KOSOVA : ZELENSKI ENDE NUK E NJEH KOSOVËN. (Cilat janë arsyet )

09
Aug
2026
Shkruan: Kol Marku (Studiues)

(Studiues-analist)
Analizë mbi bazën e dokumenteve ndërkombëtare dhe burimeve të cituara.
1). Krimea, Serbia dhe paradoksi i politikës së Kievit.
Vizita e parë zyrtare e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, më 7–8 gusht 2026, solli përsëri në qendër të vëmendjes një nga paradokset më interesante të diplomacisë europiane: Ukraina, një shtet që lufton për mbrojtjen e sovranitetit të vet kundër agresionit rus, vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës.
Reuters konfirmoi më 8 gusht se Serbia vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë territoret e pushtuara nga Rusia që prej vitit 2014, ndërsa Ukraina, nga ana tjetër, nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Presidenti serb Aleksandar Vučić falënderoi publikisht Kievin për këtë qëndrim.
Në pamje të parë duket kontradiktë: Kosova është rreshtuar qartazi në krah të Ukrainës, ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë dhe autoritetet e saj kanë deklaruar se mbështetja për Ukrainën është e pakushtëzuar.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, deklaronte për Associated Press se Kosova e mbështet Ukrainën pavarësisht se Kievi nuk e njeh shtetin kosovar.
Atëherë, pse Zelensky nuk ndryshon politikë?
Përgjigjja nuk gjendet vetëm te Serbia. Çelësi quhet Krime
2). Historia e Krimesë nuk ka paralele me historinë e Kosovës
Krimea ka qenë historikisht një territor i shumë popujve dhe perandorive. Pas periudhës së Hanatit të Krimesë, të lidhur me Perandorinë Osmane, ajo u aneksua nga Perandoria Ruse në vitin 1783. Në epokën sovjetike, më 1944, Stalini deportoi masivisht tatarët e Krimesë, ndërsa më 1954 Krimea iu transferua administrativisht Ukrainës nga RSFSR-ja ruse, me vendim të institucioneve sovjetike në kohën e Hrushovit.
Pas shpërbërjes së BRSS-së më 1991, Krimea mbeti pjesë e Ukrainës së pavarur. Para vitit 2014, popullsia përbëhej afërsisht nga 58% rusë, 24% ukrainas dhe 12% tatarë të Krimesë. Në vitin 2014 Rusia mori kontrollin e gadishullit dhe e aneksoi pas një referendumi të mosnjohur nga Ukraina dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Sot Rusia e administron Krimenë de facto, ndërsa OKB-ja dhe shumica e shteteve vazhdojnë ta konsiderojnë territor të Ukrainës.
****
Kosova është një territor historik i lidhur me Dardaninë në antikitet. Në Mesjetë kaloi nën sundime të ndryshme, ndërsa nga shekulli XV deri më 1912 ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Pas Luftërave Ballkanike u përfshi në Serbi dhe më pas në Jugosllavi, ku pas Kushtetutës së vitit 1974 kishte autonomi të gjerë. Kjo autonomi u kufizua rëndë në vitin 1989 nga regjimi i Miloševićit.
Lufta e viteve 1998–1999, ndërhyrja e NATO-s dhe tërheqja e forcave serbe çuan në administrimin e Kosovës nga OKB-ja. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se deklarata e pavarësisë nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
Sot Kosova ka rreth 1.6 milion banorë, me afërsisht 91% shqiptarë, rreth 3% serbë, si dhe boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë e komunitete të tjera.
Ajo funksionon si shtet i pavarur, por Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende të tjera Europiane perfsh dhe Ukrainën ivazhdojnë të mos e njohin.
Mosnjohja e Kosovës nuk është politikë e krijuar nga Zelensky. Ajo ekzistonte shumë përpara presidencës së tij dhe madje shumë përpara pushtimit të Krimesë nga Rusia.
Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën në korrik 2010, Ministria e Jashtme ukrainase deklaroi se qëndrimi i Kievit mbetej i pandryshuar, duke e lidhur atë me respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Pas vitit 2014, kjo doktrinë mori për Ukrainën një rëndësi ekzistenciale. Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë, ndërsa më vonë përdori pretendime të ngjashme mbi Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhzhian.
Që prej asaj kohe, diplomacia ukrainase mbështetet fuqimisht mbi një parim: territori i një shteti nuk mund të merret apo të ndryshojë sovranitet me forcën e një shteti tjetër.
Kjo e vendos Kievin në një pozitë delikate ndaj Kosovës. Moska ka përdorur vazhdimisht argumentin e “precedentit të Kosovës” për të justifikuar veprimet e saj në hapësirën ish-sovjetike.
Për Ukrainën, njohja e Kosovës do t’i jepte Rusisë një mundësi propagandistike për të thënë: “Nëse pranoni shkëputjen e Kosovës, pse nuk pranoni Krimenë.?”
2). E drejta juridike
Por juridikisht Kosova dhe Krimea nuk janë e njëjta gjë.
Kjo duhet theksuar fort.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, konkludoi me 10 vota kundër 4 se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Gjykata shqyrtoi gjithashtu Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë nuk e kishte shkelur as Rezolutën 1244.
Duhet bërë, megjithatë, një saktësim shkencor: GJND-ja nuk deklaroi se ekziston një e drejtë universale e çdo krahine për t’u shkëputur dhe as nuk urdhëroi shtetet që ta njohin Kosovën.
Pyetja që iu bë ishte më e kufizuar: a e shkelte deklarata e 17 shkurtit 2008 të drejtën ndërkombëtare? Përgjigjja e Gjykatës ishte jo.
Prandaj mosnjohja ukrainase është një zgjedhje politike dhe diplomatike e Kievit, jo pasojë e ndonjë vendimi të GJND-së që e ka shpallur Kosovën të paligjshme.
3). Dallimi me Krimenë është thelbësor.
Kosova nuk u pushtua nga Shqipëria dhe më pas nuk u aneksua nga shteti shqiptar. Krimea, përkundrazi, kaloi nën kontrollin ushtarak rus dhe më pas u përfshi formalisht në Federatën Ruse. Pikërisht për këtë arsye Asambleja e Përgjithshme e OKB-së riafirmoi integritetin territorial të Ukrainës dhe hodhi poshtë vlefshmërinë e ndryshimit të statusit të Krimesë.
Pra formula “Kosova = Krimea” është tepër e thjeshtëzuar dhe juridikisht e pasaktë.
Por diplomacia nuk funksionon vetëm me jurisprudencë. Ajo funksionon edhe me interesa.
Dhe këtu hyn Serbia.
Beogradi, megjithëse nuk është bashkuar me regjimin e plotë perëndimor të sanksioneve kundër Rusisë dhe vazhdon të ketë marrëdhënie historike e ekonomike me Moskën, ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës. Në korrik 2026 Vučić mori pjesë edhe në Samitin Ukrainë–Europa Juglindore në Kiev. Presidenca ukrainase e regjistroi pjesëmarrjen e tij në këtë format të mbështetjes rajonale ndaj Ukrainës.
Kështu është krijuar një reciprocitet diplomatik i pashkruar:
Serbia thotë: Krimea dhe territoret e pushtuara janë Ukrainë.
Ukraina përgjigjet në praktikë: Kosovën nuk e njohim si shtet të pavarur.
Pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e rëndësishme e shpjegimit të politikës së Zelenskyt.
Ukraina është në luftë dhe kërkon mbështetje në çdo drejtim: politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake.
Në Beograd, Zelensky dhe Vučić diskutuan tregtinë, energjinë, sigurinë ushqimore dhe projektet e ardhshme të bashkëpunimit. Të dyja palët synojnë gjithashtu thellimin e marrëdhënieve ekonomike.
Për Kievin, në kushtet e sotme, prishja e këtij ekuilibri për shkak të njohjes së Kosovës mund të shihet si një kosto diplomatike pa përfitim të menjëhershëm strategjik.
4). Kjo është realpolitikë.
Megjithatë, ekziston një fakt shumë i rëndësishëm që shpesh lihet jashtë debatit: brenda vetë Ukrainës ka politikanë që kërkojnë njohjen e Kosovës.
Deputeti ukrainas Oleksii Goncharenko paraqiti më 5 gusht 2022 në Verkhovna Rada Projekt-Rezolutën nr. 7638, me titullin “Për njohjen e sovranitetit shtetëror dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës”.
Dokumentacioni zyrtar i Parlamentit ukrainas tregon se projekti u përfshi në rendin e ditës më 10 shkurt 2026 dhe aktualisht vazhdon të figurojë në proces shqyrtimi në komision.
Ky është një zhvillim që nuk duhet nënvlerësuar.
Do të thotë se çështja e Kosovës nuk është e vdekur në Kiev. Politika zyrtare e Zelenskyt mbetet mosnjohja, por brenda parlamentit ukrainas ekziston tashmë një iniciativë formale për të bërë të kundërtën.
Dhe këtu shfaqet paradoksi më i madh.
Kosova, një shtet që Rusia nuk e njeh dhe që Beogradi vazhdon ta kundërshtojë ndërkombëtarisht, është rreshtuar në krah të Ukrainës.
Ndërsa Serbia, që ruan marrëdhënie të veçanta me Rusinë dhe nuk ka vendosur të gjitha sanksionet perëndimore ndaj Moskës, përfiton nga mosnjohja ukrainase e Kosovës.
Prandaj deklarata e Zelenskyt në Beograd duhet lexuar jo si një verdikt historik apo juridik kundër Kosovës, por si pjesë e strategjisë së një shteti në luftë.
Ukraina sot mendon mbi të gjitha për Krimenë, territoret e pushtuara, votat në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetjen që mund të sigurojë kundër Rusisë.
Por luftërat mbarojnë dhe raportet ndërkombëtare ndryshojnë.
Nëse një ditë Ukraina arrin të rikthejë sovranitetin dhe sigurinë e saj, pyetja që do t’i shtrohet Kievit do të jetë shumë më e vështirë:
A mund të vazhdojë Ukraina të mbështetet pafundësisht te argumenti i integritetit territorial të Serbisë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare?
Dhe mbi të gjitha:
A është e drejtë që Kosova të mbështesë pa kushte Ukrainën kundër agresionit rus, ndërsa Ukraina të vazhdojë të mos njohë shtetin e Kosovës?
Kjo nuk është më vetëm një çështje juridike.
Është një pyetje politike, morale dhe gjeostrategjike që, herët apo vonë, Kievi do të duhet ta përballojë.
_____
Shënime / burime
1. Olena Harmash and Ivana Sekularac, “Leaders of Serbia and Ukraine Pledge Closer Economic Ties,” Reuters, August 8, 2026.
2. Vanessa Gera, “Kosovo Backs Ukraine Even Though Kyiv Has Not Recognized Its Independence, Foreign Minister Says,” Associated Press, May 8, 2024.
3. “Україна все одно не визнає Косово” [Ukraine Still Will Not Recognize Kosovo], Ukrainska Pravda, July 27, 2010.
4. Pravda
International Court of Justice, Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo, Advisory Opinion, I.C.J. Reports 2010, July 22, 2010.
5. President of Ukraine, “The 5th Ukraine–Southeast Europe Summit Held in Kyiv: Key Outcomes,” July 15, 2026; President of Ukraine, “Ukraine–Southeast Europe Summit: Kyiv Declaration,” July 15, 2026.
6. Harmash and Sekularac, “Leaders of Serbia and Ukraine.”
7. Verkhovna Rada of Ukraine, Draft Resolution on Recognition of the State Sovereignty and Independence of the Republic of Kosovo, no. 7638, registered August 5, 2022; included on the parliamentary agenda February 10, 2026.
______
Kol Marku
Studiues në Itali
09/08/2026

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk