Ku ta kanë zënë rrugën Dejona dhe Albini, o Behxhet Shala ?

20
Aug
2024
Shkruan: Sylejman Krasniqi


/Reagim ndaj shkrimit të Bexhet Shalës/
Më 15 gusht u botua një shkrim i Behxhet Shalës në gazetën “SOT” të Tiranës me titull: Korbat e “patriotizmit”. Nga kurreshtja e lexova disa herë artikullin. Shumë herë e lexova shkrimin sepse autori me një shkrim i kishte prekur disa tema. Kishte shetitur nga tema në temë. Tema bazë ishte Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe përpjekja për hapjen e saj. Për mbylljen e Urës Behxheti e fajson Rambujenë, Kumanovën dhe xhandarët francezë të cilët e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë me urën e lumit Ibër. Që në fillim vërehet se Behxhet Shala ka qëllime të tjetërsimit të fakteve reale, e pse i bënë këto nuk e dijmë. Ndoshta edhe e ka bërë rutinë lakimin e fakteve dhe të vërtetave. Po i jap disa shembuj të shtrembërimit të realitetit nga Behxheti. Në fillim të shkrimit thotë:”Këta që asgjë nuk kishin bërë për luftën…..përgjegjësinë për mbylljen e urës ua lënë përgjegjësve politikë dhe ushtarakë të UÇK-ës”. Nuk e thotë troç se për kend e ka fjalën por, më duket se e ka fjalën për Albin Kurtin, kryeministrin aktual të Kosovës. Nëse vërtetë e ka për Albinin, e bënë një keqinformim të qëllimshëm për opinionin. Behxheti e din më mirë se shumë nga ne se Albin Kurti ka qenë sekretar i bacë Adem Demaçit në Zyrën e UÇK-ës në midis të Prishtinës dhe se baca Adem nuk e ka bërë asnjë hap pa Albin Kurtin, nëpë male me ushtarët dhe në Shtabin e UÇK-ës. Nëse nuk e ke dijtë përpara unë po ta them tani, Behxhet, se Albin Kurti ka dashur ti veshë teshat e UÇK-ës por Adem Demaçi nuk e ka lejuar, sepse i ka thënë ti më shumë vlen të rrish pranë meje sesa të jesh një ushtar ose të jesh një pushkë më tepër në mal. Sa herë kanë qenë në rrezik Shasivar Makolli (shoferi i bacë Adem), Albin Kurti dhe Adem Demaçi këtë e din fort mirë Behxheti, por pse përhap këso të pavërteta veç ai e din! Që të tre këta trima kanë kaluar për teh të shpatës, si i thonë fjalës nga ana e jonë. Në fund të këtij pasusi Behxheti thotë “…vendimmarrjen për hapjen e urës e kanë ekskluzivisht ndërkombëtarët”. Këtë e thotë vetëm Behxhet Shala e askush, askush tjetër. Ku qenka e shkruar kjo, o Behxhet-o?!
Për shtrirjen e sovranitet në veri të Mitrovicës Behxheti mund ta ketë zili Albinin, por zilia nuk mbahet kur është në pyetje atdheu. Krejt ndryshe thonë banorët shqiptarë dhe sërbë të asaj ane rreth situatës në Veri. Behxhetin e kanë kapluar miopia dhe smira bashkë.
Në vazhdim Behxheti thotë “Çështjen e Kosovës jashtëzakonisht shumë e kanë dëmtuar Barak Obama dhe Xhoe Bajdeni duke ua imponuar Gjykatën Speciale Raciste…” Kjo Gjykatë nuk është miratuar në Uashington as në Nju Jork por në Kuvendin e republikës së pavarur të Kosovës dhe ne mes te Prishtinës me votat e deputetëve “trima” të partive të dalë nga lufta dhe pa praninë e tankeve as të topave por me kundërshtimin e deputetëve të LVV-ës dhe me kërkesën këmbëngulëse të Albin Kurtit që kjo të mos miratohet. Ndoshta Behxheti e ka harruar atë skenën e mjerueshme kur Albin Kurti ia merr nga dora mikrofonin Jakup Krasniqit, si kryetar I Kuvendit të Kosovës, që mos ta hedh në votim Gjykatën…., por “heronjtë” e miratuan Gjykatën për vete, e për hatër” të ndërkombëtarëve. “Jesmenët” e tu nuk ka mundur t’i edukojë Albini.
Albin Kurti kurr nuk do ta veshi xhurdinë e Vuk Karaxhiqit. Ate xhurdi ti Behxhet rezervoje për të “dashurit” e tu, kurse Albini, me kohë, e ka veshur xhurdinë e Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Pashko Vasë Shkodranit, të babë Myslimit, të Emin Durakut e plot të tjerëve të këti soji.
Në një vend thua kështu: “Por, duket qartë se, ose ka ndryshuar Albini, ose kam rrjedhur unë” Më vjen mirë që po e pranon këtë rrjedhje. Albini kurrë nuk ka ardhur në pushtet shkaku i urës, por as nuk e don pushtetin në “shpinë” të urës. Albini e don pushtetin sepse e don Kosovën më shumë se veten. Derisa Hasan Prishtina e ka shitur pasurinë për atdheun, Albini kurrë nuk ka patur pasuri (i gjori) por e shkrinë vehten për të njejtin atdhe. Ndoshta ti, Behxhet, ua ke matur bythët se cili e kanë për pushtet e cili për të vjedhur, porse tek Albin Kurti kjo nuk është vërejtur deri tani. Ti e din më mirë, se ndoshta je specialist i tyre (i bythëve).
Çka tu desht në këtë mes ta përmendësh rastin e Deharëve? A ke fare ndjenja njerëzore?!
Kulmin e “njerzillëkut” tend e ke arritur me përmendjen e Dejana Mihalit! Këtu e vërtetove veten se vërtetë ke rrjedhur, dhe fort e pakthyeshëm bile. Dejonën e bënë herë greke e herë sërbe, sipas vullnetit tënd. Por mos u habit se Dejona nuk është nga asnjëra dëshirë e jote. Por, me emër dhe mbiemër, është më shqiptare se sa unë dhe ti së bashku. Unë (Sylejmani) e ti Behxheti a jemi me origjinë nga kontinenti i Arabisë apo nga Anadollia? Deri tani kam menduar se ke diçka kombëtare në vete! Por unë e paskam rrejtur veten. A e din ti, shoku Behxhet, që Rilindja e jonë kombëtare e ka rrënjën tek ortodoksia shqiptare dhe tek Bektashitë e askund tjetë. Tek Jeronim De Rada i madh, tek Mihal Grameno, Petro Nini Luarasi, papa Kristo Negovani, vëllezërit Frashëri dhe Fan Noli. Të më falësh që ta përmenda emrin e Mihalit tonë të madh. Shumë jo, por tepër më TRUTHARË, jemi unë dhe ti se sa “grekja” Dejona. Më vjen shumë keq për ty që paske arritur me bindje tek Isa Mustafa i Prapashticës kur i përzuri nga Kosova Dejonën dhe Bojken Abazin vetëm pse janë nga Shqipëria e jonë. Nuk kam dëgjuar që ndonjëherë është përzën nga Kosova ndonjë sërbë, e as Radoiçiqi, sepse ata kanë qenë “paqësor” e kemi vjedhur bashkë, e jo si Dejona e Bojkeni. Kësaj punës tënde i thonë “luaje macë kryet e buallit”!
Dhe fare në fund po të them se Albin Kurti nuk ka faj pse në Kosovë nuk ka opozitë, dhe nuk ka mendim opozitar. Po të kishte opozitë, fort më mirë do të ishte edhe për Kosovën. Sepse tani janë zgjedhjet e rregullta dhe do të kishim mundësi të zgjidhnim…Mos po të shkon mendja ta kritikosh edhe popullin pse do ta votojë prap Albin Kurtin dhe LVV-ën. Mos po habitesh pse vetëm Albin Kurti e çoi mandatin deri në fund! A thua pse more Behxhet? Albini edhe votuesit i “blenë” me para sikur bëjshin adhuruesit e tu. Ndoshta edhe ty të kanë pushtuar ethet parazgjedhore…
Ndoshta këto rreshta i ke “teleisur” vetëm sa për të dalë në sipërfaqe, sepse në KËSHILLI (KMLDNJ) yt, ku je mykur për disa dekada, nuk po të mjafton!?
21.08.2024 Prishtinë

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk