Narrativa e Mehmetajt është shpifarak dhe retorikë polemike: damkosje, pa prova, pa balancë. Jo gazetari, jo kritikë, vetëm diletantizëm i zhveshur publikisht.
Sep – 16- 2025
Më 10 shtator 2025 botova analizën time¹ për trajtimin mediatik të sulmeve të Banjës në veriun e Mitrovicës², pasi kisha matur pulsin e publikut³ dhe pastruar shënimet nga burime e dokumente që lidhnin narrativën me faktet. Më 14 shtator hasa në videon e Lirim Mehmetajt⁴, një tekst që e prezanton veten si kritikë profesionale e një prodhimi të Top Channel me Grida Dumën⁵. E shikova disa herë, jo për ta gjetur gabimin rastësor, por për të parë a qëndronte ndonjë skelet metodologjik mbi të cilin mund të mbështetet një kritikë serioze. Nuk gjeta të tillë. Ajo që gjeta ishte një narrativë e shkruar për të ndërtuar një perceptim, jo për të provuar një tezë; një narrativë shpifarake⁶ me elemente retorike, asgjë që mund të quhet gazetari.
Kritika profesionale ka një disiplinë të vetën: sulmon tezën, jo personin; e ndan faktin nga opinioni; e vërteton pretendimin para se ta përdorë si levë retorike; e mat fjalën me peshë dhe jo me temperament.
Narrativa e Mehmetajt e përmbys këtë rend. Fjalori i tij është instrument kryesor i tekstit dhe instrumenti është martelé⁷: “shtëpia e mafies së incineratorëve Top Channel-it”, “model i gaztarisë artificiale”, “Akademia Qesharake”, “torollakëri e Sveçlës”, “diskurs mediokër”, “mashtrues të kombit”.
Ky nuk është kornizim kritik, është damkosje. Gjuha nuk i shërben sqarimit të metodës së “reportazhit”, por delegjitimimit të figurave që i paraprijnë asaj. Në këtë terren, as pyetjet legjitime nuk bëhen dot: ato fundosën bashkë me epitete.
Nuk ka gazetari pa provë. Teksti ngre akuza të rënda si kapje oligarkësh, propagandë qeveritare, gënjeshtra të qëllimshme, madje edhe “komplot antishtet”, por pa dokument, pa referencë, pa citim burimesh të pavarura. Rasti i Ujmanit shërbehet me ironi, jo me akt, vendim, datë; pretendimet për “huajësim të historisë” shpallen si të vetëkuptueshme; diferenca mes “sulm terrorist” dhe “agresion ndërshtetëror” përdoret si trampolinë për përfundim politik, jo si një nyje analitike që kërkon standarde të së drejtës ndërkombëtare. Çdo herë që duhej një provë, kemi një bindje; çdo herë që duhej një burim, kemi një shpotitje nga narratori.
Mungesa e provës shkon krah për krah me zhvendosjen e fokusit nga vepra te persona. Grida Duma trajtohet si objekt moral e tregtar, jo si autore e një produkti që duhej matur me metra gazetareske: strukturë, burime alternative, pyetje sfiduese, kontekst historik. Biletat “59–99 euro” citohen për të ndërtuar një profil karakteri; “dështoi në politikë” për të paraprirë diskreditimin; lidhje të treta futen si jehona për të rritur volumin e dyshimit. Kjo është klasike për një produkt shpifarak: kur vepra nuk e mban dot barrën e akuzës, akuzohet njeriu.
Pra, një kritikë serioze, edhe kur është e pamëshirshme, u jep lexuesve vijën e qartë ndarëse mes asaj që u tha në material dhe asaj që autori i kërkon materialit të thotë; mes asaj që pamë dhe asaj që mungoi.
Në analizën time të 10 shtatorit kam kërkuar pikërisht këto standarde: kontekst historik i veriu-t si vijimësi, burime të pavarura përtej autoriteteve, pyetje të verifikimit të fortë për ministrin, sqarim i rolit të Tiranës zyrtare në kornizimin e krizës, dhe portretizim i saktë i rolit shtetëror të Milan Radojiçiqit, jo reduktim në figurë groteske. Këto janë kushte minimale për një produkt që pretendon dokumentarizim. Narrativa e Mehmetajt i njeh në kalim disa nga këto boshllëqe, por vetëm si pretekst për të zmadhuar sulmin personal. Kjo nuk është metodë gazetareske; është manovër politike.
S’ka asnjë përpjekje për balancë. Asnjë paragraf që thotë: “këtu emisioni qëlloi objektivin”, “këtu ka një saktësi faktike”, “këtu, pavarësisht toneve, pamja shërben si dëshmi”. Një kritikë profesionale, veçanërisht kur sheh dobësi të mëdha, gjen edhe një gur që nuk e rrëzon, për t’i treguar lexuesit apo shikuesit në këtë rast se gjykimi buron nga matja, jo nga mëria. Në vend të kësaj, narrativa që e flet zt Mehmetaj e zgjeron objektivin si në tunel: gjithçka dhe kushdo i bashkangjitet tezës së parapërgatitur nga emërtimet tallëse te insinuatat e gjera. Kjo është whataboutism⁸ i koduar në prozë: çdo shtesë shërben për të rritur temperaturën, jo temperaturën e provës, por të zemërimit.
Ka pastaj një konfuzion të qëllimshëm mes faktit dhe opinionit. “Emision propagandistik”, “huajësim i historisë”, “komplot antishtet”: këto nuk mund të deklarohen pa një zinxhir provash të kontrollueshme. Në mungesë të tyre, mbeten deklarata përfundimtare që kërkojnë t’i imponohen lexuesit me forcën e fjalorit. Një kritikë që fillon me konkluzionin dhe pastaj kërkon shembuj për t’ia përshtatur, nuk është kritikë; është konstruktion.
Çfarë i detyrohemi lexuesit, atëherë?
Qartësinë që i mungon narrativës së Mehmetajt. Po, produkti i Top Channel është i mangët si gazetari: mungesë konteksti, mungesë pyetjesh të forta, mbështetje te pathosi⁹ dhe udhëtimi vizual, telendisje e kufijve mes dokumentarit dhe travelogue¹⁰-ut. Por ta kthesh këtë vlerësim në një seancë publike përçmimi, duke shmangur provën, balancën dhe metodën, do të thotë ta braktisësh gazetarinë dyfish: një herë kur mbron një produkt të dobët, dhe herën e dytë kur e sulmon atë me mjete të gabuara.
E vërteta është se narrativa e Mehmetajt nuk synon sqarimin e publikut për cilësinë e një reportazhi; synon damkosjen e autorëve dhe shënjestrave politike përmes një narrative të përgatitur. Është i shkruar për t’u lexuar si gjyq, jo si analizë; për të mbyllur çështje, jo për t’i hapur pyetjet që në fakt mungonin në produktin e Top Channel, siç edche kam shkruar. Në këtë kuptim, produkti i zt Mehmetaj duhet lexuar siç është: një produkt shpifarak¹¹ me retorikë polemike, jo si gazetari dhe as si kritikë profesionale.
Nëse duam një standard që nuk i shërben as ekraneve të zbukuruara, as zemërimeve të zbrazëta, duhet të kthehemi te tri rregulla të vjetra: provoje, balancoje, sqaroje. Pa këto, fjala humb peshë, opinioni bëhet shkop gome dhe publiku mbetet i painformuar, pikërisht aty ku propaganda fiton terren. Dhe pikërisht për këtë, kur zgjedhim të flasim, nuk mjafton të jemi të ashpër; duhet të jemi të saktë. Qartësia nuk është tonalitet: është moral i mjetit. Narrativa e Mehmetajt nuk e ka këtë qartësi. Dhe kjo, në thelb, është gjithçka që duhet të dimë për ta vendosur në raftin e duhur.
Dymbëdhjetë minutat e dyzetegjashtë sekondat e Lirim Mehmetajt nuk përmbajnë as gazetari, as kritikë profesionale; ato janë një fjalim i rrëmbyer, i mbështetur mbi mllefin e fjalorit dhe jo mbi peshën e provës. Në thelb, ky është shembulli më i qartë pse njerëzit që janë të kualifikuar të bëjnë mjekësi veterinare nuk duhet të përpiqen të kryejnë një operacion në zemër tek njerëzit: mungesa e disiplinës dhe metodës këtu nuk prodhon shërim, por rrezik. Walter Lippmann, një prej mendjeve më të mprehta të gazetarisë amerikane dhe fitues i Pulitzerit, ka shkruar se “gazetaria funksionon vetëm kur e ndan faktin nga opinioni dhe ia ofron publikut të vërtetën e verifikueshme”. Mehmetaj nuk e bën këtë. Ai ngatërron opinionin me faktin, damkosjen me analizën, retorikën me profesionin. Dhe pikërisht për këtë arsye, produkti i tij nuk mund të quhet as kritikë, as gazetari; është vetëm një dëshmi se kur zanati nuk mësohet, diletantizmi shfaqet i zhveshur para publikut.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
