KU NDODHET QYTETI I LASHTË BASTARI (BESTARI) NË SHQIPËRI?!

25
May
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime
Nga të dhënat për vendbanimet në territorin e Shqipërisë së sotme, së paku njihen tre katunde dhe një njësi administrative (qendër) në Bashkinë e Tiranës, që në emrat e tyre mbajnë emrat Zall-Bastar, Bastar i Mesëm dhe Bastar-Murriz.
Ja çfarë shpjegimesh jepen për vendbanimin kryesor me këtë emër:
Zall-Bastari është një fshat dhe njësi administrative në Bashkinë e Tiranës, në Shqipërinë e mesme. Sipas regjistrimit të vitit 2011, njësia administrative Zall-Bastar kishte një popullsi prej 3,380 banorësh, nga të cilët 1.732 ishin burra dhe 1.648 gra.
Fshati Bastari shfaqet në defterin osman të vitit 1467 si pjesë e timarit të Mustafait në nahijen e Bendas. Ishte një vendbanim relativisht i vogël me gjithsej vetëm pesë familje të cilat përfaqësoheshin nga: Miho Manesi, Gjon Guribardhi, Gjergj Shurbi, Kolë Zhari dhe Dom Miho.
Në bazë të emrit dhe historisë për emrat e ngjashëm, me rrënjë të njëjtë apo të ngjashme, bëhet fjalë për ndonjë vendbanim tepër të lashtë, për të cilin ose nuk dihet deri më sot, ose qëllimisht fshihen të dhënat, sikurse për dy fshatrat me emrin Kosovë në rrethinën e Përmetit.
Sa për zgjimin e kureshtjes së lexuesve dhe studiuesve, ju përkujtojmë se emra të qyteteve të lashtë me emra të njëjtë njihen në gjithë hapësirën e Gadishullit Ilirik, sikurse është rasti me qytetin e lashtë mbi dy mijë vjeçar Basania, i cili gjatë viteve të fundit u zbulua nga arkeologët polakë në rrethinën e Shkodrës.
Sipas mendimit tonë, këto vendbanime lidhen me emrin e popullit të lashtë ilir Besëve-Besianëve, i cili mes shek. I – VII të erës sonë e ka zëvendësuar emrin të gjithë banorëve (fiseve) të Trakisë, duke përbërë popullsinë numerikisht më të madhe në Evropë gjatë këtyre shekujve. Historia e këtij populli lidhet me fillimet e krishterimit të Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Me këtë emër, në lashtësinë e hershme njihet edhe një rajon dhe mbretëri, Bastarnea ose Besapara (më vonë i ndryshuar në Besarabia*, deri me zëvenësimin e tij me një emër tjetër – Moldavia). Me këtë emër njihet një provincë në periudhën antike në Panoninë lindore, si edhe shteti i Bosnjes, që supozohet se emrin e ka marrë pikërisht nga një degë e shkëputur e popullit të Besëve-Besianët ilirë të Trakisë.
Se çfarë fshehin e heshtin studiuesit në lidhje me emrin e këtij populli të lashtë ilir dhe me vendbanimet që mbajnë emrat sipas tij, kjo pritet të analizohet dhe studiohet në të ardhmen.
Kësaj radhe, vetë parashtrojmë pyetje për studiuesit, historianët dhe arkeologët shqiptarë: si ka mundësi që në një rajon kaq të gjerë, me pozitë gjeografike që flet zëshëm, se këtu ku janë sot tre vendbanime të ndara me rrënjë të njëjtë emri, është pak e besueshme të mos ketë pasur ndonjë qytet gjatë periudhës antike, ndoshta edhe më herët në parahistori.
(25 maj 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk