Sipas metodës së përpunuar nga Marc Bloch, detyra themelore e historianit është të shmangë projekcionin e kategorive moderne mbi realitete të së kaluarës. Anakronizmi, paralajmëron Bloch, nuk është thjesht gabim terminologjik, por deformim strukturor i analizës historike, sepse zhvendos vëmendjen nga funksioni real i institucioneve drejt narrativave ideologjike të periudhave të mëvonshme.
Në këtë kuadër, përdorimi i termit “gjuha greke” për antikitetin përbën një shembull tipik të këtij rreziku. Burimet antike dhe romake nuk dëshmojnë ekzistencën e një gjuhe kombëtare “greke” në kuptimin modern. Ajo që në historiografinë bashkëkohore quhet Koine shfaqet në burime si gjuhë funksionale perandorake, e përdorur për administratë, ushtri, diplomaci dhe komunikim ndër-rajonal gjatë dhe pas zgjerimit maqedon.
Autorë si Strabon dhe Ptolemeu e përshkruajnë hapësirën ballkanike përmes njësive politike dhe gjeografike konkrete – Maqedoni, Epir, Dardani, Ilirik – pa i reduktuar ato në një identitet etnik homogjen. Terminologjia e tyre është përshkruese dhe administrative, jo kombëtare. Në këtë kontekst, Koine funksionon analogjikisht me latinishten romake: si instrument pushteti dhe qeverisjeje, jo si shprehje e përkatësisë etnike.
Vazhdimësia e Koine-s nën administratën romake e përforcon këtë interpretim. Roma nuk e zëvendësoi atë në provincat lindore, sepse Koine nuk përfaqësonte një identitet rival etnik, por një mjet tashmë të konsoliduar administrativ. Kjo bashkëjetesë gjuhësore e latinishtes dhe Koine-s dëshmohet qartë në praktikën ligjore, ushtarake dhe burokratike të Perandorisë Romake.
Në Mesjetën e Hershme, autorë si Prokopi i Çezaresë përdorin termin Romaioi për identitetin politik, duke dëshmuar vazhdimësinë e rendit romak. As identiteti dhe as gjuha e administratës nuk përkufizohen si “grekë” në kuptim etnik. Ky fakt përforcon dallimin midis gjuhës së pushtetit dhe identitetit kulturor lokal.
Për rrjedhojë, etiketimi modern i Koine-s si “greqishte kombëtare” dhe i autorëve të lashtë si “grekë” nuk buron nga dëshmia e burimeve, por nga nevoja ideologjike e shtetformimeve të shekullit XIX. Një trajtim shkencor i qëndrueshëm kërkon rikthimin te terminologjia burimore dhe respektimin e kontekstit institucional të kohës. Vetëm në këtë mënyrë shmanget falsifikimi historiografik dhe ruhet integriteti metodologjik i analizës historike.
Referencë metodologjike
• The Historian’s Craft, New York: Vintage Books, 1953.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!