KUR QAJNË E QESHIN SHIKUESIT (humor)

28
Apr
2023

Shkruan:Beqir Elshani
I nderuari psikolog! Javën e kaluar, së bashku me të fejuarën time shkuam në kinema për të shikuar një film romantik “Gjashtë ditë e shtatë net”. Ishte një komedi që shikuesit i bënte të qeshnin. Ndërkohë që unë me të fejuarën gjatë shfaqjes së komedisë shqyheshim duke qeshur, një shikues pranë meje qante. Prandaj trishtohesha. Ma trazoi kuptimin e humorit. Jo vetëm kaq, sepse një tjetër shikues gjatë shfaqjes së filmit aventurier, shyqyr që e kisha prapa shpine dhe nuk e shihja, sa herë që një personazh vriste ndonjë kafshë grabitqare, siç janë ujqit, arinjtë, hundëbrirët, peshkaqenët e shumë kafshë tjera, që kjo faqe nuk i zë, prej gëzimit bërtiste “Uaaa, të lumtë!” Javën e kaluar gjatë shfaqjes së filmit romantik, kur personazhi i korruptuar brohoriti “Rroftë hajnia, krimi, rrena dhe plaçkitja!”, një shikues në vend se të mbante heshtjen, ia priti me ovacion “Rroooftë”! Veprimi i disa shikuesve të kujton karakteret e dijetarit antik, Teofrasti, i cili shkruante se në teatër i panjerëzishmi duartroket, kur të tjerët kanë pushuar, së duartrokituri, ndërsa aktorët që shikuesit e tjerë i duan, i fishkëllen, pastaj kur në teatër bie qetësi e thellë, një tjetër ngre kokën lart dhe gromësin. I nderuari psikolog, dëshiroj të di pse disa shikues nuk qeshnin sikur shumica në sallë, por qanin, ose shanin. Kurse shikuesi prapa meje, në vend se sulmuesin ta urrente, e përgëzonte, për ironi… thoshte “Të lumtë dora?” Një shikuesit para meje sa nuk i ra të fiktë, kur Stanlio duke kryer punën e argatit, papritmas e shkeli lëkurën e bananes dhe rrëzohet në kokërr të shpinës.
Të nesërmen, psikologu lexuesit ia ktheu përgjigjen:
Lexues i nderuar, letra jote më befasoi, për shkak se dallon me letrat që më kanë shkruar disa komentues, sidomos për dashuriçkat tinëzare të vajzave me burra të martuar. Më erdh mirë që në kinema ke shkuar me të fejuarën, dhe jo me dashnoren, siç veprojnë disa zyrtarë të vendit. Prandaj po të shkruaj për enigmën shpirtërore të njerëzve gjatë shfaqjes së filmit romantik në kinema. Ti e di që shikimi i filmit në kinema ndryshon me shikimin e filmit në dhomë pranë TV-së. Ke të drejtë për qeshjen e komedisë në kinema, pasi që subjekt i filmit është humori, që te shikuesit shkakton argëtim me anën e qeshjes. Mirëpo jeta psikologjike te njerëzit ndryshon, ndërkohë që ti me pjesën më të madhe të shikuesve e kuptoni humorin e filmit, në mesin tuaj mund të ketë ndonjë që në shpirtin e tij janë ngulitur ngjarjet tronditëse, për të cilën në vend se fatkeqi të qeshë, ka qarë. Letra jote ma përkujtoi Don Kishotin kalorës të Mançes, i cili karrocën policore e sulmon dhe kriminelët që dërgoheshin në burg, i çliron prej prangave. Fill pastaj, kriminelët, në vend se të jenë mirënjohës, e rrahin “çlirimtarin”, pastaj e plaçkitin. Sa i përket shikuesit prapa teje që gjatë shfaqjes së filmit personazhin negativ e përgëzonte, duhet të kesh parasysh se ashtu siç i përket shumicës që qajnë e qeshin, i përket edhe ndonjërit që vrasësin e kafshëve të egra e përgëzon. Nuk thonë kot të vjetrit, në shkofsh me mësuesit, bëhesh mësues, në shkofsh me dreqin… dihen pasojat, prandaj nuk po e zgjat. Lexues i nderuar, shpresoj të keni kuptuar shpjegimin tim. Edhe një gjë të kesh parasysh, nuk është çudi që mbarë publiku në sallë të jetë budalla, prandaj qeshin në vend se të qajnë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk