KRIPTOKRISTIANIZMI TEK BANORËT SHQIPTARË TË TREVËS SË TEARCËS

05
Jan
2024
Shkruan: Syrja ETEMI

Patjetër të theksoj që në fillim faktin se, qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të futem thellë në çështjen se kur ka filluar fenomeni i konvertimit të shqiptarëve nga një fe në tjetrën, apo të gjej arsyet apo shkaqet që determinuan për këtë praktikim, sepse intencat e tilla do të më intrigonin thellë. Prandaj, duke iu shmangur këtij pshtjellimi, unë do të fokusohem vetëm në qasjen e dokumentave të autorëve të ndryshëm rreth dukurisë të ashtuquajtur si “kriptokristianizëm” në mesin e shqiptarëve, e, më konkretisht – tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Këtu nuk mund t’iu shmangemi edhe të dhënave gojore të trashëguara brez pas brezi përkitazi me këto praktikime, ku ndër popullatën rezidente deri vonë bënte vaki që disa familje edhe t’ i stigmatizonin me shprehje të tipit: “Ato jën shkie”, “Ata vuan jan thkej”, ose: “Ato nen vuan i kan raujt kazënët e rakiis n’tra…” e k.m.r. Për këtë arsye, nën ndikimin e mendësisë predominante negative të akumuluar për të parët e tyre, të ngarkuar me primesa pezhorative, urrejtja arrin deri në atë masë – sa për t’i konsideruar edhe si “shkie” , madje duke i barazuar bile edhe me sllavët.
Përqasje burimesh komplementare
Duke përcjellur në hollësi linjën patrolineare të brezave të familjeve shqiptare në këtë trevë, por edhe më gjërë, ajo që të bie në sy menjëherë është fakti se distanca më e madhe deri te i pari i “fisit” nuk mund të shkojë deri në brezin e tetë apo nëntë. E, kështu, duke qenë i vetëdijshëm se ky fakt është problem tjetër, për dukurinë në fjalë, domosdoshmërisht do të fokusohem në burime e shënime komplementare që, për subjekt kanë “kristianizmin e fshehtë” ndër shqiptarët. Sa për ilustrim do të marr shembull fisin Nikaj (ku edhe shumë vendemërtime (sidomos në Kosovë – në zonat ku kufizohet me Maqedoninë) – marrin këtë antroponim, si: KaçaNiku, KryeNiku, Pus’teNiku, etj), dhe fisin tjetër, Marku në rrethin e Gostivarit. Për këtë qëllim, më së pari do të shkoqis dhe do të paraqes shkrimet e autorit, Robert Elsie, “Fiset shqiptare”, Prishtinë, 2017, i cili në fq. 226, përveç tjerash, potencon:
“Meqenëse Nikajt ishin fis katolik, emrat myslimanë ishin të zakonshëm në mes tyre . Shumë sish, si , në Shalë, emra të tillë i merrnin që në lindje. Paolo Dodmasei, peshkop katolik i Sapës dhe i Pulatit, më 1884, raportonte se “Pjesëtarët e fisit Nikaj, i përdornin emrat myslimanë kur shkonin në tregjet e Gjakovës, Pejës e Prizrenit. Arsyeja për këtë, siç thonin ata, ishte se ata ishin të shtrënguar të kalonin nëpër rajonet myslimane dhe mendonin se ishte më e përshtatshme të përdornin emra myslimanë, ndonëse të gjithë e dinin se ata ishin të krishterë. Pos kësaj, ata nuk bënin asnjë përpjekje për të fshehur fenë e tyre të vërtetë, ashtu si bënin kriptokrishterët në dioqezën e Shkupit.”
Si rasti i mësipërm ka edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për çka na sjellin shënime shumë autorë të huaj. Me këtë rast do të paraqes shënimet apo studimet antropogjeografike të gjurmuesit, Jovan Trifunovski në librin: “Pollog”, fq.195, ku, përveç tjerash, shënon edhe këtë:
“Familja Ali Marku (në fshatin Padalishtë-Gostivar, S.E.), në vitin 1947 ka 17 shtëpi. Janë të ardhur nga Mati i Arbanisë. Ata ngulmohen këtu si katolikë qysh para 150 viteve (Aty kah fundi i sh. XVIII, S.E.). Themeluesi i fisit është Ali Marku – i pari i brezit të katër (nga viti 1947, S.E.), edhe atë: Ibishi, gjallë, 60 vjeç – Asipi – Bajrami – Mustafa – Ali Marku. Pas ngulitjes në Padalishtë, kalon në islam. Në fshatin Cerovë (shprehet autori), më kanë treguar se këto Arbanasë, deri para 80 viteve kanë festuar Shën Thanasin, pra, ishin dyfetarë (“dvoverci”). Kështu, njëherë një familjar, për nder të festës së lartëcekur, e pret një dash, ndërsa me gruan bisedon dhe i thotë se, për festën e radhës do ta therrë edhe dashin tjetër nëse vijnë shumë mysafirë. Fëmijët e kanë dashur shumë këtë dash dhe, për këtë dalin në dollap dhe thirrin:
Frij veri, shej ne bije, o, Thanas
Të mos veje shaum gostije, o, Thanas
Të mos veje shaum gostije, o, Thanas
T’mos e presëm dashin e Madh, o, Thanas!
Pjesëtarët e këtij fisi, pra – të Ali Markut, akoma, bashkë me disa pjesëtarë të fiseve tjera të Padalishtës, fshehurazi kanë hyrë në kishë me rastin e ndonjë kremteje fetare kristiane – te shenjtori me emrin Shterjo – në fshatin fqinj. Për këtë arsye, në fund të shekullit XIX, klerikun e lartëpërmendur e mbysin banorët myslimanë të fshatrave përreth. Me banorët e islamizuar të Padalishtës, Arbanasët e fshatrave fqinj, gjatë kohë nuk kanë lidhur marrëdhënie martesore, sepse këta i kanë llogaritur si myslimanë të “lishtë” (cekët).
Për kultin e Shën Thanasit ndër shqiptarët shkruan edhe linguisti rus, Afanasi Selishçev në librin: “Pollog i ego bollgarskoe naselenie”, 1929, fq.211: “Култ св. Афанасија широко распространен бјил и по Албании. Много пунктов поселенија и много руни посјате название етого свјатого: Shen Thanas”
Duke iu referuar këtyre dëshmive të shkruara dhe atyre gojore të trashëguara e të përcjellura brez pas brezi, vijmë në konkludim se, nderimi i shenjtorëve nuk ka qenë “ekskluzivitet” vetëm i të krishterëve sllavë, por edhe të krishterëve shqiptarë (madje edhe tek ata të konvertuarit), tek të cilët, shumë rituale e tradita fetare i kanë të rrënjosura që nga besimi pagan me kultet bazë në mitologji. Kështu në këtë kontekst, shkruan Elira Çela në librin e saj: Tradita afetare e shqiptarëve: “Me lindjen e kishës së krishterë, filloi ndjekja e egër ndaj atyre që u përmbaheshin besimeve dhe riteve primitive parakristiane, prandaj mbi bazën e botëkuptimit pagan lindën veprime e rituale të reja, ose veprimet e ritualet e vjetra, marrin një kuptim të ri magjik. Kështu, shumë festa, rite e ceremoni, si përkujtim i të parëve, janë gërshetuar me elementë kristianë e islamikë, duke ndryshuar emrat dhe veshjen e jashtme. Të tilla kemi ritet e Shën Kollit, Shën Gjergjit (Shinxherxhit, S.E.), Shën Mitrit (Shumejtrit, S.E.), etj., të cilët janë me përmbajtje parakristiane.” Kulti i këtyre shënjtorëve festohej si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët.
Shkoqitje shkrimesh me shembuj që prekin edhe një fis të madh në Sllatinë
E përditshmja beogradase, “PIJEMONT”, 30.06.1914, në shkrimin me titull: Историја арнаутске најезде, shkruan:
“Shqiptarët në viset ku tani jetojnë, ka raste kur janë “turqizuar”, por ka edhe raste tjera, sidomos në viset e Rekës së Epërme, të cilët gjatë kohë i kanë rezistuar “turqizmit”.
…Kështu është rasti edhe me fisin “Mustafallarë” në Sllatinë të Pollogut të Poshtëm, ku kanë qenë dy vëllezër, dhe se njëri “turqizohet” dhe janë këta të sotmit, kurse vëllau tjetër i cili nuk deshti të “turqizohet”, ngeli në fenë e të parëve dhe konsiderohet ruajtësi i prejardhjes së vjetër në këtë fshat”. (“Било је и случајева да су се турчили; али је карактеристично, да је било у мањој мери потурица у овим крајевима. У том се погледу разликују ове области од Горнје Реке и крајева западно од Шара…
…Такви су на пример Мустафалари у с. Слатини (Донји Полог); била два брата, па се један потурцио и од нјега су ови, а од другог који се није хтео турчити, воде порекло данашњи старинци у село”).
Historinë e këtij fisi e gjejmë edhe në librin monografik “Sllatina (Monografi)”, v. 2005, të autorit, Syrja Etemi, i cili duke u bazuar në intervistat e banorëve të këtij fshati (Akik Ramadani, Elmaz Misimi, Abaz Etemi), në vitet 80 të shek. të kaluar , e, ku, shkruan: “Kanë qenë dy vëllezër: I pari (që duhet të ketë qenë më i madhi), e pranon islamizmin dhe merr emrin Mustafë, që, paraprakisht martohet me vajzën e Uroshit, e cila para se të vdiste gjatë lindjes, foshnjës (nëse lind djalë) ia lë emrin e burrit të vet: Mustafë, nga i cili rrjedhin Mustafallarët. Mustafa i parë martohet sërish dhe merr për grua një vajzë nga Cerova, nëna e së cilës ka qenë torbeshkë nga fshati Urëviç. Me këtë bën pesë djem, ku krijohen pesë nënfise, përveç Hutëve, të cilët rrjedhin nga vëllau i Mustafës – Dineja, (ky – i martuar me një vajzë të fisit Hoti, Hoda nga Lokevica e Prizrenit, vdes i ri në këtë vend, kurse Mustafa merr djalin e vëllaut, Hodën dhe e rrit bashkë me fëmijët (djemtë e vet), pasi që ky ka qenë edhe mirë nga idarja apo “takati”.
Kështu këta dy vëllezër shqiptarë të krishterë, njëri i pakonvertuar, kurse tjetri i islamizuar, por edhe brezat e ardhshëm që do të vijnë, trashëgojnë pronat e njëjta në këtë vendbanim,dhe, gjatë kohë kanë jetuar pa ndonjë problem që do të ishte refleks i përkatësive të ndryshme fetare.
Si do që të jetë, nga këto shembuj që i paraqitëm në këtë trajtesë, mund të dëshmohet qartë prania e sinkretizmit apo koekzistencës ndërfetare, dhe se, marrëdhëniet midis besimeve të ndryshme, nuk kanë qenë pengesa të pakapërcyeshme për lidhjen apo bashkëjetesën ndërbesimore ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe me pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme që i takojnë të njejtit besim apo besimeve të ndryshme, si: turq, sllavë, romë, torbeshë, etj.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk