E kam të lexuar një libër të një gazetari kroat, shkrimet e të cilit rreth Kosovës në gazetën Start të Zagrebit i kisha njohur nga 1988-ta. Kishte shkruar shumë, gjatë e ndryshe nga të tjerët për Kosovën. Është gazetar i madh. Megjithëse e kisha përshtypjen se ai nuk ishte aq i paanshëm e profesionalisht sa duhet neutral në shqyrtimet e pasqyrimet e marrëdhënieve asokohe shumë të tensionuara shqiptaro-serbe. Sikur anonte nga serbët dhe sikur në reportazhet e tij atyre u jipte më shumë peshë dhe sidomos shumë më tepër hapësirë. Por, ai, duhet pranuar, kishte qasje krejt origjinale lidhur me ato që po ndodhnin asokohe në Kosovë.
Librin gati 400 faqesh në fundmars para shtatë-tetë vitesh e pata gjetë në Antikvariatin Mladinska Knjiga në Lubjanë, ku lakmoj të shkoj apostafat, pra edhe kur andej nuk më çon rruga. Librin aty e gjeta në mes librash të shumtë dhe nisa ta shfletoj, duke kaluar shpejtas sipër disa pasazhesh, ngase ora e mbylljes së librarisë në kohën e drekës po shkrinte minutat e fundit. Kishim mbetë mes librash të vjetër e të shumtë vetëm unë e shitësja simpatike. Librin me lejen e saj e mora me vete. Më tha: Merre, lexo e shfleto! Në orën katërmbëdhjetë prap do të jemi këtu, ju vini, e bleni ose e lini. Ju kemi myshteri… Nasvidenje kmalu!
Libri është botim i vitit 1989 dhe mban titullin:
KOSOVO, BITKA BEZ ILUZIJA.
Autor: Darko Hudelist.
Botues: Qendra për Informim dhe Publicitet, Zagreb.
Parathënia si në shumicën e hyrjeve të librave në komunizëm. Plot jugosllavizëm e optimizëm socialist vetëqeverisës, plot titoizëm, plot shprehje bajate e të bezdisshme nga arsenali i propagandës jugokomuniste. Duhet thënë megjithatë se qëllimi hyrjeve të tilla për libra problematikë bëheshin që ato t’i shpëtonin nga censura…
Darko Hudelist edhe tash është në linjë me serbët e me Serbinë më shumë se sa me shqiptarët e me Kosovën. Me presidentin e tashëm serb Aleksandër Vuçiq duket mjaft i familjarizuar. Me të flet për «shkëmbim teritoresh», «korreksion kufijsh» apo « kompromis » të serbëve e të shqiptarëve. Nga presidenti serb kupton se të gjithë në Serbi e kanë të qartë se Kosova ka dalë dore, vetëmse ai vetë, përmes negociatave me palën kosovare, në të cilat e ka inkuadruar edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, me çdo kusht Kosovës do që t’ia shkëpus Veriun…
Libri flet për vlimet në Kosovë, asokohe pjesa më nevralgjike e Federatës, si dhe për reagimet e bujshme e histerike në Serbi e në Jugosllavi, sidomos në pjesët lindore të saj (Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, deridiku edhe në Vojvodinë e në Bosnjë Harcegovinë).
Ngjarjet në libër janë të përiudhës nga 1986 deri më 1989, kohë që deridiku përputhet me kohën e qëndrimit tim në burg, ku, për shkak të censurës së vendosur, ne, të ngujuarit politikë, nga gazetat me pjesë të tëra të prera me gërshanë nuk mund të merrnim vesh se ç’po ndodhte përjashta. Tash, me librin e Darko Hudelistit po kompensoj injorancën time lidhur me «Kryengritjen e Tretë Serbe», të nisur në « Moskën e Vogël », siç e quanin serbët asokohe me shumë krenari nacionaliste-komuniste vendin e «kryengritjes» së tyre – Fushë Kosovën, e cila e kishte çuar flakën e «Revolucionit antiburokratik» nëpër të gjithë Jugosllavinë, përpos në Kroaci e në Slloveni…
Nëqoftëse 1981-shi ishte rebelim i pjesëshëm i rinisë shqiptare që Jugosllavia e shtypi brutalisht, ngritja antishqiptare e serbëve të Kosovës, e mirëorganizuar dhe e ndihmuar-dirigjuar nga struktura të Shtetit, të Partisë e të Armatës Jugosllave, arriti objektivat e saj: Kosovës pasi ia hoqën autonominë e kthyen edhe juridikisht nën Serbi dhe e vunë nën regjim okupimi…
Rruga drejt heqjes së autonomisë ishte paraprirë fillimisht me një fushatë të egër antishqiptare në shtypin e Beogradit. Ai shtyp e ajo propagandë i jipte dimensione alarmante të ashtuquajturit problem të shpërnguljes së serbëve e të malazezve nga Kosova, shpërngulje që sipas saj ishte intensifikuar pas demonstratave të studentëve, të rinisë e të punëtorisë shqiptare më 11 mars 1981 kur ajo kishte dalë në sheshe me kërkesën themelore Kosova -Republikë.
Pjesa më intrigante e librit është monologu i Mirosllav Sholeviqit, të vetëshpallurit lider të Fushë Kosovës, artikuluesit të pakënaqësive e të kërkesave të serbëve e të malazezve lidhur me jetën e përbashkët me shqiptarët. Sholeviqi të cilit i pëlqen të vetëquhet « vodja i kryengritjes së tretë serbe » shfaqet në rolin e « zgjimi spontan » të popullit (serb e malazez) me qëllim « rrëzimin e pushtetit burokratik » nga « Triglavi deri në Gjevgjeli ».
Në mes tjerash Hudolist përmes librit të tij « Kosova, beteja pa iluzione », na e sjell një dëshmi mbi Shkëlzen Maliqin, ku zbulon arsyen e rikthimit të tij (me mision) nga Beogradi në Koosovë.
Sipas Darko Hudelistit, ai (Maliqi), mes objektivash tjerë, posepo antikosovare, natyrisht dhe antishqiptare, kishte kishte vënë në shënjestër Rexhep Qosjen e « Lobit Plavë e Guci » në Prishtinë… I biri i kryepolicit të dikurshëm të Kosovë Metohisë, Mehmet Qorrit, alarmonte rrezikun e ngritjes së Qosjes meteorqe, duke u bërë frymëzuesi i idesë, sipas serbëve të tij, separatiste, nacionaliste e irredentiste… Sipas asaj që Maliqi i kishte thënë Darko Hudelistit, Rexhep Qosja gëzonte përkrahjen e intelektualëve llapjanë, të cilët për kundërshpërblim prisnin se ai do t’i fuste nëpër antologji e histori… Shiko


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
