KUNDËR SULMEVE TË VAZHDUESHME ME PRAPAVIJË POLITIKE NDAJ MEJE DHE FAMILJES SIME, TË ORGANIZUARA NGA PUSHTETI, DREJTPËRDREJTË DHE PËRMES BANDAVE KRIMINALE

07
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Reagim publik
Shërbimet sekrete ruse, serbe dhe të tjera, përmes rrjeteve në shërbim të tyre dhe personave të infiltruar në politikë dhe në organet e pushtetit, përmes bandave të nëntokës kriminale, nxitin konflikte, tensione dhe pasiguri te qytetarët e Maqedonisë Veriore.
(Detaje të hollësishme do të paraqesim përmes një konference për mediet gjatë këtyre ditëve)
1.
Dezinformimi i opinionit nga SPB Tetovë (shih: njoftimin e datës 30 qershor 2023), e cila sulmin e porositur dhe organizuar ndaj një personi (vëllait tim) nga disa persona (së paku 3 sipas dëshmive, në gjendje të dehur), të cilët janë të njohur nga rrethi ku jetojnë dhe nga policia, si prodhues, përdorues dhe dilerë të drogave, me qëllim të mbrojtjes së këtyre bandave me dosje të trasha, për montime të proceseve me motive politike (të paralajmëruara nga unë më 21 qershor, gati dhjetë ditë përpara rastit në fjalë, të cilin SPB Tetovë* e ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar, duke fshehur faktet dhe dëshmitë për këtë rast të planifikuar dhe montuar më herët nga disa persona të implikuar në sajimin e tij.
E para se, ka me dhjetëra raste zënkash e konfliktesh që ndodhin brenda një dite në Tetovë dhe rrethinë, madje edhe raste të rënda kur sulmohen persona zyrtarë, sulmohen edhe policë gjatë ushtrimit të detyrës, por nuk lajmërohen si raste në mediet e vendit, siç është ngutur SPB Tetovë kësaj radhe, me urdhër politik nga lartë, që ta bëjë mizën buall, madje duke i dhënë hapësirë këtij njoftimi të rrejshëm (të parapërgatitur më herët) edhe në mediet elektronike (TV), që të bëhet lajm “i besueshëm” për opinionin!
Si ka mundësi që personat e përfshirë në këtë zënkë, siç thuhet në njoftimin e SPB Tetovë- asnjëri prej personave të përfshirë në sulmin fizik kundër vëllait tim të mos ketë asnjë lëndim trupor (as gërvishtje), dhe të njëjtët të paraqiten i viktima të sulmit (kinse të kërcënuar në shtëpinë e tyre me mjet të fortë), ndërsa personi i vetëm i sulmuar në befasi në mes të rrugës për në shtëpinë e tij të ketë lëndime trupore të shkaktuara nga goditjen në befasi prej grupit kriminal prej disa personave (të konstatuara nga organet përkatëse), i njëjti të paraqitet si sulmues?!
Dhe, jo vetëm kaq, të implikohet në këtë rast gruaja e moshuar 79 vjeçare e pafajshme, përndryshe fqinje e jonë e mirë, e cila lëngon gjatë kohë dhe është në gjendje gjysmë të lëvizshme, e cila në këtë rast paraqitet si viktimë (e detyruar), kurse sulmi ka ndodhur në rrugë e jo në shtëpinë e fqinjëve tanë (që të përdoret si fakt mbrojtës për sulmuesit e porositur) vetëm për ta fshehur rastin e montuar, të përgatitur kohë më parë nga bandat kriminale, me ndihmën e disa personave brenda SPB Tetovë*, të motivuara nga shërbimet e huaja sekrete, siç është paralajmëruar dhjetë ditë përpara këtij rasti në shkrimin tim.
*Organet përkatëse duhet t’i sigurojnë dëshmitë, komunikimin përmes telefonave të personave që e kanë kryer këtë sulm fizik ndaj vëllait tim me personat e dyshuar si porositës të këtij sulmi fizik.
2.
SPB Tetovë me urdhër politik nga lartë e ka paraqitur rastin me dëshmi të rrejshme, duke marrë rolin e gjykatës
“Rrahje mes fqinjëve, 79-vjeçarja nga Shipkovica e Tetovës përfundon në spital.
Një 79-vjeçare nga Shipkovica e Tetovës ka përfunduar në Spital, pasi është rrëzuar duke u shtyrë nga një fqinj i cili kishte ardhur në shtëpinë e saj për t’u kacafytur me birin e saj, bëhet e ditur nga Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë.
“Pesëdhjetë e dy vjeçari M.Q. nga Shipkovica e Tetovës, mbrëmë (29-qershor) në ora 21:25, në SPB Tetovë ka raportuar se fqinji i tij S.M.(52) rreth orës 19.10 së pari kishte qenë i kyçur në një zënkë verbale me vëllain e tij dhe e ka kërcnuar me një mjet të mprehtë, kurse më pas e ka shtyrë nënën e tij 79-vjeçare Z.Q. Sipas njoftimit, ajo ka rënë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konfirmuar në Spitalin klinik të Tetovës. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, qëndron në njoftimin e SPB Tetovë.”
Burimi: https://www.tetovasot.com/…/rrahje-mes-fqinjeve-79…/
3.
Shkrimi im paralajmërues, dhjetë ditë përpara sulmit fizik ndaj pjesëtarit të familjes sime (vëllait tim), që nuk është rasti i parë. Më herët janë organizuar edhe disa sulme të tjera ndaj pjesëtarëve të familjes sime, përfshirë edhe fëmijët e mitur të moshës 9 dhe 13 vjeçare.
Shkrimi i plotë i datës 21 qershor 2023:
Me shkas, shkrimi im i ditës së djeshme, me titull “Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një popull, se kur tradhtarët dhe argatët e pushteteve të huaja shiten e nderohen si atdhetarë”, dhe goditjet tinëzare të menjëhershme nga nëntoka kriminale e pushtetit. Ata e dinë mirë se kujt dhe pse i shkruhet kjo hajmali, që një ditë do t’ua nxijë fytyrën dhe zë frymën.
DORA E ZEZË E BANDAVE TË PUSHTETIT E GODET MENDIMIN E LIRË NË MAQEDONINË VERIORE
Abdulla Mehmeti
Bandat mafioze në pushtetin e Maqedonisë Veriore funksionojnë si struktura paralele të pushtetit, si gjarpër i zi kafshojnë tinëz përmes institucioneve represive dhe kompanive private, duke i vënë kazmën në themele, demokracisë, mendimit të lirë, të drejtave themelore të qytetarëve dhe interesave të shtetit.
Ju kemi lexuar si abetare, o të mjerë! U vjen dita edhe juve, si të gjitha bandave kriminale, që e shtrëngojnë litarin në fytin e të tjerëve dhe e varin më në fund veten e tyre!
Maqedonia Veriore nuk është vetëm shtet i kapur, por i gjithë sistemi, pushteti ligjvënës, zbatues dhe gjyqësot, institucionet, mediet dhe qytetarët që nuk janë të lidhur me organet e sigurimit shtetëror dhe strukturat partiake në shërbim të tij, persekutohen dhe luftohen si armiq të shtetit, jo pse këta qytetarë janë armiq të shtetit, e pengojnë demokratizimin e shoqërisë dhe përparimin e vendit, por pse njerëzit e këtillë, me mendje të lirë dhe vullnet të pathyeshëm për ta kundërshtuar këtë sistem jodemokratik, joqytetërues dhe johuman u pengojnë këtyre strukturave mafioze dhe mercenare, që ka kohë se ia kanë vënë kazmën në themel demokracisë, mendimit të lirë, me këtë edhe shtetit dhe perspektivës së tij.
Goja u thahet atyre që i përgojojnë intelektualët pse nuk e ngrenë zërin kundër kësaj bande mafioze (në pushtet dhe opozitë), që punon për secilin armik të jashtëm, jo për vlerat demokratike, interesin e shtetit dhe qytetarëve të tij.
Askush nuk e mbron fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe në këtë shtet, askush nuk e mbron integritetin dhe dinjitetin e intelektualit, që nuk lëpin në halet e pushtetit të korruptuar deri në palcë!
(21. VI. 2023)
4.
Shkrimi pararendës, që i ka shqetësuar bandat kriminale dhe mbrojtësit e tyre në strukturat politike dhe organet e pushtetit:
NUK KA FATKEQËSI MË TË MADHE PËR NJË POPULL, SE KUR TRADHTARËT DHE ARGATËT E PUSHTETEVE TË HUAJA SHITEN E NDEROHEN SI ATDHETARË
Abdulla Mehmeti
Atdhetarët e vërtetë nuk duan pushtet, famë e pasuri, mirëqenie personale, ata e duan lirinë, përparimin e kombit të tyre, sepse kanë idealet dhe aspirata të tyre, që synojnë krijimin dhe ndërtimin e shtetit siç ua ka dashur zemra ndër breza edhe të parëve të tyre, duke e përbuzur e luftuar çdo pushtet dhe sundim të huaj.
Sikur të rikthehej sot pushteti i Serbisë (lexo: i Rusisë) në këto vise, sidomos në Maqedoni, në pushtet do të mbeteshin shumica e po këtyre që kanë qenë dje, nën regjimin komunist jugosllav, e që janë edhe sot, ndërsa shqiptarët që kanë rezistuar, kundërshtuar e rrezikuar përherë, do të mbeteshin po kështu siç janë sot, siç kanë qenë gjithmonë nën pushtetet e huaja, me ndihmën edhe të tradhtarëve vendës dhe kuislingëve shqipfolës në të gjitha kohërat.
Shpirti i helmuar me komunizëm jugosllav, individët me duart e përlyera me bojë tradhtie, atdhetarizmin e kanë reklamë e biznes, argati dhe detyrim ndaja atyre që ua kanë mbushur gjithmonë grazhdin, jo bindje e përkushtim ndaj kombit të tyre.
Problemet dhe fatkeqësia e shqiptarëve në Maqedoni nuk kanë filluar nga shpallja e pavarësisë së këtij shteti, si mbetje e ish-Federatës së Jugosllavisë, me hapjen e pluralizmit dhe pseudo demokracisë, as me sjelljen e Kushtetutës së parë të këtij shteti, më 17 nëntor 1991, por janë plagë të vjetra të trashëguara nga ish-regjimit komunist jugosllav, nga degradimi i statusit juridik-kushtetues nga vitet e tetëdhjeta, përmes ndryshimeve kushtetuese të tëhershme (me amendamente), kur shumica e këtyre që sot shiten si patriotë kanë qenë komunistë të përbetuar jugosllavë, bartës të funksioneve në atë pushtet, disa edhe agjentë të hapur apo të fshehtë të shërbimeve sekrete jugosllave, që i kanë duart e përlyera edhe me gjak, me helm e ndot, si argatë të agjenturave të armikut, UDB-së dhe KOS-it.
Fatkeqësisht, po këta individë janë privilegjuar edhe gjatë tri dekadave të fundit nga pushteti kinse demokratik i Maqedonisë, po këta e mbajnë peng edhe sot mosngritjen dhe moszhvillimin, mospërparimin e shqiptarëve në këtë shtet.
Shpirti me arrna komunizmi jugosllav nuk mund të shndërrohet në veshje të ngrohtë për shqiptarët sot, apo engjëj shpëtimtarë sikur vetëdeklarohen e shpallen nga pushteti i sotëm.
Ky është fati i zi i shqiptarëve, pse nuk dinë ta pastrojnë shtëpinë dhe oborrin e tyre nga këta gjarpinj helmues, nga ata që kanë kafshuar tinëz dje, që kanë ngrënë me dy lugë nga pushtetet sunduese antishqiptare, edhe sot janë po ata, janë helmi, ndoti dhe fatkeqësia e shqiptarëve në Maqedoni.
Kanë emra këta individë, kanë vulën e turpit në ballë nga bëmat e tyre, por kanë edhe pasuri dhe pushtet, sepse e kanë tapinë e gjithmonshme të sunduesve të huaj.
Nga 36000 ish-agjentë të sigurimit të shtetit gjatë regjimit komunist jugosllav në Maqedoni, shumica e tyre kanë qenë shqiptarë. Një pjesë e tyre ende janë edhe në shërbimet e njëjta, kinse të transformuar, ose i kanë të afërmit e tyre, nga përhapin progandë, mjellin varfëri e terror psikologjik e fizik, shpërndajnë helm e drogë, e lajnë me gjak e mbulojnë me turpe edhe të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm në këtë vend, por kudo që janë e ngado që shkojnë.
Poshtëshënim:
Rasti është paraqitur në organet përkatëse të pushtetit dhe në organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
(20. VI. 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk