Komi, Taboshi dhe Berati!

05
Jan
2024
Shkruan: Genta Petrit Kaloçi


Dikur Berati përveç guzhinës së mirë të Turizmit buzë lumit Osum mbahej mënd në rrang republike edhe për ëmbëlsirat e pastiçierit me emër e çmime të ndryshme, Komi Picinane.
Ëmbëlsirat e tij u personifikuan dhe u bënë identiteti i një qyteti e një brezi të tërë. Të gjithë shkonin në turizëm në pushime shkolle, pune, ekslursione, vizita, festa, mbrëmje muzikore për ëmbëlsirat e tij aq të mira cilësore të lehta e pa efekte anësore për shëndetin një gjë e pazakontë në ditët e sotme pas 90ës që, pësojmë helmime të ndryshme e të shpeshta e s’na mbron askush, as kontrolli ushqimor, as shteti e as privati.
Më dalin shpesh portale me receta që qarkullojnë lart e poshtë nëpër pastiçeri të ndryshme pa kontrolle e pa të drejtat e autorit mbi punën e çdo mjeshtri. Pavarësisht të gjithave asnjë në tre dekada nuk e mori mundimin të përcjellin këto vlera e këta profesionistë nga këta pseudogazetarë, pseudomedia që kanë zaptuar dhe mashtrojnë publikun pa pushim 24/7 në tre dekada. Asnjë promovim i punës, mundit, përpjekjeve, specialitetit, profesionit dhe recetat e pavdekshme të gastronomisë shqiptare.
Asnjë intervist e shkruar, vizive pas 90ës nuk ekziston nga Komi Picinane që ka fituar çmime të ndryshme për dekada, por vetëm receta fallco e ëmbëlsira të kopjuara që pasi i ha nuk kanë asgjë të përbashkët me ato që na mashtrojnë për të na rrjepur e për të na sëmurur. Për këtë luajnë rol disa faktorë, mungesa e recetës origjinale, hamendësime përbërësish, cilësia e lëndës së parë, zëvendësimi i tyre me produkte të përafërta (yndyra industriale, vaj palme etj) për ulje kostoje dhe kjo ndikon në shije e në cilësi të produktit fundor. Sigurisht që akoma më e rëndë se këto që përmenden më lart është zhdukja e punës së krijimeve e produkteve shqiptare dhe akoma më keq mundësinë e përhershme për të na mësuar me shije e cilësi të reja vendase nga artizanët tanë.
Por, zorraxhiu i pas 90ës që ka hyrë kudo në politikë, krim, biznes e në media nuk merr vesh, as nga cilësia e as nga produkti me emërtim shqiptar, përveçse është i ngutur nga lakmia për të xhvatur gjithçka e gjithkënd me çdo mënyrë duke shkelur, shtypur e zhdukur të aftët e çdo fushe që të mos kenë pikë krahasimi e kështu të mbahen si burimi i vetëm në treg (monopol) e rrjedhimisht kjo artificialisht i vetpërcakton si më të mirët pa zbatuar kriteret që duhej të vendoste dhe zbatonte shteti me strukturat e tij të meritokracisë e kontrollit.
Harrojnë se, emri krijohet nga puna e secilit dhe nga produkti që lë pas, i mirë, apo i keq.
Prandaj dhe emri i Komi Picinane u bë një me Beratin nëpërmjet punës, zellit dhe dashurinë që kishte për gatimin e ëmbëlsirat që fizikisht u largua nga kjo jetë, por la pas një brez të tërë që kërkojnë recetat e ëmbëlsirat e tij nëpër rrjetet sociale dhe shkëmbejnë me nj tj se ku mund të shijojnë sërisht shkrirjen e mjeshtrisë së tij.
Lajmërimi mortor u bë nga e bija Eleni në rrjetet sociale që jeton prej vitesh jashtë vendit, por që fatkeqësisht asnjë media nuk e pasqyroi atë.
Në reagimin e saj e bija, përcjell këtë msg, “E tmerrshme ku arritëm në këtë ditë, sa punonin ata tanët, lodheshin e dhanë çdo gjë për atë qytet edhe tani nga këta asgjë, asnjë kujtim, përmendje, vlerësim. Mbaj mend kohën tonë kur ishim të vogla që vlerësohej puna e tyre, të paktën u jepnin një çmim, titull edhe emër, a diçka të tillë që i vlerësonte si njerëz e profesionist. Ndërsa këta tani, as që duan ti’a dinë fare, vjedhin e shtrembërojnë çdo gjë për lek! Ka ardhur kohë e keqe, nuk ka vlera më, as turp! Tamam mosmirnjohsa e me memorie të shkurtër!”
Në pyetjen për një artikull vlerësues ndaj figurës së Komit më kthen këtë mesazh si më poshtë;
“Bëje artikullin s’ka problem nga mua, po për foto s’kam shumë këtu (jashtë vendit). Dmth foto profesionale të tijat janë me shumicë në ekspozita, në pjesëmarrje sportive që ka qëne edhe të Turizmit! Duhet të jem në Berat që ti dërgoj. Bëje kur të duash artikullin s’ka problem fare! Gjithashtu të falenderoj shumë që mendon t’a bësh këtë gjë!!!Të paktën ai u ka përkëdhelur shijet të gjithë njerëzve në atë kohë me ëmbëlsirat e tij! Më duket se diçka kanë vënë ata të Shoqata Antipatrea Berat një si artikull të vogël dhe foto të tijat si lajm, më duket kur ndërroi jetë babi.”
Përpara se të shkruaja bëra një kërkim në rrjet dhe nuk gjeta asgjë për Komi Picinane. Në 30 prill mbush vitin që ndërroi jetë. Prisja të paktën nga Bashkia e Beratit të gjeja ndonjë postim, lajmërim, ose ndonjë dhënie të titullit “Qytetar Nderi” i Beratit duke marrë parasysh kontributin shumëdimensional të këtij Njeriu. Nuk ka ngelur patate, domate, han, urë gomar e mëhallë pa marrë tituj të tillë, por për Njeriun, Mjeshtrin e Beratit e jo vetëm nuk pati tepruar as një copë letër e as pak bojë shtypi. Mbase kanë menduar t’ia japin pas vdekjes në përvketorin e tij të parë. Kurrë nuk i dihet me këta që edhe çmimet për njerëzit e punës i japin për qoka biznesi e politike.
Pas kësaj lemerie, padrejtësie, çmendurie si mund të mos shkruaja dy rreshta për njeriun e ëmbëlsirave, shijeve me të cilat jam rritur?
Unë kam disa arsye të shkruaj këtë material, një se u linda në Berat, se taboshi, Turizmi dhe Komi ishin një gjë e vetme kur bëhej fjalë për kënaqësi të shqisave, ushqim e shije. Berati dhe sidomos Taboshi i Turizmit u bë një markë që kaloi jo vetëm kufijtë e qytetit në rrang rrethi, kombëtar, por edhe nga trevat e tjera shqipfolëse (Mal i zi, Kosovë, Tetovë etj). Nuk bëhej fejesë, vizitë, ditëlindje, apo dasëm pa ëmbëlsirat e Komit. Ishte një domosdoshmëri, privilegj, një festë e shumëfishtë për gjithësecilin. Nuk mund të harroj kur shkonim te turizmi në pushim të gjatë për ndonjë ëmbëlsirë që nuk na arrinte koha ta blinim e ta hanim, apo kur shkonim në xhiron e pasdites për ndonjë akullore speciale e të tjera e të tjera që mund ti dini më mirë se unë.
Brezi ynë ka pas shansin të shijojë gjëra të mira e të kërkojë më të mirat jo vetëm në shije, por edhe në cilësi pas 90ës dhe të ketë forcën e kurajon të thotë se nuk bëjnë kur nuk vlejnë. Arsyeja tjetër është se vajzën e Komit e kam pasur shoqe klase.
Shënim; me Elenën kemi qënë shoqe klase në 8 vjeçare, në shkollën “22 Tetori”, Berat.
Kolazh fotosh; majtas foto e Komit në postimin e Elenës në instagram për lajmërimin mortor. Djathtas lart, foto e Beratit në rrjet me titullin; thuaj se je Beratas me një fjalë, Tabosh. Poshtë djathtas, foto Taboshit në portale me receta, por që nuk kanë asnjë lidhje me të.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk