Kur do distancohet SDSM-ja nga ish diktatura jugosllave dhe druzhe Tito?

13
Apr
2023


Shkruan: Medai Shaholli

Dje SDSM-ja, pasardhësja e komunizmit jugosllav, pati guximin të gjykoj dhe të kritikoj vizitën e ‘Levicës’ dhe liderit të saj Apasiev pranë varrit të ‘diktatorit’ Hoxha, siç e quajti ajo se ‘Levica’ si parti internacionaliste paskësh treguar simpati për ‘regjimet diktatoriale’.
Një gjë është e sigurtë që Apasievi nuk është internacionalist, pasi nuk ndanë ato pikëpamje si internacionalistët e së majtës europiane, sidomos në rastin për barazinë e shqiptarëve dhe maqedonëve të tij në ‘drzhavën Severna’.
Ai mbetet një shovinist dhe armik i përbetuar çështjes shqiptare dhe aspak një internacionalist që lufton pë barazi mes popujve.
Qëndrimet e tij ndaj pabarazisë së shqiptarëve në drzhavën Severna, janë dëshmia më e fuqishme dhe një argumet i pathyeshëm se shovinisti Apasiev është një pasues i titizmit dhe një antishqiptar po aq sa socialdemokratët e Dhimos.
SDSM-ja, pinjollja e ish LKJ-së, ka marrë guximin të kritikoj një zagar të tyre në këtë rast, por megjithatë, ndajnë të njëjtat pikëpamje ndaj druzhe Titos si ish idol i tyre dhe nuk janë distancuar akoma nga krimet e diktatorit kundër shqiptarëve që nga viti 1945 e deri më sot.
Si dëshmi e historisë është ngujimi i disa mijëra shqiptarëve në monopolin e duhanit në Tetovë, në fund të luftës së dytë botërore dhe masakrimi i shumë shqiptarëve aty me pretekstin e shprehjes së hapur të ndjenjave nacionaliste të shqiptarëve, ( falë ndërhyrjes së udhëheqjes së brigadës së 7-të shqiptare Qemal dhe Nexhat Agolli lirohen nga pushkatimi shumë shqiptaë) i bënë fajtorë dhe përgjegjës udhëheqjen e SDSM- së si pasardhëse e LKJ-së, për mosdistancim nga diktatura dhe krimet që ata ushtruan ndaj shqiptarëve ndër vite, meqë ra fjala për regjimet diktatoriale.
Vrasja tinzare e Nexhat Agollit, nënkryetarit të qeverisë së Republikës Popullore të Maqedonisë, menjëherë pas luftës ishte paralajmërimi i kobshëm i komunistëve sllavë ndaj shqiptarëve për ditë të vështira në ‘drzhavën’ e re.
Kështu, ata LKJ vazhduan t’i dëbojnë shqiptarët si ‘turq’ me marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, në zbrazjen e popullatës shqiptare nga trojet e tyre për t’i dërguar në shkretëtirat e Anadollit.
Persekutimi ndaj shqiptarëve në ish Jugosllavi vazhdoi me vite deri sa në vitin 1981, kur shovinizmi serb dhe ai sllavo-maqedono-malazias, së bashku mori hov duke ngritur platformën antishqiptare tashmë të njohur si ajo kundër ‘nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar’ dhe kundër kërkesës për Republikën e Kosovës.
Edhe në kohën e demokracisë liberale shovinizmi maqedon i tregoi dhëmbët kundër shfaqjes së ndjenjave kombëtare të shqiptarëve, ku me ç’rast u organizuan fushata ndëshkimore përmes represionit policor si në Shkup, Ladorisht, Tetovë, Gostivar e gjetkë.
Një tjetër luftë pakompromis i shovinizmit maqedon ndaj kulturës shqiptare ishte themelimi i UT.
Kështu, në vitin 1995 socialdemokratët e Cërvenkovskit me urdhër të skizofrenit Fërçkovski, si ministër i brendshëm, u vërsulën me forca speciale të ardhur enkas nga Beogradi duke vandalizuar godinën e Universitetit të Tetovës( në atë përleshje ra dhe dëshmori i parë i UT Abdylselam Emini ) nga frika e zgjimit shqiptar me arsimim të lartë në gjuhën shqipe.
Kjo është SDSM-ja pasardhësja e diktatorit Tito, që jo vetëm se nuk është distancuar nga e kaluara dhe komunizmi jugosllav, por akoma mbajnë me krenari emrat e komunistëve jugosllavë nëpër rrugët dhe shkollat e qyteteve me shumicë shqiptare.
‘Severna’ dhe Serbia naziskine janë shtet e fundit nga ish Jugosllavia që nuk janë distancuar nga bëmat dhe gjëmat e diktaturës së vetëqeverisjes jugosllave dhe ndaj diktatorit sharlatan druzhe Tito.
Kjo është partia që nuk është ndarë nga mentaliteti i komunizmi jugosllav, ku edhe sot shet mend për regjimet diktatoriale të një kohe të shkuar, por nuk e sheh plehun në oborrin e vet.
Nga ana tjetër partiçkat tona (kukumjaçkat) përmes port haleve të tyre dhanë sihariqin e madh për opinion sesi një ekstremist si Apasievi nderon një ‘diktator’ si Enver Hoxha!
Ndërsa kukumjaçkat tona politike po alarmonin opinionin përmes mediave të tyre për vizitën e ekstremistit Apasiev si lider i ‘Levicës’ te varri i ‘diktatorit’ Hoxha, ata kurrë nuk thanë asnjë fjalë për diktatorin jugosllav druzhe Tito, që qëndron akoma si merimangë i një kohe të shkuar mbi sheshet dhe bulevardet e Tetovës, Shkupit, Gostivarit apo të Strugës.
Çuditërisht, po ky shovinisti dhe ekstremisti Apasiev i ‘Levicës’, ishte djalë i mirë dhe i mirëseardhur për haleancistët dhe turkomanët e pabesë në aleancën imagjinare, kur para një viti tentuan në një tryezë të partive opozitare ta rrëzojnë qeverinë Dhimo.
Duke pretenduar se i kanë numrat si 61-shi i stisur i turkomanit Taravari, kur deklaroi pas mbledhjes me partitë e opozitës se është arritur 61-shi nevojshëm për ta rrëzuar qeverinë Dhimo, për shkak të korrupsionit të lartë dhe keqqeverisjes, ajo doli se ishte një blof propagandistik!
Ja pra sa mund t’i besohet këtyre hienave tona politike për qëndrime parimore në politikë, të cilat sapo e shohin momentin e përshtashëm për përfitime partiake e dredhin bishtin dhe ia mbathin tutje, duke ia fërshëllyer pa fije turpi nga opozita e djeshme si zhurmaxhinjë e hileqarë drejt pozitës së sotme të rahatuar me hajdutët e djeshëm të DUI-t dhe SDSM-së.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk