Lidhur me këtë temë:
Krahina e Sanxhakut, e njihur si Sanxhaku i Pazarit të Ri, ose vetëm si Sanxhaku, dikur krahina ilire-dardane Rrasa (prej nga serbët e krijuan më vonë emrin e ri sipas tyre: Rashka), historikisht paraqet një krahinë të veçantë, e cila përfshin pjesën jugperëndimore të Serbisë së sotme dhe pjesën veriore të Malit të Zi të sotëm. Krahina e Sanxhakut, me ekzistimin e saj një periudhë të gjatë, është zhvilluar në njësi territoriale, etnike, kulturore, konfesionale, historike dhe administrative më vete, me qendër qytetin e Pazarit të Ri.
Sanxhaku ka një sipërfaqe prej më tepër se 8.687 km² dhe 530 mijë banorë. Kryeqyteti është Pazari i Ri. Kjo krahinë aktualisht kufizohet me Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Shqipërinë. E përbëjnë këto qytete: Briboji, Gradaci, Prijepolja, Varoshi i Ri, Plevnja, Sjenica, Pazari i Ri, Tutini, Bellopolja (Fushëbardhi), Berana, Rozhaja, Andieva, Plava dhe Gucia.
Që t’i kuptojmë drejtë rrjedhat e sotme, duhet të thellohemi në të kaluarën e largët të kësaj krahine, e cila njihet si njësi e veçantë territoriale që nga shekujt XII dhe XIII të erës së re, ndërsa mbështetur në studimet më të reja historike dhe arkeologjike vërtetohet se Ilirët kanë qenë të pranishëm dhe e kanë dominuar këtë hapësira së paku 4000 vjet para erës së re.
Përgjatë historisë, sa herë u janë krijuar mundësitë, banorët vendës të Krahinës së Sanxhakut i kanë shprehur aspiratat, disponimin dhe përcaktimin e tyre për një Sanxhak autonom dhe të lirë.
Këtë përcaktim, pas rënies së Perandorisë Osmane, e cila sundoi në këto hapësita gjatë pesë shekujve të kaluar, banorët e Sanxhakut e kanë shprehur fillimisht në Konferencën e Sjenicës, e mbajtur mes datës 8 dhe 25 gusht të vitit 1917, ku mes tjerash u soll edhe një Rezolutë me të cilën, dy pjesët e aneksuara të Sanxhakut nga Serbia dhe Mali i Zi, sipas vendimeve të konferencave të njohura ndërkombëtare të viteve 1878 dhe 1913, ato t’i bashkëngjiten Bosnje dhe Hercegovinës, “meqë sipas historisë dhe gjuhës i takojnë asaj, jo Serbisë dhe Malit të Zi”, kurse në rastin më të fundit, nëse kjo nuk realizohet, nga faktori ndërkombëtar të kërkohet njohja e Autonomisë së Sanxhakut.
Nga viti 1877 deri më 1913, Sanxhaku ka qenë njësi e veçantë, i njohur si Sanxhaku i Pazarit të Ri, në kuadër të Vilajetit të Kosovës së bashku me 5 sanxhaqe të tjera të banuar kryesisht me shqiptarë, me një numër të vogël të banorëve me përkatësi të tjeta etnike, boshnjakë, bullgarë, serbë, vllehë, romë etj.
Pas shumë përpjekjeve për t’u shkëputur nga kthetrat e sundimit të dhunshëm serb, Sanxhaku më 1943-1945 u shpall njësi e veçantë administrative dhe territoriale në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave, e cila funksionoi dy vjet si e tillë, që me përfundimin e Luftës së Dytë Botëroe dhe krijimin e ish Jugosllavisë u shua me dhunë nga regjimi komunist i asaj kohe, për shkak të ndikimit të fuqishëm të politikës ekspansioniste serbe mbi krahinën e Sanxhakut, dhe jo vetëm të tij.
Këshilli kombëtar i Sanxhakut, i përbërë nga subjektet e reja politike dhe forcat përparimtare të vendit, me fillimin e periudhës së pluralizmit në hapësirat e ish Jugosllavisë, më 25, 26 dhe 27 tetor 1991 organizoi Refenderumin për Autonomi të Sanxhakut, në bazë të të cilit Kuvendi për Autonominë e Sanxhakut, më 11 janar 1992 solli vendim për njohjen e Statusit Special të Sanxhakut, si formë e vetëpërcaktimit dhe zgjidhje optimale në rrethanat e reja pas shkatërrimit të ish federatës jugosllave, siç thuhet: ,,për popullin musliman, i cili është autokton në këto troje”.
Rethanat historike dhe pozita gjeografike specifike gjithmonë kanë qenë të padrejta për Krahinën e Sanxhakut, e cila edhe përkundër përpjekjeve dhe sakrificave të mëdha nuk arriti të krijojë njësi të veçantë administrative terrotoriale të qëndrueshme, as t’i bashkëngjitet ndonjërit nga shtetet fqinje, me të cilët natyrshëm e lidhin përkatësia etnike, besimi fetar, traditat, zakonet dhe veçoritë tjera, për shkak të rrethanave historike, si dhe duke u lëkundur mes identitetit fetar e gjuhësor, të lidhur dhe Bosnje e Hercegovinën, dhe përkatësisë etnike shqiptare dhe të kaluarës së përbashkët historike, me Kosovën, përkatësisht me popullin që e lidh natyrshëm gjeneza ilire e popullsisë së Sanxhakut, siç e pranojnë gjatë viteve të fundit shumica e intelektualëve, e kreut fetar dhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Sanxhakut.
Pavarësisht nga rrethanat e reja, të krijuara pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë dhe krijimit e shteteve të reja të pavarura, në kuadër të të cilave përfshihen qytetet dhe rajonet e kësaj krahine, Sanxhaku gjatë dy dekadave të fundit ka arritur të rizgjohet në aspektin e vetëdijes kombëtare, me forcimin dhe rikthimin në identitetin e tij të natyrshëm, për të cilën dëshmi më e mirë janë themelimi i Universitetit në Pazarin e Ri dhe krijimi i Qendrës së veçantë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnje e Hercegovinës në Pazar të Ri.
Se çfarë fati të ri do të sjellin integrimet e reja rajonale dhe globale për Krahinën e Sanxhakut dhe popullin e saj, pritet të shihet në të ardhmen.
(2 gusht 2017)
* * *
R e f l e k s e
JO SANXHAK DHE BOSHNJAKË, POR RASË DHE RASJANË, SHQIPTARË TË KRAHINËS SË LASHTË ILIRE-DARDANE
Abdulla Mehmeti
Shqiptarët duhet të mendojnë me kokën e tyre, ta shkruajnë të vërtetën sipas burimeve historike dhe të veprojnë sipas interesave të veta kombëtare, jo siç u diktojnë regjimet sunduese dhe propaganda e huaj armiqësore.
NË VEND TË EMËRTIMIT TË HUAJ “SANXHAK”* TË PËRDOREN EMËRTIMET AUTOKTONE: RASË, NDËRSA BANORËT E SAJ RASJANË, SIPAS KRAHINËS SË LASHTË DARDANE; JO SI BOSHNJAKË APO MUSLIMANË, POR SHQIPTARË TË RASËS, SIPAS RRËNJËVE TË TYRE, PASARDHËS TË ILIRËVE DHE DARDANËVE
Me përdorimin e emërtimeve të lashta (edhe të reja) në gjuhën shqipe të banorëve autoktonë, mund të mbrohet dhe afirmohet çështja e pazgjidhur e këtyre territoreve të mbetura edhe sot nën Serbi, assesi me përdorimin e termave të huaj, të përdorur nga sunduesit dhe regjimet e mëhershme joshqiptare, si: “Sanxhaku” i Pazarit të Ri, “Sanxhaku” i Nishit etj., siç i ka përdorur dikur administrata e Perandorisë Osmane dhe më vonë propaganda serbe (jugosllave) për interesa të veta hegjemoniste.
KRAHINA E LASHTË E RASËS, HISTORIKISHT NËNKUPTON SHUMË MË TEPËR SE EMËRTIMI I HUAJ “SANXHAK”, NDËRSA BANORËT E SAJ ME RRËNJË ILIRE-DARDANE-ARBËRORE-SHQIPTARE NUK DUHET TË QUHEN MUSLIMANË, BOSHNJAKË APO SANXHAKLI, PËRDERISA KËTO EMËRTIME NUK E NËNKUPTOJNË PËRKATËSINË E TYRE ETNIKE POR RAJONALE E FETARE DHE SI TË TILLA E NXITIN DHE NDIHMOJNË ASIMILIMIN E PLOTË TË KËTYRE SHQIPTARËVE NË BOTËN SLLAVE
Për afirmimin e çështjes kombëtare të shqiptarëve pse duhet të përdoren termat e sunduesve të huaj të mëhershëm, e jo emërtimet e lashta të rajoneve dhe krahinave të shqiptarëve autoktonë?
Me përdorimin e termave administrativë të periudhës Osmane, përveç në studimet shkencore dhe shkrimet tjera për periudhën e sundimit Osman, shqiptarët sot me dorën e tyre e ushqejnë propagandën serbe kundër shqiptarëve, kinse shqiptarët janë “mbetje” të Perandorisë Osmane dhe “pushtues” të territoreve të huaja (sllave e greke) në Gadishullin e Ilirisë, gjatë sundimit Osman.
Mediet në gjuhën shqipe, drejtuesit e pushtetit, politikanët dhe të gjithë shqiptarët që ia duan të mirën kombit, që merren me studimin e të kaluarës dhe të sotmes së shqiptarëve, që përpiqen për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, termi Sanxhak duhet të hiqet nga përdorimi, me të cilin në një periudhë të caktuar janë emërtuar gjithandej njësitë më të vogla administrative- territoriale të Perandorisë Osmane, të cilat përveç aspektit të ndarjes administrative nuk kanë asnjë domethënie apo kuptim tjetër, gjeografik, historik, etnik, kulturor apo gjuhësor.
Termi “Sanxhak” është përdorur në gjithë hapësirën ku ka sunduar Perandoria Osmane (në tri kontinente) dhe nuk përcakton veçori etnike të ndonjë rajoni të veçantë ose të banorëve të tyre, si i tillë nuk ka kuptimin gjeografik, historik, apo çfarëdo kuptimi tjetër, përveç kuptimit mbi ndarjen në njësi më të vogla administrative-territoriale në kuadër të Perandorisë Osmane, të njohura si Vilajete, Sanxhaqe dhe Nahija. Kështu, përderisa si vilajete, sanxhaqe e nahija janë emërtuar në periudhën e atij sundimi të huaj edhe njësitë administrative në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ndër të tjera edhe trojet etnike shqiptare, ku banorët autoktonë e kanë përbërë pjesën kryesore të popullsisë së atyre njësive, si: Vilajeti i Janinës, me 4 sanxhaqe; Vilajeti i Manastirit, me 5 sanxhaqe; Vilajeti i Kosovës (Shkupit), me 5 sanxhaqe; si dhe Vilajeti i Shkodrës, me 2 sanxhaqe etj.
Pse duhet kujdes i veçantë nga autorët e sotëm, studiuesit, gazetarët dhe mediet shqiptare? Sepse regjimet e huaja, sidomos ai serb, gjatë dy shekujve të fundit ka krijuar strategji për fshirjen nga kujtesa e banorëve shqiptarë vendës nga e kaluara dhe histori dhe trashëgimia e tyre kulturore, duke u imponuar histori të falsifikuar dhe emërtime të vendeve, rajoneve dhe krahinave, ashtu siç i shkojnë për shtati propagandës së saj. Sidomos kjo praktikë është zbatuar mbi krahinën e lashtë ilire të Rasës, në vend të së cilës është përdorur, në shkrime dhe harta, termi sipas ndarjes administrative në periudhën e sundimit Osman: Sanxhak, pa çka nëse shqiptarët ia shtojnë edhe emrin e qytetit, të Pazarit të Ri, ose të qytetit të Nishit! Nga kjo secila propagandë e mëtejshme ka arritur rezultate në interes të propagandës serbe, edhe për ndryshimin e përkatësisë etnike të banorëve shqiptarë vendës, ashtu siç nuk kanë qenë kurrë, “boshnjakë” ose “sanxhakli”, që nënkuptojnë banorët shqiptarë vendës të tij, sipas rajonit që përkasin, apo sipas përkatësisë fetare të shumicës së tyre, jo edhe të përkatësisë etnike, siç janë identifikuar gjatë historisë mijëvjeçare.
Nga burimet e panumërta shkencore janë të njohur emrat e këtyre krahinave dhe rajoneve shqiptare nga periudha Antike dhe më vonë, jo si “Sanxhaku i Pazarit të Ri, “Sanxhaku i Nishit” etj., por si rajone dhe krahina të lashta ilire e dardane, me emrat e lashtë të tyre, si: Krahina e Rasës, Rajoni i Nishit, Rajoni i Toplicës apo i Leshkovës (Leskovcit), si Lugina e Preshevës, (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc), ose si rajoni i Anamoravës (Morava e Epërme dhe Morava e Poshtme).
Me përdorimin e emërtimeve të lashta (edhe të reja) në gjuhën shqipe, mund të mbrohet dhe afirmohet çështja e pazgjidhur e këtyre territoreve të mbetura edhe sot nën Serbi, assesi me përdorimin e termave të huaj, të përdorur nga sunduesit dhe regjimet e mëhershme joshqiptare, si: “Sanxhaku i Pazarit të Ri”, “Sanxhaku i Nishit” etj., siç i ka përdorur dikur administrata e Perandorisë Osmane dhe më vonë propaganda serbe (jugosllave) për interesa të veta hegjemoniste.
VILAJETET, SANXHAQET DHE KAZATË E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE NË PERANDORINË OSMANE
Vilajeti i Shkodrës
1. Sanxhaku i Shkodrës (kazaja e Shkodrës, e Tuzit, e Lezhës, e Pukës, e Mirditës, e Krujës)?.
2. Sanxhaku i Durrësit (kazaja e Durrësit, e Kavajës, e Shijakut, e Tiranës).
Vilajeti i Kosovës
1. Sanxhaku i Shkupit (kazaja e Shkupit, e Kumanovës, e Kaçanikut, e Shtipit, e Radovishtës, e Koçanës, e Kratovës, e Peçevës, e Egri-Palankës).
2. Sanxhaku i Prizrenit (kazaja e Prizrenit, e Lumës, e Tetovës).
3. Sanxhaku i Pejës (kazaja e Pejës, e Gjakovës, e Gucisë, e Beranës, e Tërgovishtës).
4. Sanxhaku i Prishtinës (kazaja e Prishtinës, e Mitrovicës, e Vuçiternës (e Vushtrisë), e Gjilanit, e Preshevës).
5. Sanxhaku i Pazarit të Ri – Novi Pazari (kazaja e Pazarit të Ri, e Senicës, e Kolashinit, e Akovës, e Novi Varoshit, e Prepoljes).
Vilajeti i Manastirit
1. Sanxhaku i Manastirit (kazaja e Manastirit, e Ohrit, e Follorinës, e Kërçovës, e Përlepit).
2. Sanxhaku i Korçës (kazaja e Korçës, e Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit, e Hurupishtit).
3. Sanxhaku i Elbasanit (kazaja e Elbasanit, e Çermenikës, e Peqinit, e Gramshit).
4. Sanxhaku i Dibrës (kazaja e Dibrës, e Radomirës, e Matit, e Rekës).
5. Sanxhaku i Selfixhesë (kazaja e Selfixhesë, e Kozhanit, e Naseliçit, e Lapsishtit, e Grebenesë, e Kajlarit, e Elasonës).
Vilajeti i Janinës
1. Sanxhaku i Janinës (kazaja e Janinës, e Leskovikut, e Konicës, e Filatit, e Ajdonatit, e Mecovës).
2. Sanxhaku i Gjirokastrës (kazaja e Gjirokastrës, e Tepelenës, e Përmetit, e Himarës, e Delvinës, e Pogonit).
3. Sanxhaku i Beratit (kazaja e Beratit, e Vlorës, e Myzeqesë, e Mallakastrës, e Skraparit, e Tomorricës).
4. Sanxhaku i Prevezës (kazaja e Prevezës, e Margëllëçit, e Paramithisë, e Lorosit).
Popullsia që banonte në territoret e 4 vilajeteve ishte më 1850, afërsisht 1 700 000 banorë, kurse më 1912 rreth 2 354 000 banorë*.
Sipas statistikave zyrtare osmane të vitit 1912 popullsia e të katër vilajeteve ishte afërsisht kjo:
Vilajeti i Kosovës: 909 700 258 900 banorë, 61,4 % shqiptarë;
Vilajeti i Manastirit: 694 800 375 900 banorë, 54,1 % shqiptarë;
Vilajeti i Janinës: 559 700 330 800, 59,1 % shqiptarë;
Vilajeti i Shkodrës: 190 000 186 500, 98,2 % shqiptarë;
Gjithsej: 2 354 200 1 452 100 banorë, 61,7 % shqiptarë.
Sipas përllogaritjeve të përafërta, përbërja etnike e popullsisë së katër vilajeteve të marra bashkërisht (pa sanxhakun e Selfixhesë) ishte më 1912: 2 354 200 banorë, prej të cilëve 1 452 100 banorë shqiptarë, ose 61,7 %..
7 Nga arkivi/
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!