend ruhej një gjarpër i shenjtë që quhej “Kekrop”, i cili përfaqësonte shpirtin e mbretit dhe forcën e tokës së gjallë.
Kur ai gjarpër nuk hante më mjaltin që i ofronin priftëreshat, kjo merrej si ogur i keq për qytetin.
Pra, gropa e ujit dhe gjarpri i saj ishin shpirti i Athinës.
Kështu, Kekropi u bë ura ndërmjet tokës dhe ujit, njerëzores dhe hyjnores, themelues i urtësisë që zgjedh jetën mbi forcën.
Etimologjia embriomorfike e emrit:
Në sistemin tradicional të etimologjisë krahasuese, emri Κέκροψ është parë si i pashpjegueshëm, shpesh konsideruar “parahelen”, pra pa origjinë greke të qartë.
Por leximi embriomorfik (EM) zbulon përbërjen e tij natyrore dhe funksionale:
Në gjuhën e folur të arvanitëve, emrin e standartizuar Kekrop në gjuhën e shkruar, e gjejmë si Aqegropa. Por me rotacionet e njohura q:k e g:k, në gjuhën e shkruar e gjejmë:
AKEKROP =
AKEGROP =
A-ke-grop =
A-ke-krop = KE KROP = KEKROP = “Ai që ka gropën (me ujë)”
Në këtë mënyrë, emri i Kekropit nuk është rastësor, por mbart vetë funksionin e tij mitik:
ruajtës i gropës së ujit, kujdestar i ujërave që lidhnin tokën me detin.
Në aspektin simbolik, kjo do të thotë se Kekropi është vetë ndërgjegjja e Tokës; mendja që del nga thellësia, që dëgjon zërin e ujit dhe e shndërron në rend shoqëror.
Përmbyllje:
Në mitin e Athinës, Kekropi është figura që i jep frymë qytetërimit: nga barku i Tokës ai del, dhe me mençuri ndan forcat që përplasen, detin dhe tokën, Poseidonin dhe Athinën.
Në thelb, ai përfaqëson njeriun e parë që kupton tokën si trup të gjallë dhe ujin si kujtesë të saj.
Etimologjia “A-ke-grop” nuk është thjesht lojë fjalësh: ajo përkon me strukturën mitike, me topografinë e kultit dhe me funksionin simbolik të mbretit.
Në këtë mënyrë, Kekropi nuk është vetëm mbreti i parë i Athinës, por imazhi i njeriut të parë që zbulon ujërat e nëndheshme të dijes e që dëgjon zërin e Tokës dhe themelon prej saj jetën qytetare.
“Nën ullirin e Athinës dhe mbi gropën e Poseidonit,
mbretëronte ai që kishte gropën —
Kekropi, i lindur nga toka, i gjallë nga uji.”
Fakti që etimologjia e emrit të KEKROPit, si mbreti i parë i Athinës, gjendet saktësisht nëpërmjet shqipes, është “rastësi”, si në mijëra “rastësi” të tjera etimologjike.
Kushdo mund të sjellë një tjetër etimologji më bindëse për ta përmbysur këtë që dhamë këtu.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
