Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
15 korrik 2025
Prishtinë
Reagim ndaj shkrimit të Behxhet Shalës “Shteti i kapur” i botuar në gazetën SOT të dates 30.06.2025
Së pari e përgëzoi zotëriun Behxhet Shala se si ka mundur të qëndrojë, dhe durojë, pa shkruar për Albin Kurtin, kryeministrin e Republikës së Kosovë, për kaq kohë të gjatë. Ndoshta nuk është faji i Behxheti por i punëdhënësit të tij. Ndoshta, për shkrimet që i ka pasur më herët (kuptohet për Albinin), ende nuk e ka marrur “shpërblimin”. Uroj që adminstrata mos t’ia vonoi hakun sepse është kohë e pushimeve verore e…
Risi e shkrimeve të Behxhetit për Albinin Kurtin kësaj here është se tani e paska zgjeruar kosën. Tani këtij Behxhetit iu paska rritur oreksi. Po merret gati me të gjithë kabinetin qeveritar. Si duket kështu e ka porosinë nga lartë. Dhe nuk ka faj as Behxheti e as porositët e tij, sepse ky kabinet qeveritar e zgjati ( e ka “uzurpuar”) pak më tepër se çdo qeveri e pasluftës në Kosovë. Ka nisur tani Behxheti po ua lakon emrat e të përfolurve sipas shijes së tij. Aga Behxhet po tregohet se është i pashoq në përdorimin e sinonimeve. Nga Kurthi, HAJNrullahu, ajatollah Kamanei, Shvarc e deri tek marioneta arkeologjike.
Këtu nuk po dihet se cilin sinonim e ka rezervuar për vete, shoku Behxhet. Nëse Behxheti nuk e ka siguruar një sinonim për vete, ia siguroi unë, veçse jo pa pagesë të majme…
“Kosova është keq sepse po e udhëheqin njerëzit e këqinjë” po thotë Behxhet Shala. Dhe ka të drejt Behxheti! Sepse, kjo qeveri, po e mbron tokën e shtetit të vet. Deri tani nuk i dha asnjë centimeter toke fqinjëve. Sa keq! Nuk po dëshiron Albin Kurti “kojshillëk” të mirë me fqinjët. More, çka është edhe më keq, ua ka ndalë “taxhinë” edhe njerëzve tanë! Për besë nuk ban kështu! Nuk ka kuptim! Pastaj na prishi edhe me Radojqiqat, he mozomakeq!
More a keni ndëgjuar se çka paska ndodhur? Albin Kurti ua paska shpërlarë trurin edhe votuesëve në Kosovë! Nuk e mora vesh a është përfshirë në këtë shpërlarje edhe vetë aga Behxhet? Apo, ndoshta, Behxheti ende nuk e ka kuptuar se edhe ai vet ka nevojë për një shpërlarje më të thellë të trurit. Unë për vete e kam hetuar moti se e kam trurin e shpërlarë por nuk e dijsha nga cili njeri? Sa mirë që ka kush na tregon se nga kush i kemi trurët e shpërlarë!
“Shteti i kapur” po thotë baca Behxhet. Këtu ia paska qëlluar. Shteti i Kosovës u “kap” nga qytetatët e vetë dhe nuk i japin më askujt parcela toke. Por as Ujmanin nuk e lëshon, thua se e ka dhuratë nga baba mbret.
Pse, more Behxhet Shala, nuk ka aktivizim qytetar? A thua për shkak të temperaturave të larta a? Me sa e njoh unë popullin tim, nuk ka temperaturë e lartë, e as ngrica e acar që mund t’i dal përpara këtij populli. Por ky popull i ka ende mendët e kthjellta e nuk ka “Behxhet” që e trullos këtë milet,
Shqiptari i Kosovës punon me barometrin e vet e nuk pyet për Behxheta e as për këdo tjetër. Këtë e ka vërtetuar në kohët më të vështira, që nga 27 Nëntori i vitit 1968 e këtej. E ti, nëse dëshiron, aktivizohu me mëhallën tënde dhe bëri protestat madhështore sikurse i bënte ky popull në vitet 1968-1999.
Po ta kam lakminë, dhe smirën njëkohësisht, se si po ke guximin me i përfolë dy personazhet me prindin dhe gjyshin hero të Kosovës të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Duhet guxim i të “luajturit” për të përfolur vajzën e JUSUFIT dhe mbesën AHMETIT. Këtë mund ta bëjë vetëm njeriu i cili i ka të TRANSPLATUARA ndjenjat njerëzore dhe kombëtare. Besoj se nuk ka nevojë të të shpjegoi se kush ishte kjo dyshe që ti ua përgojon vajzën dhe mbesën…Opinioni në Kosovë, në Shqipëri dhe në gjithë hasirën shqiptare i ka njohur fare mirë këta të dy idhtarët dhe ideologët e bashkimit.
Përgojimi i të tillëve lejohet vetëm në raste të gabimeve të rënda të pasardhësve, të tyre. Këtë tani ti e bënë vetëm nëse i ke matur me kutin tend ose t’u ka rënduar kandari nga bakshishet e majme të atyre që nuk e njohin historinë tonë të paraluftës Çlirimtare, por mendojnë vetëm në poste politike të cilat do t’u shërbenin për përfitime materiale ose për shitje të parcelave të Kosovës tonë.
Po shitesh si antipartiak por, si duket, interesi t’i ka verbuar sytë dhe iu ke rënë në gjunjë matrapazëve politik të kohëve moderrne.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
