të shqipfolësit patronazhist druzhe (shoku) BARDHYL MAHMUTIT, i datës 11shtator 2024, me titull: “ Logorreja dhe “kapslleku i ideve konstruktive!”.
Është me të vërtetë për të ardhur keq kur sheh se si, dhe sa poshtë ka përfunduar mendja njerëzore, morali dhe etika njerëzore e disa prej atyre që shumica i konsiderojnë si biçim intelektuali, kur sheh e lexon tituj të tillë të bërë nga tipa si Bardhyl Mahmuti. Të vjen keq, mua personalisht flas, kur e shoh që një qënie njerëzore, pamvarësisht statutit të vet në këtë shoqërinë tonë, e përdor gojën në vend të fund-shpinës. Ose, si i thonë në gjuhën popullore: “Mendon e flet me fund-shpinë”.
Në këtë kundër-reagim timin e kam etiketuar këtë individin, shqipfolës dhe druzhe (shok) në gjuhën serbe, pasi mentaliteti që ky shfaq në këtë reagim të tijin i përngjet atyre të sllavëve të Jugut në mesin e të cilëve edhe është formuar ky individ.
Shqipfolësi patronazhist druzhe (shoku) Bardhyl Mahmuti ka vendosur që prej fillit të reagimit të tij të merret edhe me familjen time, duke ju referuar një gjoja miku të përbashkët: “m’u kujtua një miku im, që kishte reaguar ndaj atyre, që prapa çdo gjëje shihnin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës”.
Duke qënë se ky zotëri ka shkruar ngjashëm si sllavët e Jugut, duke e implikuar edhe familjen time në këto polemika të miat me të, jam i detyruar që ta sqaroj individin shqipfolës druzhe Bardhyl Mahmutin.
Si fillim po i them që, nuk ka mundësi që ai “miku” të jetë mik i përbashkët i joni, pasi unë jam mëse i sigurtë se miqtë e mi nuk janë miq me druzhe Bardhyl Mahmutin, dhe se do bënte mirë që ta pyeste një herë atë “mikun” – nëse më ka takuar ndonjëherë në jetë të vet ai “miku”, dhe pastaj t’i bëjë pyetjen tjetër nëse ndonjëherë ai e ka dëgjuar nga goja ime pretendimin ,të cilin e apostrofon “intelektuali” Bardhyl Mahmuti.
Unë e garantoj që jo. Por gjithsesi ia sugjeroj që edhe për siguri të vetën ta harxhojë një telefonatë.
Ndërsa tashti po e sqaroj se është e pamundur që ajo shprehje të ketë dalë nga goja ime, pasi druzhe Bardhyl Mahmuti e konsideron Edi Ramën si persekutor të asaj çfarë më ndodhi mua. Në fjalorin e Gjuhës Shqipe persekutor konsiderohet dikush që e përndjek dhe e torturon dikë në mënyrë të vazhdueshme. Për fatin tim të mirë, por edhe të vetë Ramës, në gjithë kohën që ky ka qënë në pushtet, unë personalisht apo edhe familja ime, nuk kemi pasur ndonjë përplasje dhe as përndjekje nga vetë Edi Rama, apo dhe pushteti i tij. Në gjithë këtë kohë as jemi burgosur, as jemi ndaluar, e as jemi akuzuar penalisht, ose edhe publikisht, as nga Rama e as nga ana e pushtetit të tij, pamvarësisht retorikës sime ndaj tij që prej ditës që ka ardhur në pushtet.
Edhe në këtë rastin në fjalë për çështje të ekstradimit tim me kërkesë të Gjykatës Specilale të Kosovës në Hagë, ashtu siç edhe e shkruan edhe kërkesa, është një vendim i asaj Gjykate, e cila nuk është nën hyqmin e Ramës. Kërkesa për ekstradim është një procedurë normale e parashikuar nga ligji, dhe ndalimi në raste të tilla, kur kërkesa shoqërohet edhe me kërkesa shtesë për arsye sigurie, është sërish ligji ai i cili i përcakton këto veprime dhe jo Rama ose dikush tjetër.
Pra, edhe po të dua, por edhe po ta konsiderojmë një moment të tillë, siç thotë druzhe Bardhyl Mahmuti, përveç se juridikisht, por edhe logjikisht Rama është jasht këtij ekuacioni, por edhe sikur të dua, nuk kam sesi ta fus.
Ndaj futja e familjes time në këtë ekuacionin e tij nuk është aspak mentalitet i shqiptarit, pasi shqiptari kurrë nuk është marë me familjen e kundërshtarit, por vetëm frikacakët dhe sllavët e Jugut i kanë përdorur për kërcënim familjet e kundërshtarëve të tyre. Ndaj edhe në këtë aspekt e konsideroj këtë individ, duke iu drejtuar serbisht, me druzhe (shok).
Për më tepër, druzhe Bardhyl Mahmuti citon një thënie të atij “mikut”, të cilën po e sjell të plotë: “Reagimet e atyre që në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut shohin fytyrën e Edi Ramës, më kujtuan kohën kur pushtuesit serbë na kishin ndaluar të presim dru në pyjet tona, për t’u ngrohur në dimrin e acartë. Nga frika se mund të zbuloheshim, kur futeshim “ilegalisht” në pyll çdo lis na dukej si fytyra e rojtarit të pyllit”.
E falenderoj për këtë sqarim, pasi tashti po e kuptoj arsyen e vërtetë se pse druzhe Bardhyl Mahmuti, ndoshta edhe ai “miku” i tij, nuk kanë ardhur në luftë për çlirimin e Kosovës dhe as në dy luftrat e tjera në trojet Shqiptare për të drejtat e tyre, gjatë viteve 1997-2001, pasi, mesa duket, këtyre çdo pemë e atyre trojeve u dukej si polic ose paramilitar serb, ose edhe ndoshta si ai roja serb i pyllit dhe, nga frika se mos i kapte ose i vriste, preferuan të qëndronin ngrohtë pranë grave të tyre në Perëndim, ndërkohë që bashkatdhetarët e tyre luftonin dhe familjet u masakroheshin.
Më tej druzhe Bardhyl Mahmuti më akuzon për shpifës pasi kam konsideruar duke u bazuar mbi rrëfimin e tij në shkrimin e parë, se në atë ceremoni mund të ketë vajtur me ftesë të autorit, pasi nuk mund të ketë vajtur me ftesë të Ramës ose të ndonjë pushtetari tjetër, duke e ditur se nuk ka asnjë njohje me ta. Në këtë rast paskish qënë gabim i imi të cilin e pranoj, po që assesi nuk e pranoj etiketimin “shpifës”, sepse nuk kam shpifur; por, edhe sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe “shpifje” do të thotë “gjëra të pa qëna që thuhen me qëllim për të përlyer nderin a emrin e dikujt, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka”. Në këtë rast deduktimi im, se druzhe Bardhyli ka qënë me ftesë të autorit, nuk është as përlyerje ndaj emrit e as ngarkim faji, pasi të marrësh pjesë në një ceremoni ku nuk je autor nuk është faji i askujt. Por, me sa duket, druzhe Bardhyl Mahmuti, duke qenë se fëmininë e ka kaluar mes sllavëve, duhet të ketë probleme edhe me kuptimin e gjuhës shqipe.
Dhe pastaj, si për çudi, pas gjithë asaj “trimërie” që tregon në pjesën e parë të reagimit të tij, shprehet se qënka ndjerë i kërcënuar pse unë i paskam përmnendur Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë! Dhe sërish, ashtu si edhe në shkrimin e tij të parë, ai sërish bën racionalizim, ku edhe më konsideron si nostalgjik i një sistemi të shkuar, duke iu referuar një neni të Kodit Penal të Republikës Socialiste të Shqipërisë.
Edhe në këtë rast, po e lodh pak lexuesin, për ta sqaruar druzhe Bardhyl Mahmutin se unë i jam referuar vetëm neneve të Kodit Penal aktual, dhe përkatësisht Nenit 268 të tij, për të cilin druzhe Bardhyl Mahmuti duket që nuk ka dijeni dhe që, po ta lexoi, do e shohi që edhe ky nen është përfërsisht i njëjtë me nenin e Kodit Penal të vitit 1977, të cilit i referohet ai vetë.
Por unë i kujtoj druzhe Bardhyl Mahmutit, i cili, me sa duket, përveç problemit me gjuhën shqipe ka edhe problem me arithmetikën, pasi unë jam i lindur në vitin 1976 dhe nuk kam si të kem nostalgji për një sistem në të cilin kam jetuar vetëm 15 vjet. Përkundrazi, duket qartësisht që si ish anëtar i atyre organizatave Marksiste-Leniniste në të cilat ka aderuar që nga rinia e tij e deri në pleqëri, e kanë bërë nostalgjik për gjëra të tilla, aq sa edhe mban akoma në arkivat e tij Kodin Penal të atij sistemi.
Por edhe në atë kohë, të cilës i referohet druzhe Bardhyli, si edhe në këtë, çdo ndryshim i simboleve dhe i flamurit, i bërë me vendim të parlamenteve përkatëse dhe i mbrojtur nga Kodet Penale të kohës, nuk ka asnjë arsye për t’u kundërshtuar, siç pretendon druzhe Bardhyl, që unë do të duhej ta bëja.
Duke i kërkuar falje lexuesit që i mora kohë për sqarimet e detyruara të mësipërme, tashti le të vimë te çështjet thelbësore të gjithë këtij debati.
Në reagimin ku është lindur, rritur e shkolluar druzhe Bardhyl Mahmuti ka ofruar dy vula të cilat i paraqet si vula të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Duke qënë se unë nuk jamë historian, por edhe as specialist i historisë së mesjetës, kam qënë i detyruar që t’i referohem atyre që janë marrë me këtë çështje.
Dhe i jam referuar të ndjerit Moikom Zeqo i cili, në shënimet e tija, të cilat edhe janë publikuar shkruan:
“Flamuri i Skënderbeut është një subjekt kryesor i skënderbeologjisë.
Dijetarët kanë shkruar mbi këtë flamur, por saktësia dhe akribia shkencore ka lënë shpesh për të dëshiruar”.
Flamuri i Skënderbeut është përshkruar nga disa autorë.
“Anonimi i Tivarit, në vitin 1480 (i cituar prej Biemit, fq. 23) thotë: “L’insegna di Skander begh era un’ aquila negra distinta in dua teste sopra campo rosso” (Flamuri i Skënderbeut ishte me një shqiponjë të zezë me dy krerë në një shesh të kuq).
Marin Barleti, 1508 (fleta XV), thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. (“Flamur i kuq i Skënderbeut me një shqiponjë të zezë dykrerëshe.”)
Të gjithë autorët, që janë bazuar te Barleti përmendin të njëjtën gjë.
Dhe po në kujtimet e tij Moikom Zeqo thotë: “Rafigurimi i shqiponjës dykrerëshe me Yllin e Davidit në vulën e madhe nuk është autentik me flamurin.
Fjala vjen, Barleti nuk e përmend asnjëherë faktin, se mbi shqiponjën dykrerëshe është Ylli i Davidit.
Një fakt tjetër substancial është se shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ka patur asnjëherë kurora mbretërore, sepse dihet, që Skënderbeu nuk e pati asnjëherë titullin e Mbretit të Shqipërisë.”
Ndërsa Prof. Shyqyri Nimani, në librin e tij të botuar në vitin 1996 me titull “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, shkruan: “Gjatë një udhëtimi në SHBA, në ekspozitën e madhe « ART & CARTOGRAPHY » në qytetin e Çikagos, organizuar nga The Newberry Library, qenë ekspozuar harta unikale (manuskripte), tepër të rralla dhe absolutisht shumë të rëndësishme.
Aty qe ekspozuar edhe «Harta Portollane e Mesdheut» e vitit 1456, një manuskript i pikturuar në pergamenë, pronë arkivore e bibliotekës dhe Newberry Library në Chikago – koleksion i Edward E.Ayer-it, nr.3. Dhe harta ka shënimin : «Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate majori carum anno domini MCCCLVI».
Dhe më tej z Nimani vazhdon: “Kjo hartë përfaqëson maksimumin e njohjes gjeografike të botës, përpara zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi më 1492. Aty janë shënuar emrat e vendeve dhe të qyteteve kryesore dhe 41 flamuj të shteteve evropiane, më 1456. E jashtëzakonshmja dhe e papritura për ne shqiptarët është se pikërisht në figurën gjeometrike, gadishullore të Shqipërisë, është vizatuar edhe flamuri i Skënderbeut.”
Prof. Shyqyri Nimani e ka botuar të plotë hartën e vitit 1456, në faqen 55. Flamuri ka një majë të vogël mbi shtizën vertikale. Duket qartë në të, figura e shqiponjës dykrerëshe, por pa Yllin e Davidit.
Ndaj edhe Moikom Zeqo në shënimet e tij thotë: “Dihet që edhe vetë stema e Kastriotëve është ndryshuar, është mbingarkuar me kurorat mbretërore, se trashëgimtarët e familjes së Kastriotëve, për shkak të titujve që kanë marrë më vonë, i kanë shtuar atribute të tjera stemës së thjeshtë, civile, dhe autentike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.”
Ndaj edhe stema e parë e paraqitur nga druzhe Bardhyl Mahmuti, ajo me yllin e Davidit sipër kokave, stemë të cilën në 17 janar të vitin 2018, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, e ka ekspozuar Edi Rama duke e paraqitur si “Vulën e akteve shtetërore” të Skënderbeut, por që në realitet nuk është vërtetuar asnjëherë që ajo është përdorur nga Skenderbeu, sikundër thotë edhe Moikom Zeqo.
Kjo është përdorur nga autori i shtatores në mburojën e Skënderbeut. Ndërkohë që historia jonë ka vërtetuar se stema e shqiponjës me dy koka me yllin e Davidid sipër është stemë e përdorur nga familja e Balshajve.
Prandaj këtu lind pyetja: A është e mundur që Skenderbeu të ketë përdorur si vulë të tijën një stemë të një familje tjetër fisnike shqiptare të asaj kohe?!
Në këtë rast duket qartësisht që autori i shtatores është ndikuar nga Edi Rama. Në kësi rastesh, në këtë “nahijen” tonë, o druzhe Bardhyl Mahmuti, i thonë: “Me propozim nga lartë e me miratim nga poshtë”. Kjo, pasi paratë i kanë paguar shqiptarët nëpër botë, ndërsa për bërjen e saj ka ndikuar një narcist.
Në të vetmin rast, në të cilin është vërtetuar përdorimi i Yllit, si stemë e familjes së Kastriotëve, ai ndodhet në Napoli ku ndodhet Kisha monumentale Santa Maria La Nova, në të cilën është varrosur nipi i Skënderbeut, Konstandin Kastrioti, djali i Gjonit, dhe varri është ndërtuar nga gruaja e Skënderbuet, Donika Kastrioti (Komneni). Dhe brenda një kornize anësore të atij varri është gdhendur një mburojë ovale. Në qendër të saj shquhet shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat. Në mesin e dy kokave del në relief ylli me tetë cepa. Pra këtu ylli nuk është ai i Davidid, por tjetër.
Tashti le të vimë tek vula e dytë, në të cilën duket një shqiponjë me një ujk nën kthetrat e saj, vulë të cilën druzhe Bardhyl Mahmuti e paraqet se edhe kjo i përket Skënderbeut.
Në realitet, bëhet fjalë për një vulë e cila ndodhet në muzeun e Kopenhagenit, në Danimarkë, e regjistruar atje si vula e Skënderbeut, dhe që edhe këtë vulë e solli në Shqipëri për ta ekspozuar Ilir Meta kur ishte president, si kundërpeshë të eskpozesë së vulës së Skenderbeut nga ana e Edi Ramës në janar të po atij viti, 2018.
Por më pas studiuesit e huaj, përfshi këtu edhe ata danezë, e kanë specifikuar se kjo vulë nuk është vula e Skënderbeut. Kjo, ngaqë mbishkrimi në atë vulë është në gjuhën greke dhe deshifrohet kështu: “MBRETI ALEKSANDER,(ISKANDER)) ME MËSHIRËN E ZOTIT PERANDOR I ROMANËVE, SUNDUESI I MADH I TURQVE, SHQIPTARËVE, SERBËVE DHE BULLGARËVE”
Ndërkohë, sikundër dihet, se Skënderbue kurrë nuk e shpalli veten mbret, prandaj në të gjitha letërkëmbimet e tij me fuqitë e kohës ai nënshkruan: “Princ i Shqipërisë dhe Epirit”.
E shoh që nga padija dhe nga nxitimi, thjesht druzhe Bardhyl Mahmuti ka hapur internetin ka shkruar në të “vula e Skënderbeut”, dhe ka marrë fotot e para që i kanë dalë, pa i hyrë një investigimi të lehtë.
Dhe pastaj ka vazhduar në këtë rrokopujë, dhe në fund po mundohet të na paraqesi këtu, vula dhe stema të cilat nuk përfaqësojnë dhe nuk kanë qënë asnjëherë pjesë e asaj periudhe që njihet si Skënderbeologji. Dhe, me këtë nivel “intelektual” të druzhe Bardhyl Mahmutit, eja e beso se ky filozof ka kryer studimet në universitetin e Parisit!
Dhe kjo që kërkon të na bindi ky lloj njeriu cënon direkt historinë tonë dhe kulturën tonë, pasi t’i imponosh popullit simbole të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të dhe historinë e tij, është manuipulim i historisë dhe kulturës, dhe kjo i shërben vetëm fqinjëve tanë, dhe interesave antishqiptare.
Ndaj vënia e UJKUT, SIMBOLI I FASHIZMIT, mbi supin e Heroit tonë Kombëtar është jo vetëm cënim por vepër antikombëtare. Dhe po e njëjtë është tentativa e atyre si druzhe Bardhyl Mahmuti që mundohen të mbrojnë këtë veprim antikombëtar, i cili cënon simbolet tona.
Dhe këtu nuk po i hyj fare temës të paraqitjes së Heroit tonë Kombëtar në këmbë, e cila është një poshtërim që i bëhet vetë Skëndërbeut. Pasi në mesjetë, kohë në të cilën ka jetuar dhe vepruar Heroi ynë Kombëtar, kali ishte simbol i asaj epoke, pasi tregonte lavdi, dhe ta zbresësh kalorësin nga kali, do të thotë t’i heqësh lavdinë.
Ndaj, bazuar në sa më sipër, e konsideroj Bardhyl Mahmutin një shqipfolës në shërbim (uroj ta ketë nga padija) të qarqeve antikombëtare shqiptare. Dhe këto qarqe, të cilat vazhdimisht tentojnë ta cënojnë figurën e Skënderbeut, i përkasin kryesisht sllavëve të Jugut, prandaj dhe i drejtohem me epitetin druzhe.
Ps: Jam i bindur se e kam ezaurur si nga ana historike, por edhe gjithë çështjet e tjera që ngre druzhe Bardhyl Mahmuti. Edhe nëse do të ketë ndonjë kundër-reagim nga ky individ, unë nuk do të merrem më me të, por vetëm i them: Zoti të ruajt shëndetin, se mendja ka kohë që të ka lënë!
19 shtator 2024
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!