KUR DO TË RIVENDOSET BUSTI I HEROIT TË POPULLIT, BARDHOK BIBA?!

08
Aug
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

1949 – 7 Gusht – 2023
74 vjetori i rënies së HEROIT TE POPULLIT BARDHOK BIBA

-Gazeta SOT, datë 8 Gusht 2023-
Mirdita, në historinë e saj të lashtë e të re, ka plot figura patriotike e atdhetare, por Heroi i Popullit Bardhok Biba, ishte dhe do të mbetet një Tribun i madh popullor, Luftëtar i Lirisë dhe Idealeve të pavdekshme Partizane e Komuniste.
Për arsye moshe, unë nuk arrita ta njoh Bardhok Bibën, dhe për pasojë nuk mund të sjell për lexuesin kujtime të drejtpërdrejta, për këtë Tribun Popullor të jashtëzakonshëm, për këtë përfaqësues nga më të spikaturit e Mirditës sime Emërmadhe. Ndaj po ndalem vetëm në një episod të shkurtër, treguar nga personazhe që kanë jetuar e bashkëpunuar me Heroin, në ato vite të zjarrta të ngritjes dhe konsolidimit të Pushtetit Popullor dhe të Rindërtimit të vendit të sapo dalë nga lufta.
“TA SHOHESH TJETRIN NE SY!”
Kur bisedoje me Bardhok Bibën, – tregon njëri nga bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij, – ai kërkonte që ta vështroje në sy: “Kur bisedon me tjetrin dhe nuk e shikon në sy, – thoshte Bardhoku, – atëherë ose nuk po e dëgjon, ose po mendon ndonjë pabesi ndaj tij!”
E thjeshtë, por tepër e rëndësishme. TA SHOHËSH TJETRIN NË SY!! Si shokun e mikun, edhe hasmin e armikun. Kjo ishte deviza jetësore e Heroit të Popullit, Bardhok Biba.
Bardhok Biba e pa popullin e tij në dritën e syve, dhe iu përkushtua atij me vetmohim. Dhe populli i besoj e i shkoi mbrapa në të gjitha aksionet e LANÇ dhe ato të Ndërtimit të Shqipërisë së Re. Bardhok Biba, edhe armikun e pa drejtë e në sy, pa iu dridhur qerpiku. Dhe kur erdhi momenti, nuk i bëri lak ballafaqimit me të, por e dha jetën e tij të re, që të rronte e të lulëzonte Mirdita, që të rronte e lulëzonte Shqipëria..
Po, si shpjegohet që vetëm në një dekadë veprimtari politike e atdhetare, Bardhok Biba arriti shkallën më të lartë të heroizmit, dhe madje të kapërcente edhe në legjendë?
Heroi ynë, qysh në gjimnazin e Shkodrës, me siguri e kishte lexuar, e madje edhe recituar poezinë e Migjenit, e cila, midis të tjerave kumtonte:
“Na t’birtë e shekullit të ri,
Me hovin tonë të ndezun peshë,
Ndër luftra të reja kemi m’u ndeshë ,
Dhe për fitore kem’ me ra fli!”
Nga ana tjetër, Ai ishte jo vetëm Luftëtar i Lirisë, por edhe luftëtar i Idealeve Partizane e Komuniste, për të cilat, ashtu siç këndon poeti i popullit, Dritëro Agolli:
“Ishin betuar vetëm njëherë,
Në Thirrjen e Parë në vitin dyzet e një,
O ngremë Botën e Re mbi gërmadha e skëterrë,
O s’mbetet nga ne, as hi e as zë!”
BARDHOK BIBA DHE BOTA E RE
Bardhok Biba me shokë e arritën objektivin. Ata e ngritën Botën e Re shqiptare mbi gërmadhat e mesjetës. Në themele të kësaj Bote, ata vunë gjakun e tyre të pastër. Për këtë ata fituan mirënjohjen dhe respektin e thellë të popullit, dhe Lavdinë e përjetshme në historinë e tij shumëshekullore.
Ishte detyra e ne brezave, që erdhëm pas tyre, ta ruanim e forconim këtë Botë të Re. Por gjatë periudhës së Lirisë dhe të Paqes, që na i dhuruan Dëshmorët, për fat të keq ne e humbëm vigjilencën. Tradhëtia paskesh qenë shumë afër, dhe ne nuk arritëm ta dallojmë “trokun e Kalit të drunjtë”. Ndaj dhe jemi rikthyer në vitet e errta, ku janë përmbysur vlerat, e lartuar antivlerat; ku po baltosen Heronjtë dhe lartohen tradhëtarët.
Sot në ditët e zeza të “demokracisë” borgjeze e fashiste
32 vjet më parë, qindshet e zeza të PD-së, të prira prej Sali Berishës, në radhët e të cilave ishin edhe pinjollët e Pjetër Lleshave, dhe Llesh Marashëve me kompani, pasi përmbysën, dogjën e shkatërruan gjithçka kishte ngritur populli në gjysëm shekulli të Epokës Socialiste, na rivranë edhe dëshmorët, duke përmbysur lapidarët, bustet, monumentet. . . . Busti i Bardhok Bibës, Ndrec Ndue Gjokës, Pal Mëlyshit dhe shtatoret e katër Heroinave, ishin emblema e heroizmit mirditor, ishin krenaria jonë.
Nëse në krye të herës u tulatëm, apo toleruam për hir të paqes sociale, tani pas tri dekadash, kur gjërat janë sqaruar me themel, dhe vandalët e errësirës mesjetare kanë dalur në dritën e diellit, përse nuk e rivëmë krenarinë tonë në piedestalin e nderit ku i takon?!
Në këta 32 vite të kaluara, plot 20 vite në pushtetin qëndror dhe atë vendor, kanë qenë e janë Socialistët, të cilët në çdo fushatë elektorale, betohen e përbetohen se mbrojnë vlerat e LANÇ dhe veprën e Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut. Në datat historike të këtyre Dëshmorëve, veçanërisht në datën e 7 Gushtit, që shënon përvjetorin e rënies së Heroit të Popullit, Bardhok Biba, pushtetarët vendorë apo të ardhur nga qendra, mbajnë ligjërata në përkujtim të tij, por bustin nuk e vendosin aty ku ishte para 32 viteve. Madje, as emrin e Bardhok Bibës, që mbante dikur shkolla tëtëvjeçare dhe Gjimnazi i qytetit të Rrëshenit, nuk e kanë rivendosur qysh nga viti i zi 1993. PSE ?!
Sepse Bardhok Biba, ndonëse nga shumica dërmuese e qytetarëve, pranohet si Luftëtari i Lirisë dhe Tribun popullor, në biografinë e tij ka edhe një “njollë”: Ishte komunist dhe madje edhe drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste në rrethin e Mirditës në vitet 1948 – 1949. Dhe duke qenë komunist, pushtetarët socialistë, kuptohet, nuk mund ta “njëhsojnë” me bustin e Mit’hat Frashërit, ish kryetarit të Ballit Kombëtar, patericës së pushtuesve nazifashistë dhe tradhëtarëve të tjerë, që socialistët, alias “rilindasit” i kanë vendosur e po i vendosin në sheshet dhe parqet ku dikur lartoheshin e nderoheshin Dëshmorët tanë.
Pas një viti, vjen 75 Vjetori i Rënies së Heroit të Popullit Bardhok Biba. Si do të venë Pasardhësit e Veteranëve, të Familjeve të Dëshmorëve, pushtetarët dhe qytetarët mirditorë në këtë përvjetor pranë Tribunit të tyre Popullor? Përsëri pa bustin e tij dhe pa emrin në institucionet që e pati për gjysëm shekulli? Apo në vend të bustit të tij do të vendosin një Mit’hat të dytë apo të tretë?
Një thirrje për Organizatën e Veteranëve
dhe atë të familjeve të Dëshmorëve:
Edhe tani kur Heroi ynë kishte përvjetorin e 74-të të rënies, busti i tij nuk është rivendosur. Pse ndodhi e po ndodh kjo? Nga mungesa e vlerave të Heroit?. Nga mungesa e fondeve monetare? Apo nga diallëzia dhe hipokrizia e neobllistëve të rinj me pelerinë socialiste?! Është pikërisht kjo e fundit, çka verteton katërcipërisht, se PS-Rilindja, nuk ka tashmë asnjë ndryshim me simotrën PD, si në formë, në përmbajtje dhe në veprime.
E vetmja mundësi që kam unë si qytetar, është Thirrja, të cilën po jua drejtoj Organizatës së Veteranëve, Organizatës se Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatave të Ushtarakëve në Rezervë e në Lirim, gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë lidhje organike, morale e shpirtërore më LANÇ e Dëshmorët e saj, e që përbëjnë shumicën dërmuese të popullit shqiptar:
Tri dekada kanë qenë të mjaftueshme për të kuptuar sjelljen neonaziste të PD-LSI-së e bishtave të tyre; dhe po ashtu hipokrizinë e Partisë Socialiste, alias “Rilindja”, e të “kryerilindasit” fallso të saj, ndaj LANÇ dhe Dëhmorëve e Herojve të Atdheut. Prandaj, sa më parë duhet të dërgoni në Kuvendin e Shqipërisë përfaqësuesit tuaj të drejtpërdrejtë, e vetmja mundësi për të mbrojtur nëpërmjet ligjeve të veçanta, vlerat e LANÇ dhe veprën e Heronjve dhe Dëshmorëve të saj.
Nëse do të zvarriteni pas partive politike borgjeze, të gënjyer prej ngjyrave fosforeshente, që veshin kur dalin para popullit, misioni juaj dhe i ynë, në mbrojtjen e Historisë së popullit do të dështojë. Dhe një popull që i nakatosin e përdhosin historinë, është i destinuar të shkojë drejt asimilimit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk