Kur Faik beu shante Frashërllinjtë: Zuzarët nga Frashëri!

07
Dec
2023
Shkruan: Fitim Çaushi

Më 14 mars 1940 Faik Konica, “patrioti i madh” i Shqipërisë, përmes ndërhyrjes së Ernest Koliqit, “merr nga ambasadori i Italisë në Uashington, 4000 dollarë dhe dy javë më vonë merr 3000 dollarë”.
Për këtë Benini informon Mëkëmbësin Mbretëror: “Zoti Konica u prek dukshëm nga zemërgjerësia e treguar prej qeverisë italiane pas kërkesës që i drejtoi Duçes dhe shprehu mirënjohje, duke shtuar se do të shikonte me kënaqësi mundësinë për të qenë i dobishëm”.
Ilir Ikonomi shkruan: “Për italianët…do të ishte me shumë rëndësi, sepse ata do të vinin në gojën e një publicisti me autoritet, pretekstin e mësymjes së ardhshme kundër Greqisë”.
Këto shërbime Faiku ua bënte italianëve në kohën kur vendi i tij vuante nën pushtimin fashist.
Lufta e Konicës kundër vëllezërve Frashëri
Le të kthehemi pas në kohë. Në numrat e parë të “Albanisë” Konica shkruan: “Shqiptarët e Konstandinopolit e pritën me një entusiazëm të madh botimin e revistës “Albania”, sepse unë deklarova se ajo do të botohet me alfabetin e tyre. Naim beu, presidenti i censurës turke dhe i komitetit shqiptar të Kostandinopojës, u radhit në numrin e bashkëpunëtorëve të mi dhe janë të tijat vargjet që unë kam botuar me firmën N.F dhe N.H.F.”
Edhe vonë Konica do të shkruante: “Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e tehu në shërbim të djalërisë shqiptare…me gjithë zemër shkruajti gjithë ato libra të nevojshëm, që u shpërndanë me mijra në Toskëri.
Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur…do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura, po nevoja e vendit tonë, detyra t’u hapi sytë botës e shtërngon të mos ngjitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqipërisë, u kufizua në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar…Jo se nuk ndodhen në librat e Naim Beut, faqe të hijshme të mbaruara, janë përkundër të dendura, po rrëfejnë veç të gjitha, të mësohet kombi, e mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqiptar, e gatiti udhën për një propagandë më përparimtare”.
Por kjo konsideratë del se ka qenë fallco. Konica i paraqet ambasadorit të Turqisë në Bukuresht një letër për sulltanin. Kjo bie në dorë të Naimit, për të cilën së bashku me Samiun, informojnë dhëndrin e tyre Murat Toptani. Prof. Ferid Hudhri citon pjesë nga kjo letër: “Qëndrimi i Faikut është i dyshimtë, ai është një kundërshtar i rrugës sonë dhe synon shembjen e punëve tona në këto 20 vjet.
Synimet e Konicës do të ishin:
-Të bëhet vegël e mjet që shqiptarët të dorëzojnë armët.
-Të prishë alfabetin që është përhapur në Shqipëri.
-Të orvatej që të mbyllnin shkollat shqipe dhe të mos hapeshin të tjera.
-Të propagandonte përdorimin e shkronjave turke për shqipen.
Ka edhe një varg tradhtish të tjera: dy javë pasi muarmë këtë letër, vjen “Albania” me dy faqe të shkruara turqisht, kuptohet se qenkan marrë vesh në pazarllëqet. Duhet të ruheni fort që të mos bëheni vegël e njeriut tradhtar dhe dinak, siç është Faiku, dhe t’i ngulni thikën në zemër kombit “.
Premtimet që i ka dhënë Konica kryediplomatit të Vjenës, po bëheshin realitet. Dodani realizon synimin antishqiptar të Konicës: “Si gjurmatar pandeha se puna dhe udhëzimi ishte që nga vëllazëria e Stambollit, a i cave, vërtet, të vetëquajtur mëmëdhetarë nga Bukureshti, por kur kuptova se ata të Stambollit nuku vetëm se s’pëlqejnë përkëdhelitë, po janë të hidhëruar nga politika e “Albanisë”…”
Ekspozimi i letrës së Konicës dërguar sulltanit, ia tronditi besimin në arritjen e qëllimit për të zotëruar lëvizjen kombëtare. Ai i flak maskat dhe vërsulet me tërbim kundër patriotëve të Stambollit: “Kur zumë tre vjet më parë luftën tonë të qetë për përparimin e gjuhës shqipe, një hije mbuloi turinjtë e armiqve të Shqipërisë, që thoshin se “Albania” do të mbetet në mes të rrugës; bejlerë pa brekë, të bërë bejlerë njëdizaj, e të vajtur në Stamboll për të hyrë si spiunë, pshatarakë të trashë…të gjithë këta mendjepalarë u lidhën bashkë e u munduan dy vjet për ta prishur rrënjën e literaturës shqipe”.
Konica i vendosur në rrugën e tij, vepron si i lajthitur: “Sikur të kishin patur mënt të parët t’anë, pa fare vështirësie kishin bërë qindëra shkolla në gjuhë shqip…po ca harbutë, ca zuzarë, të lindur prej nënash shqiptare…bëjnë sikur e harruan shqipen, kërkojnë me pahir të na kllasin gjuhën e mundësit dhe i ndihin armikut të na shuajnë gjuhën t’onë”. Këta “të pamëndje”, sipas Konicës, ishin vëllezërit Frashëri dhe Rindësit që “punonin” për gjuhën turke në Stamboll dhe Faik “mendjeshumi”, jo vetëm që s’denjoi të ngrinte një shkollë në Shqipëri, por i shkruante sulltanit t’i luftonte ato.
Në vazhdim akuzon: “Këta zuzarë të mallkuar në të gjitha kallëpet hyjnë që të mos u shpëtojë gjahu. Erdhi koha që të zgjohet edhe populli shqiptar si komb! Hë “rroftë liria” thonë harbutët me atë paturpësi, me të cilën zunë të bëjnë plaçka kur duallë bejlerë; me atë paturpësi harbutët përpiqen të shkojnë sot për atdhetarë, por më të nxehtit, më të parët, më të diturit atdhetarë”.
Si mbrojtës i interesave të oxhakësisë, krejt i pashpresë ulëret: “Do t’i ngordhim ata, do t’i vëmë nën këmbë e do t’i shtypim, se mjaft u ngop me gënjeshtra populli shqiptar, e ç’të mirë i kanë bërë oxhakësisë zaptijet?”.
“Ku kanë patur këtë qëllim harbutët të punojnë për shqipen. Ish mjaft për ta që të lartësonin herë herë zërin që të trembej Sulltani e t’u lidhte rrogë të majme. Këta njerëz të paturpshëm, armiq të vërtetë të çdo përparimi dhe qytetërimi, kemi besë se oxhakët që kanë mbetur në Shqipëri do t’ua thyejnë hundën.” “Këta njerëz janë turpi dhe plaga e Shqipërisë, këta njerëz do t’i goditim pa u lodhur”.
Konica nxjerr vrerin kundër vëllezërve Frashëri: “Do t’i shtypim nën këmbë bejlerët e rinj. Këta njerëz të paturpshëm armiq të vërtetë të çdo përparimi dhe qytetërimi, kemi besë se oxhakët që kanë mbetur në Shqipëri do t’ua thyejnë hundën”.
Ky intelektual ka qenë edhe kundër Lidhjes së Prizrenit: “E kush do të bëhet mbreti ynë, një bej pa brek, Abdyl Dume qerozi! Po ashtu, shqiptarët kryesorë, u morën vesh për të kundërshtuar të gjitha projektet e Abdyl beut, e prej këndej të gjitha projektet e Lidhjes për të bërë diçka, dështuan në mënyrë të vajtushme. Duhet të shtohet, se këto dyshime kundër Abdyl beut, dukej se konfirmoheshin në vazhdim…”.
Konica e ka sulmuar përsëri Naimin prej Amerikës edhe 37 vjet pas vdekjes.
Nonda Bulka në vitin 1937, polemizon: “Faik Konica ja ka vënë në bina Naimit…Konica i mohon kryekëput çdo vlerë letrare bilbilit të Frashërit. Profesorë të shquar, si Kristaq Cipo, njerëz që dinë të përdorin penën na kanë thënë dhe kanë shkruar se Naimi ka vlerë letrare, ka dell poetik, po s’do Faiku. Jemi ushqyer Faik Bej me vjershat e Naimit, dhe sot del zotrote dhe insiston që t’i vjellim ato. Faiku ndërton një tabut, ku do ta varrosë Naimin si poet dhe si letrar…Edhe Hygoi, edhe Vinjiu, edhe Alfieri kanë strofa që mund t’i quash budallallëqe, por, poeti është një i tërë, ka gjëra të mira dhe jo të mira, Faik Beu i lë mënjanë të mirat. Është vallë kjo një mënyrë për të gjykuar veprën e një poeti që e adhuron një popull i tërë?…Naimi, ka qenë poet i ndjenjës kombëtare, poet lirik i radhës së parë, poet i dashurisë, i hidhërimit dhe i natyrës”.
Vangjel Koça na jep të kuptojmë karakterin e vërtetë të Konicës: “Të metat më të mëdha të Faikut do t’i kërkojmë dhe do t’i zbulojmë në luftërat e tij politike të brendshme. Në këtë lëmë, Faiku fatalisht ra poshtë dhe gjëja më e keqe është se toni i luftërave të tij politike të brendshme nuk ka qenë aspak i fismë”.
Ndërsa Sejfulla Malëshova në letrën dërguar Nolit, më 11 nëntor 1939, do të shkruante: “Ç’qëndrim mban Faik Konica? A bën intriga sipas zakonit?”
Faik Konica kundër patriotëve të Bukureshit
Pas shtypjes së “Lidhjes së Prizrenit” nga ushtria turke, Komiteti i Stambollit kaloi në gjysmë-ilegalitet. Konica shkruan: “Sot për sot sytë dhe shpresa e shqiptarëve zemërflakë janë kthyer drejt Bukureshtit…e tepërt është njeriu të thellojë politikën dhe si duhet të punojë për shpëtimin e vendit tonë, shqiptarët e Bukureshtit të japin të kuptosh ç’udhë do të marrë, po të dërgojmë herë pas here ca memorande në Fuqitë e Mëdha, lehtazi pa marrë pushkën, pa lëshuar punët e veçanta prapa, duke bërë gjithkush tregëtinë e tij, Shqipëria ka për të dalë në dritë.”
Në Bukuresht, Konica doli i zhgënjyer nga llafologjia dhe frazat boshe, i humbi shpresat për të centralizuar dhe drejtuar Lëvizjen Kombëtare shqiptare, prandaj nuk i mbeti tjetër veçse të vërë në veprim fazën e dytë të aksionit, t’u turrej shqiptarëve të Bukureshtit me fyerje, injorime dhe denigrime. Sulmin e parë e kishte filluar kundër gazetës “Shqipëria”, duke vënë nën akuza antikombëtare gazetarët e saj: “Dy faqezinj, njëri grek, tjetri shqiptar i çpëlarë u përpoqën të ç’nderojnë kombin shqiptar… shoqëria e poshtër “Ethniqi Hiteria” çoi në Bukuresht për të çpuar shqiptarët spiunin Jorgji Meksi, mendje e ngushtë, zemër e ligë, dhelpëri, pabesi, këto bëjnë karakterin e këtij ligëtari”.
Këtë sulm Konica e motivon me iniciativën që ka marrë Meksi për të botuar gazetën “Shqipëria”: “Spiuni Meksi përhapi lajmin se do të nxirrte një fletë shqip, po plani i tij ishte t’i priste krahët “Albania-s”, e cila kishte nisur të fluturonte në qiell të Shqipërisë. Plani i spiunit ishte të hidhte në dhé komprimtaren “Albania”.
Konica e thellon sulmin; përveç Meksit, Himës dhe Erebarës, akuzon tërë patriotët e tjerë të Bukureshtit, që, së bashku edhe me ata të Stambollit, “kanë luftuar” “Albania”-n: “Sapo doli numri i parë i revistës, anëtarët e partisë greko-sllave ishin zëmëruar mjaft prej kthesës anti-greke të gazetës. Ata provokuan edhe një miting në të cilin u pohua se gazeta ishte subvencionuar nga Sulltani, për të sulmuar grekët…në fund u vendos që të krijojnë një gazetë shqipe në Bukuresht për t’ia kundërvënë gazetës sime.”
Dhe më vonë: “Shqiptarët e Bukureshtit përveç dy a tre vetave, të tjerët janë kafexhinj, si për zbavitje i kanë dërguar një letër kërcënonjëse Sulltanit. Sami Bej Frashëri, drejtori i së përditshmes “Sabah”, i cili së bashku me vëllanë e tij shkruan shumicën e librave shqip dhe që konsiderohet nga ana e Turqisë si kryetari i çdo lëvizjeje kombëtare.”
Manovrimet e Konicës me gjuhën shqipe
Perandoria osmane rrezikonte seriozisht ekzistencën e gjuhës shqipe dhe vetë të ardhmen e kombit shqiptar.
Nëpërmjet propagandës dhe shkollave në gjuhë të huaja, mbi popullin tonë ushtruan presion lloj-lloj teorish dhe platformash kulturore për shkombëtarizimin e tij. Në këto rrethana dramatike dolën atdhetarë të ndritur, të cilët punuan me vetëmohim për t’i ndriçuar popullit shqiptar rrugën drejt lirisë, përparimit dhe qytetërimit europian. Patriotët: Veqilharxhi, Kristoforidhi, Vaso Pasha, Hasan Tahsini, Naim e Sami Frashëri, Vreto, Koto Hoxhi etj. duke kuptuar rrezikun që kërcënonte kombin, përcaktuan si detyrë urgjente, krahas kërkesave për kombësinë dhe autonominë administrative, edhe përhapjen e arsimit në gjuhën amtare si tiparin themelor të kombit.
Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit, anëtarët e shoqërisë së Stambollit, që përfaqësonin krahina të ndryshme fetare, duke kapërcyer pikëpamjet vetjake dhe duke mposhtur intrigat e qeverisë turke dhe Patriarkanës, ranë në një vendim të përbashkët për krijimin e një alfabeti të njësuar. Në rrethanat e kohës alfabeti i ri nuk kishte thjesht karakter shkencor, para së gjithash ai kishte karakter politik, sepse siguronte bashkimin e popullit duke ndihmuar jo vetëm për mbylljen e përçarjeve të nxitura prej armiqve të Shqipërisë, por ai do të lehtësonte punën edhe për lëvrimin e gjuhës shqipe, drejt gjuhës letrare. Ky alfabet i vitit 1879, u përhap më tepër në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, si dhe në disa koloni shqiptare jashtë Atdheut, si në Bukuresht dhe Sofje.
Në numrin 7 të revistës Konica publikon: “Në çdo punë, qoftë për politikën, qoftë për filologjinë kemi shfaqur gjithnjë mendimin tonë të padruajtur. Kur doli e përkohshmja thamë te kryeartikulli se qëllonin të prisnin letra si ato që u përdorën deri më sot në Stamboll e Bukuresht. E dinim sa të liga ishin këto letra… Letrat e Stambollit nuk janë pak të përhapura, s’kanë vlerë asgjëkundi. Ca nga këto shkronja janë kundër rregullave filologjike.
Për këto shkaqe letrat e Stambollit duhen harruar fare”.
Me euforinë e tij false, Konica merr iniciativën nga pozita e një drejtuesi të Lëvizjes Kombëtare për t’u lidhur me “shoqëri e patriotë” të ditur, për të krijuar një alfabet të ri. Reagimin e parë kundër Konicës e bën Mithat Frashëri: “Zoti kryeshkronjës!
Nr. 7 dhe 8 të së përkohshmes kish disa artikuj të rëndë për abenë kombëtare. Shkronjëzat ka 20 vjet që vendi ynë i ka, më tepër se 50.000 njerëz i njohin si të tyret, shkronjëzat që zgjodhi shoqëria e Stambollit janë të lehta, të bukura, të thjeshta, ndarja na ka lënë në errësirë, le të heqim dorë e të zemë bashkim e vllazërim”.
Asdreni shtronte nevojën e një alfabeti të përshtatshëm për të gjithë shqiptarët, pasi deri atëherë, ishin përdorur disa alfabete, si ai arab, latin i plotësuar për botimin e “Këngë Popullore” të Zef Jubanit, alfabeti grek i plotësuar me shkronja konvencionale për botimin e “Bleta Shqiptare” dhe veprat e Kristoforidhit, alfabetin latin i përshtatur nga Vaso Pasha për botimin e “Grammarie Albanesi”, alfabetet e Todhrit, Hasan Tahsinit, Vasili Dhimitris Rusos, si dhe alfabeti tradicional i shkrimtarëve të Veriut.
Për kthesën e Faikut ndaj alfabetit të Stambollit, reaguan shumë patriotë. Kjo sensibilizon edhe gazetën “Shqipëria”, e cila, duke ndier rrezikun e një përçarjeje brenda lëvizjes kombëtare, fton të tërë patriotët shqiptarë për një diskutim parimor dhe shkencor mbarëkombëtar: “Kjo punë si është lënë gjer më sot besoj se na sjell një prapësi të madhe edhe në punë të gjuhës… Mbesojmë se e mira e çështjes ështe të mendohen fort të mësuarit e shqiptarëve, në mënyrë që të bëhet një mendim i të gjithëvë dhe të marrë fund kjo gjë njëherë e përgjithmonë, që gjuha shqipe të shkruhet me një alfabet të njëjshëm prej të gjithë shqiptarëve”.
I pari që i përgjigjet kësaj thirrjeje historike ishte poeti Andon Zako Çajupi, i cili dy muaj më vonë i dërgon gazetës këtë shkrim: “Nemni lejen tuaj të vi si shqiptar që të uroj shkronjëtoren e së nderçmes tuaj revistë, për fatmirësinë që pati duke hapur fjalën për zgjedhjen e alfabetit…nuk do të qe kaq nevojë për të menduar për këtë çështje, shumë kohë duheshe se letrat e alfabetit latin pajtohen më mirë me gjuhën tonë”.
Konica nuk iu përgjigj këtij diskutimi, por një vit më vonë me daljen e alfabetit të shoqërisë françeskane “Bashkimi”, kryesuar prej abatit Preng Doçi dhe Gjergj Fishta, nën ndikimin edhe përkrahjen e Austro-Hungarisë, bëhet përkrahës i flaktë i tij.
Konica sqaron një nga shkaqet më të rëndësishme përse e përkrahu alfabetin e shoqërisë së “Bashkimit”: “Shoqëria e Bashkimit” pa mendime politike, pa ngarë qeverinë anadollake, pa goditur këta e ata, vetëm për dashuri të atdheut e për lulëzim të gjuhës shqipe, ka punuar e po punon që prej dy vjet me një durim aqë për t’u lavdëruar”.
Siç shihet, preferenca e Konicës për këtë alfabet vjen jo për arsye shkencore më të avancuara, por për arsye politike, ngaqë shoqëria “Bashkimi” nuk e shan qeverinë turke për shtypjen e egër që u bën shqiptarëve.
Zjarri i tij drejtohet kundër vëllezërve Frashëri.
Për ta harruar fare alfabetin e Stambollit, Konica detyrohet të përdorë shtrembërime djallëzore: “Duke qenë se kombi ynë është një komb i shtrembër dhe i lik, prapë disa shqiptarë nuk janë të kënaqur (me alfabetin e “Bashkimit”). Na vjen keq se shqiptarët edhe në orë të rrezikut, vogëlsitë e tyre nuk i lënë mënjanë. Or vëllezër a e mirrni vesh se pa dashur jeni duke punuar për moskovin e për mendimet shqipvrasëse të tij!”.
Të kundërshtosh alfabetin e “Bashkimit” dhe të pranosh alfabetin e Stambollit, për Konicën do të thotë “të punosh për moskovin”, ndonëse me alfabetin e Stambollit i është kënduar gjuhës së bukur shqipe, dashurisë dhe mallit për atdhe, historisë heroike të shqiptarëve dhe kryetrimave të tyre. Me këtë alfabet janë shkruar shumë thirrje, memorandume të botuara në shtypin shqiptar drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane për njohjen e kombësisë dhe territoreve etnike të banuara prej shqiptarëvë.
Duke e parë se orvatja e tij politiko-organizative për ta centralizuar tërë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare nëpërmjet shoqërisë kulturore “Përlindja e Shqiptarëve”, dështoi, me urdhrin e Vjenës përkrah shoqërinë “Bashkimi”, për ta përdorur atë si kalë beteje në devijimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe për të siguruar prestigjin e nevojshëm për drejtimin e Shqipërisë në të ardhmen.
Për këtë, Konica propagandon depolitizimin e përgjithshëm që ka shoqëria “Bashkimi” për ta shpërndarë jo vetëm brenda shkodranëve, por edhe në gjithë Gegërinë, ku zienin kryengritjet antiosmane, e deri në Toskëri për t’i bindur shqiptarët që “të ulnin kokat dhe të mbyllnin gojën” ndaj qeverisë turke.
Konfuzioni i Konicës është i çuditshëm, ai edhe flet për rrezikun e putrave të moskovit mbi territoret shqiptare të Kosovës, nga ana tjetër, u kërkon shqiptarëve unitet vetëm për alfabetin e asaj shoqërie, që nuk e shqetëson qeverinë turke! A do të ishte e mjaftueshme thjesht përkrahja e alfabetit të “Bashkimit” për t’i siguruar trojet shqiptare në pjesën veriore të vendit?
As shoqëria “Bashkimi” dhe as Konica në ndryshimet që i kanë bërë alfabetit të saj, nuk përdorën rrugën që përdori shoqëria e Stambollit, e cila dha një model sesi mund të njësohej një alfabet i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ajo zgjodhi pjesëmarrës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë; nga Gegëria mori rilindësin Vaso Pasha, nga Çamëria Rektorin e parë të Universitetit të Stambollit, Hasan Tahsini, nga Toskëria Naim e Sami Frashërin, pra, kishte katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, me Jani Vreton dhe Koto Hoxhin.
Konica kërkon të kapet nga të metat e këtij alfabeti të parë të njësuar, për ta eliminuar përfundimisht: “Mjerisht mbledhja e turko-moskovëve nuk e mori alfabetin e Bardhit, i përsëriti të ligat e tij dhe shtoi gabime të tjera. Që të marrin vesh shqiptarët ç’është ky alfabet i Stambollit, le të vemë re këto 36 shkronja, këndonjësi që ka pak mend i sheh ndyrësitë e këtij abetari”.
Konica nuk e do alfabetin shqip me 36 shkronja, paçka se ky alfabet është mbështetur mbi parimin e një shkronje mbi një fonemë, gjuha shqipe ka 36 fonema, ndërsa alfabeti latin ka vetëm 25 shkronja.
Me një logjikë të errësuar merr përsipër të publikojë alfabetin e Stambollit si një alfabet të turk-moskovëve “të qelbur, të ndyrë”. A mund të trajtohet kështu një alfabet me të cilin shqiptarët kanë ndier për herë të parë bukurinë e gjuhës së tyre të shkruar në shkollat e para, emocionet e letërsisë së bukur shqipe?
Pas vdekjes së Sami Frashërit ai shkruan: “Sulltani për të ndezur një zjarr kundër skllavërisë, shpoi disa memurë shqiptarë të mblidhen të bëjnë një abetar shqip. Këta me leje të qeverisë u mblodhën e në mes tyre hyri siç thonë e si do të mundemi ta provojmë një ditë, një anëtar i moskovit i çpuar me udhë të patrikut grek”.
Megjithëse rilindësit e vlerësojnë alfabetin e Stambollit, Konica vazhdon mashtrimet: “Në 100, 90 shqiptarët e jashtëm përdorin këtë abetar që përdorim ne. Atë të memurëve e përdorin vetëm 7-8 memurë dhe 10 zabtije këmbëqelbur të Toskërisë”.
Në letrën drejtuar Dodanit, më 29 nëntor 1901, Konica shkruan: “Është mirë t’u bashkohen edhe gjithë atdhetarët e mençëm se është turp në sytë e botës së qytetëruar të përdorim një abetar të ndyrë e të egër si atë që na nxuar këmbë-lëpirësit e Sulltanit”.
Baroni Cvidinjek në 8 maj 1899, i dërgon Konicës: “E shoh me vend mendimin tuaj, për të vendosur në faqen tuaj një tabelë konkuruese me katër alfabetet. Në kolonën e parë, atë të gazetës “Albania”, në të dytën atë të Kostandinopojës, alfabetin katolik dhe atë turk…Unë po ju dërgoj një projekt të kësaj tabele, të cilën ju mund ta përdorni në gazetën tuaj”.
Kjo është shumë komprometuese edhe për tërë ata apologjetë të Konicës, që ndonëse e kanë lexuar “Albania”-n me alfabet turk, vazhdojnë ta mbivlerësojnë Faik Konicën, duke fyer rëndë idealin, kontributin dhe sakrificat e rilindësve të Stambollit dhe shoqërive të tjera patriotike. Me daljen e gazetës “Drita”, alfabeti i Stambollit, merr një ndriçim të ri. Kjo e tërbon Konicën, që shpresonte ta kishte asgjësuar këtë alfabet: “Abetari i moskovëve, i turqve e i memurëve dhe i zaptijeve, i harbutëve dhe i ylyfexhinjve, me hije aziatike e të ndyrë që ka, me ndalimin e të shtypurit që i sjell librave shqip; s’meriton tjetër emër përveç abetar i egër i harbutëve”. Me këtë suferinë shpifjesh, akuzash e fyerjesh, që kishin për qëllim eliminimin e këtij alfabeti, Konica synonte edhe eliminimin e veprës së botuar me këtë alfabet.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk