KU E “PËRVETËSUAN” KORRUPSIONIN DHE KRIMIN, POLITIKANO-PUSHTETARËT TANË?!

19
Sep
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 19 Shtator 2023-
Politikanët dhe pushtetarët tanë, në fillim të vitit 1990, kur ndodhi përmbysja e socializmit dhe restaurimi i kapitalizmit, ishin pothuajse të barabartë për nga pasuria me qytetarët e thjeshtë. Një rrogë të zakonshme, e shumta sa dyfishi i rrogës së një punëtori të pakualifikuar, dhe një apartament e shumta 70 metra katërorë, pajisur me mobile të zakonshme për një jetesë normale e pa salltanete të veçanta. Nuk bëhej fjalë për makina private, përjashtuar ndonjë biçiklete, sepse lëvizja për në qendrën e punës e kthim në shtëpi, sigurohej nga shteti, ose nëpërmjet mjeteve urbane, me tarifë simbolike. Kjo ndodhte, sepse sistemi socialist, synonte të rriste të ardhurat kombëtare dhe të shoqërisë, pa krijuar hendekun social midis klasave dhe shtresave të popullsisë. Tani pas tri dekadash të sistemit kapitalist, politikano-pushtetarët e pas nëntëdhjetës janë barazuar, e madje në shumë raste, edhe i kanë kaluar kolegët e tyre në vendet e zhvilluara të perëndimit, përfshi edhe ata të Amerikës. Sigurisht duke krijuar një hendek të paimagjinueshëm social midis tyre dhe pjesës dërmuese të qytetarëve.
Po, si ka ndodhur e po ndodh kjo? Thjeshtë: “Sheh rrushi-rrushin dhe piqet”- thotë populli ynë. Sapo në vitin 1990 u hap ”drita jeshile”, politikano-pushtetarët tanë mësynë drejt perëndimit, veçanërisht drejt Amerikës, jo për ta zbuluar, se atë e kishte realizuar Kolombi dhe Ameriko Vespuçi, po për t’i “trashëguar” përvojën e korrupsionit dhe zahiretë e shumta që ajo të siguron. Pothuajse të gjithë politikanët dhe shtetarët, që janë ndërruar në karriken e Kryetarit të Partisë dhe atij të Shtetit, fillimisht kanë shkuar në Amerikë, që të “vaftisen”. Në krye të herës, këta mentarët tanë të politikës e të shtetit, e konsideronin Amerikën një parajsë botërore, ku dhe emrin e lexonin me rrokje mrekullie: “(h)A – mer– ikë”! Mirëpo në mitingun e parë pro-amerikan në sheshin Skënderbej, Sekretari i Shtetit, Bejker, u tha politikano-pushtetarëve tanë, se Amerika nuk të jep peshq nga varka e saj, por të mëson se si zihet peshku. Politikano-pushtarët tanë, mësimin në fjalë e thithën menjëherë. Ata e kujtuan historinë e pushtimit turk, ku Sulltani i Madhërishëm, shpërblimin për shërbimet e bejlerëve dhe agallarëve shqiptarë, ua adresonte tek pasuritë e popullit të tyre. Kështu, edhe “bejlerët e agallarët” e rinj shqiptarë, pasi shkojnë e vaftisen në perëndim, e sidomos në Amerikë, marrin edhe eksperiencën e zhvatjes së popullit, apo siç thuhet sot “përvojën” e korrupsionit, shoqëruar doemos me krimin, “vëllamin” e pashmangshëm të të parit.
Politikano-pushtarët tanë, gjatë këtyre tri dekadave, jo vetëm përvetësuan shkëlqyeshëm mësimet në “fushën” e korrupsionit e të krimit, por në mjaft rast i tejkaluan adashët e tyre të përtej detit, e matanë oqeanit. Disa prej tyre, si puna e Berishës, për shembull, në turrin e madh pas krimit të organizuar dhe korrupsionit të kamufluar, i tejkaluan edhe normat, që perëndimi ka vendosur për kufizimin disi të këtyre “aseteve”. Themi “disi”, sepse ato nuk mund të ndalohen kurrsesi, për faktin e thjeshtë se korrupsioni dhe krimi, janë si “grasoja” që ndimon në lëvizjen rrotave të makinës, tashmë të vjetëruar të sistemit kapitalist.
Miqtë amerikanë, duke parë se disa prej këtyre politikanëve dhe shtetarëve tanë, e kanë tepruar zollumin, nisën “Reformën e famshme të Drejtësisë”, e cila mendohet dhe shpresohet se do t’i japë fund korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin e shqiponjave. SPAK-u, struktura e ngritur për këtë problem, ka disa vjet që po punon me kapacitet të plotë, dhe duhet thënë se i ka arritur disa tregues. Por qytetari i thjeshtë shqiptar shtron dy pyetje, në pamje amatore, por mjaft konkrete. Pyetja e parë: Edhe sa kohë i duhet SPAK-ut, t’i dalë në anë luftës kundër krimit e korrupsionit? Dhe pyetja e dytë: A do të mundet SPAK-u ta shembë plotësisht piramidën e krimit e korrupsionit, që për nga madhësia dhe vlera ia kalon dhe piramidës së Keopsit?
Këtyre pyetjeve është e vështirë t’u jepet një përgjigje e saktë. SPAK-u dhe institucionet e tij, i kanë patur dhe i kanë të gjitha mundësitë që shembjen e “Piramidës së Korrupsionit” ta nisnin jo nga bishti, por nga kreu. Po të ishte bërë, ose po të bëhet kjo, atëhere piramida në fjalë bie si kështjellë prej rëre. Faktet për korrupsionin galopant dhe krimin tek “koka” e piramidës, ku strehohen tre apo katër politikanët dhe pushtetarët kryesorë, janë të plota, të dukshme e të njohura për çdo qytetar shqiptar. Disa prej këtyre “kokave”, autorët e “Reformës në Drejtësi” i kanë shpallur edhe “non grata”. Por këta të fundit, këta “nongratat” si puna e Berishës me shokë, vijojnë të livadhisin në politikë e në pushtet, të sigurtë se SPAK-u nuk do të arrjë gjer në majë të priramidës. Se vërtet, hapi prej “breshke” i SPAK-ut, nuk mund ta arrijë “revanin” e kalit të krimit e korrupsionit.
Një shembull sinjifikativ: Megjithëse SPAK-ut, i kanë ardhur në ndihmë rreth 38 punonjës të specializuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA, ai nuk është në gjendje të mbërthejë ish zëvendës Kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili, ndonëse duhej të ishte prapa hekurave të burgut, bredh nëpër “Europën e Lirë”, apo në “Amerikën e Parajsës!”
Historia e sistemit kapitalist ka treguar dhe po tregon çdo ditë, se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të shkojë gjer në majën e piramidës së tyre. Për të argumentuar këtë përcaktim, po sjell disa shembuj, pikërisht nga vendi ku u nis, dhe po bitiset “Reforma jonë e Drejtësisë”:
Po rreshtoj këtu katër presidentë të SHBA, që ndonëse u përfshinë në aferën e korrupsionit, të skandaleve dhe të krimit, ata nuk u dënuan asnjëherë. Riçard Nikson, u përfshi në skandalin e Uotergeitit, por shpëtoi nga dënimi, duke u larguar vullnetarisht nga detyra. Presidenti Klinton pati skandalin “Levinski”, për të cilin e gjykua, por doli pa lagur nga dënimi. Ish Presidenti Trump u akuzua si organizator, nxitës apo mbrotjës i sulmit mbi Kapitol, por aktualisht konkuron si kandidat për president në vitin 2024. Për ta mbyllur me presidentin aktual Biden, djali i të cilit, Hunter Biden, akuzohet për skandale me bisnesin e huaj. Për të mos shkuar tek Presidenti i famshëm, Kënedi, vrasja e të cilit, edhe tani pas gjysëm shekulli e më tepër, nuk është zbardhur gjer në fund.
Politikano-pushtatarët tanë të këtyre tri dekadave, korrupsionin dhe krimin e organizuar i përvetësuan pikërisht nga këto histori të vjetra e të reja të “demokracisë perëndimore”, ndaj edhe pse SPAK-u ka zhveshur shpatën e drejtësisë, ata vijojnë pa frikë “operacionet” e tyre fitimprurëse, të sigurtë se ustallarët dhe mësonjësit e tyre, me të cilët kanë bashkëpunuar, nuk do t’i shesin kurrsesi. Po të ndodhte ndryshe, ata do të shisnin veten e tyre, dhe “autogoli” në këtë fushë, është i papranueshëm.
Konkluzioni: Korrupsioni dhe krimi janë asete të sistemit kapitalist, me të cilat ai zgjat jetën e tij, vënë tashmë në pikëpyetje. Si të tilla, sistemi në fjalë nuk mund t’i luftojë gjer në fund dhe plotësisht. Në vendin tonë, për kushtet dhe rrethanat specifike, piramida e korrupsionit dhe e krimit, është shumë më solide, ndaj asnjë lloj SPAK-u nuk mund ti dalë në anë. Atë mund dhe do ta shembë vetëm revolta popullore, e cila çdo ditë po i afrohet thirrjes së famshme të Nolit, kur thotë: “Ngrehuni e bjeruni/ Korrini e shtypini / Katundarë e punëtorë / që nga Shkodra gjer në Vlorë!” Dhe kjo ditë nuk do të jetë e largët!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk