KUJTIME TË ATDHETARIT PARTIZANIT TË LANÇ-re, NOVRUZ BILIMANI -“HELMESI”?!

11
Jan
2025
Shkruan: Zeni Bilimani

Pjesa e parë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-es, kur çeta e Riza Kodhelit, “Backa” futet në luftime në fillim të vitit 1942, unë u shkëputa nga drejtimi i çetës luftarake partizane të Helmesit dhe u inkuadrova me batalionin “Tomorri” në fillim të Prillit 1944 u shkëputa nga radhët e tij.
Ja, si e kujton Novruzi këtë largim:
“Ndodhesha në rrethinat e Voskopojës të Korçës si efektiv partizan i Batalionit të Rizait dhe pas një përpjekje luftarake po pushonim.
Afrohet Komandanti me i afërt, Ahmet Staravecka i cili më thotë:
“Të kërkon Komandant Riza Kodheli”.
-Menjëherë shkova e takova.
-Ai, më porositi të shkoja pranë familjes.
Më përpara do të shkosh në Panarit, sepse të kane kërkuar ata të Shtabit të Përgjithshëm”.
Kështu, veprova.
U nisa duke menduar lloj-lloj variantesh për kthimin pranë familjes. Me shumë mendime me shkonin për keq…, se, mos kisha bërë ndonjë gabim?!!!

Një mendim më thoshte se Rizai e dinte, por pse nuk më tregonte arsyen e kthimit?!
Shumë keq po me vinte për kohen që kalova me shokët…, veç mendimeve të shumta më shoqëronte edhe lodhja, e uria gjatë rrugës.
-Me këtë gjendje arrita te ndërtesa 2 -3 katëshe e Rakos në Panarit të Korçës, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.
Rojet më ndaluan, u sqarova me ‘ta dhe një partizan me shoqëroi deri te shkolla e fshatit ku ishin mbledhur shokët e Shtabit.
-Hyra brenda, i përshëndeta edhe ata ma kthyen përshëndetjen.
Ata ndodheshin në sallën ku bëhej kursi i kuadrove të Partisë.
Më bënë vend, u ula .
I hodha një shikim gjithë dhomës, por vetëm njërin e njihja, Medar Shtyllën, një mikun tim të vjetër. Medari, me bëri shenjë të qetësohesha. Disi u lirova nga mendimet e turbullta të rrugës dhe ma mori mendja se, më kishin thirrur për mirë.
Në fillim e mori fjalën një partizan i shkurtër dhe i shëndoshë që fliste me qetësi.
Ai me pyeti ku ndodheshim, më pyeti për shëndetin e Rizait dhe të shokëve.
Me vonë mora vesh se ky ishte Koci Xoxe.
Pastaj, ai shtoi:
“Ti Novrus nuk do shkosh në çetën e Rizait.
-Do të ë kthehesh në Helmes, pranë familjes, pasi puna dhe shërbimi që do t’i bësh luftës aty, është me i rëndësishëm“.
-Unë, shpreha në fillim njëfarë ngurrimi, por ai përsëri më sqaroi dhe me urdhëroi të veproja ashtu.
Kjo për mua ishte një favorizim, sepse afrohesha pranë familjes dhe fëmijëve që i kisha të vegjël, që kishin nevojë për mua.
-Shtabi i Përgjithshëm dhe lufta kanë nevojë për mbështetjen e familjes suaj.
Këto ditë do vijnë 2 a 3 partizanë për t’u strehuar për disa kohë.
Shkova në shtëpi, fola me familjen dhe të gjithë ramë dakord t’i shërbenim luftës partizane.
Tani, jeta jone do merrte një kuptim tjetër. Detyra ishte e rëndësishme dhe e shenjtë. Ajo ishte sa e lartë, aq e lavdishme. Duhej të jepnim prova trimërie, guximi, bujarie dhe besnikërie.
Kishim 4 dhoma dhe rreth 10 frymë.
Momenti erdhi.
Në ditët e para të Prillit të vitit 1944, partizanët trokitën në portën tonë.
Para meje u paraqitën tre partizanë.
U përshëndetëm dhe ju urova mirëseardhjen.
I futëm në odën e miqve. Aty u bë njoftimi.
Partizani që bëri njoftimin, shokët nuk i paraqiti me emra, por sipas krahinave që vinin.
Më bëri përshtypje një djalosh i pashëm,
i gjatë, me sy të mprehtë, që u njoftua, nga Gjirokastra.
Mjedisin e kishim përgatitur mirë, të pastër dhe me zjarr të bollshëm.
Fillimisht, ata
ishin të ndrojtur.
Armët dhe çantat që kishin me vete po i mbanim pranë vetes, ku ishin ulur.
-Mua, nuk m’u durua dhe u thashë:
”Ne skraparllinjtë kemi disa zakone, ashtu si dhe ju në zonat tuaja”.
-Fillova në formën e një anekdote (meseleje),
o, historie.
Kur vjen një mik ose disa miq, i zoti i shtëpisë ka për detyrë t’ju rregullojë kuajt,
armatimin dhe gjithçka tjetër, duke ua ruajtur në vende të sigurta“.
-Ata, panë njeri-tjetrin në sy, vunë buzët në gaz dhe m’i dorëzuan të gjitha materialet, të cilat i vura në fund të odës, e cila ishte 20 metro katrore.
Thirra një nga gratë e cila kishte bërë gati ujin e ngrohtë, legeni, sapunët e peshqirët për të lare këmbët mysafirët, ata në fillim hezituar, pastaj lanë këmbët, mbathën çarape të reja, u rehatuan dhe filluan të bënin biseda të lira.

Pasi pimë nga 2-3 kupa raki, hëngrëm dhe bukë, erdhi koha e gjumit.
Unë me Nurihanen shtruam dyshekët dhe jorganët.
Kur ranë për të fjetur, ai djali nga Gjirokastra, i gjatë si lis e kishte jorganin të shkurtër dhe i dolën këmbët jashtë pa i mbuluar. Unë mora një shilte (Shtrojë ulëseje), dhe ja shtova poshtë dhe me shaka i thashë se, kjo shtëpi ka pritur e përcjellë shumë miq, por, miq kaq të gjatë sa ju, nuk më kane ardhur asnjëherë.
-Ata panë në sy njeri- tjetrin dhe qeshën.
Kërkuan që t’ua lëja llambën e vajgurit të ndezur dhe kështu bëra.
Natën kur u ngrita, vura re se ata po shkruanin.
Nga ky fakt dhe kur dola jashtë, vura re disa hije rreth e rrotull shtëpisë, ishin ca roje, falë përvojës që kisha si partizan, e kuptova që, ata nuk ishin partizanë të thjeshtë,
-siç me thanë ata të Shtabit në Panarit.

Më vonë, duke kaluar koha, do të merrja vesh se, Ay djaloshi i gjatë, ishte Komandanti.

Vazhdojnë kujtimet në episode të tjera….
11 Janar, 2025

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk