( Tregim i hartuar nga një ndodhi e vërtetë )
Ishte prilli i vitit 1971 dhe lulet sapo kishin filluar të çelnin në qytetin e Hamburgut. Për qytetin ishte një ditë e zakonshme, por njëkohësisht edhe nga më të paparashikueshmet, sepse vetë qyteti as që e merrte me mend se, për pak kohë, do të gjendej në qendër të vëmendjes së opinionit botëror.
Një ditë më parë, në konsullatën boliviane kishte rënë zilja e telefonit, teksa receptorin e ngriti sekretarja. Nga ana tjetër e linjës, një zë femre kërkoi të bisedonte me konsullin Roberto Quintanilla Pereira.
– Ju lutem prisni një minutë – i tha sekretarja, teksa linjën ia kaloi drejtpërdrejt konsullit.
– Urdhëroni, ju lutem, jam konsulli Pereira… me kë kam nderin të flas?
– Përshëndetje z. Pereira, jam zonja Eduards, gazetare, dhe do të dëshiroja të merrja një intervistë me ju për zhvillimet politike në Bolivi, si dhe për bashkëpunimin midis dy vendeve tona. A jeni i gatshëm? Mendoj se mund të jetë me interes për lexuesit tanë.
– Me shumë kënaqësi – ia ktheu konsulli. – Por kur e mendoni? A mund ta realizojmë nesër paradite?
– Pse jo – u përgjigj zonja Eduards – nesër paradite, në ambientet e konsullatës.Të dy ulën receptorët dhe telefonat mbetën në heshtje, në pritje të ditës së nesërme.
“Po sikur të më kenë kuptuar se pas ‘zonjës Eduards’ nuk është ajo, por një tjetër person – pra unë, Monika Ertel, ish-anëtare e ELN-së (Ushtria Nacionalçlirimtare e Bolivisë)? Ky konsull dikur ka qenë një nga krerët e shërbimit sekret bolivian në La Paz, që së bashku me CIA-n bënë të mundur vrasjen e ‘Indit’ (pseudonimi i Guido Álvaro Peredos), si dhe më pas vrasjen dhe masakrimin e kufomës së Ernesto Che Guevarës. Kaq shumë frikë e kishin ‘Che’-në, sa që ky maskara ia preu edhe dorën, duke pozuar pranë tij! Po a masakrohet një kufomë? Dhe për më tepër, a mund të bësh fotografi duke qeshur pranë trupit të tij të gjymtuar? Ky njeri kaq i poshtër dhe me sjellje makabre, me siguri ka pasur dijeni për grupet e rezistencës në Bolivi, ndoshta edhe për mua – ‘Imilën’… kush e di?” Ajo buzëqeshi lehtë me vete, teksa kujtoi pseudonimin e saj si luftëtare e rezistencës.
E gjithë pasditja për Monikën kaloi pa u ndier, duke u munduar dhe stërmunduar me pyetje që i bënte vetes dhe përgjigje që i jepte sipas versioneve të ndryshme se çfarë mund të ndodhte të nesërmen. U ul për një çast në karrige dhe nga dritarja pa zogjtë që fluturonin mes pemëve të çelura. E menduar, vendosi bërrylin mbi tryezë dhe dorën mbi faqe:
“Si është e mundur që unë, një bijë nazisti – im atë, Hansi, që xhironte dhe stamponte në celuloid Hitlerin dhe hierarkët e tij – të bëhem një komuniste dhe revolucionare e vendosur? Çfarë metamorfoze e çuditshme… aq sa edhe vetë Hitleri, po të ngrihej nga varri, nuk do ta besonte.” Pa i dhënë përgjigje pyetjes së saj, u ngrit, shkoi te krevati dhe nga poshtë dyshekut nxori një revolver të markës “Colt Cobra 38”. E kontrolloi me kujdes, e mbushi me fishekë dhe e vendosi në siguresë. Ishin momente të veçanta dhe as ajo vetë nuk e kuptonte se si, pa dashje, kishte filluar të “bisedonte” në heshtje me armën e saj. E mbështolli dhe, duke e vendosur sërish poshtë dyshekut, i tha me seriozitet:- “Bëj kujdes nesër, më dëgjove? Mos më tradhto! E di që as unë, as ti, nuk fitojmë gjë nga një vrasje, por hakmarrja duhet, apo jo? Duhet t’u tregojmë se nuk kemi vdekur, edhe pse na e vranë ‘Indin’ bashkë me ‘Che’-në. Mua ma vranë shokun tim, që e doja aq shumë. Dhe mos mendo se është hakmarrje personale. Jo! Nesër ne do të flasim në emër të atyre që ranë për një ideal… dhe të atyre që mbetën gjallë. Ç’ke që hesht? Apo do ma lësh gjithë përgjegjësinë mua? Apo do ma kthesh përgjigjen nesër?”
Nata kaloi e qetë, duke rrëshqitur me një ritëm të njëtrajtshëm drejt agimit. Ajo u zgjua, shtriu krahët, veshi pantoflat dhe u drejtua para pasqyrës. “Duhet të dal e bukur,” mërmëriti me vete, “sepse edhe aktin do ta kem të bukur.” Pasi bëri tualetin dhe u vesh, hodhi mbi supe një kapardinë të bardhë. Mendoi për një çast ta mbante pistoletën në xhep, por ndërroi mendje:
“Më mirë në çantë… do ta kem më lehtë për ta nxjerrë.”
Pasi mbaroi, veshi këpucët e modës, mbylli derën dhe u nis drejt konsullatës boliviane.
Sapo mbërriti, njoftoi rojën se kishte takim me konsullin dhe nxori dokumentin e identifikimit, natyrisht me emër të rremë.
– Po, po, kemi dijeni. Urdhëroni, zonja Eduards – i tha roja, teksa njoftoi konsullin.
Pas pak çastesh, ajo u shoqërua drejt zyrës së tij, por konsulli Pereira kishte dalë vetë për ta pritur. I veshur me elegancë, disi tullac dhe me flokë të zinj anash, dukej se i kishte kushtuar rëndësi takimit, sidomos me një gazetare të bukur si ajo.
Sapo hynë në zyrë, ai e ftoi të ulej në divan dhe, për të krijuar një atmosferë disi më të afërt, qëndroi përballë saj me një buzëqeshje që synonte të ishte më shumë se zyrtare.
Pa u ulur ende, ajo, me qetësi, nxori “Colt”-in nga çanta dhe e qëlloi me tre plumba. Me të parin e gozhdoi në poltron vrasësin e “Che Guevarës”; me të dytin u sigurua se ai nuk merrte më frymë; ndërsa me të tretin vulosi hakmarrjen për shokët e luftës. Qetë qetë , nxori nga çanta një pusullë në formë trakti ku shkruhej:
“Morte o la victoria” – ELN duke ja vendosur atij në dorë
Para se ta hidhte pistoletën mbi trupin e Pereirës, e puthi dhe i tha:
“Danke!” e mbajte fjalën dhe më nderove (Faleminderit)
Pastaj u largua, po aq qetë.
Dihet: historinë e bëjnë lëvizjet e mëdha me karakter popullor… por edhe një akt i vetëm mund t’i shërbejë historisë – jo thjesht si pjesë e saj, por si një forcë shtytëse që çon drejt guximit, një shkëndijë që ndez lëvizje të mëdha.
YLLI MEÇE- Botuar në “Radiokosova e Lirë” dt 9.3.2026